Hezbollah organizatë terroriste, ndihmësi i Trump përgëzon Kosovën
Ndihmësi i Presidenti Trump për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, (NSA), John Bolton ka lavdëruar dje Kosovën për vendimin e saj lidhur me organizatën Hezbollah.
Nga Ruben Avxhiu, Illyria Press
Kjo deklaratë vjen pak kohë pas një përgëzimi të ngjashëm nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.
“SHBA lavdëron Kosovën për shpalljen e Hezbollah si organizatë terroriste”, shkroi të hënën në darkë Bolton në rrjetin Twitter. “Kjo vegël iraniane terrori kërcënon qendrueshmërinë e Lindjes së Mesme dhe në mbarë botën”.
The U.S. commends Kosovo’s designation of Hizballah as a terrorist organization. This Iranian terror proxy continues to threaten stability in the Middle East and throughout the world. The world is recognizing Iran’s terror sponsorship and naming its chief beneficiary: Hizballah.
— John Bolton (@AmbJohnBolton) July 2, 2019
Përshëndetja që vjen nga njeriu në pozicionin më të lartë të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë është edhe më me interes se ai i kreut të diplomacisë amerikane, Pompeo. Kjo sidomos se Bolton është një rast i rrallë mes diplomatëve të lartë amerikanë që kanë folur kundër pavarësisë së Kosovës kur ajo u shpall në 2008. Në postin e ri, ai i është përshtatur politikës së jashtme amerikane por është shoqëruar gjithnjë me një hije dyshimi nga pikëvështrimi i shqiptarëve për shkak të deklaratave të mëparshme.
Disa shohin te Bolton mbështetjen më të madhe amerikane për një marrëveshje me ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Bolton është shprehur në favor të një marrëveshjeve mes këtyre dy vendeve, po nuk ka ndonjë provë bindëse që të jetë ai ideatori apo arsyeja se pse SHBA ka nxitur bisedimet në këtë drejtim.
Bolton njihet si mbështetës i politikës së jashtme agresive amerikane sidomos kundër Iranit. Ai ka udhëtuar në Tiranë për të vizituar militantët e grupit disident iranian MEK dhe familjet e tyre që kanë marrë strehim aty.
Shumë vëzhgues mbajnë Boltonin përgjegjës që Presidenti Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit duke bërë që të ndizen spekullimet për një luftë të re.
“Bota është duke e kuptuar financimin nga Irani të terrorit dhe duke treguar me emër përfituesin e tij kryesor: Hizballahun”, e mbylli ai postimin e tij në Tuittër për Kosovën.