Tensionet Iran-SHBA, Trump: Do të rrisim ndjeshëm sanksionet ekonomike
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar rritjen e ndjeshme të sanksioneve ekonomike ndaj Iranit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar rritjen e ndjeshme të sanksioneve ekonomike ndaj Iranit.
Ky njoftim pason një deklaratë të Shteteve të Bashkuara drejtuar një takimi urgjent të Bordit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike që u mbajt në Vjenë. Në deklaratë shkruhet se shkelja e marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit është një përpjekje për zhvatje parash.
“Nuk ka asnjë arsye të besueshme që Irani të zgjerojë programin e tij bërthamor dhe kjo nuk mund të shihet veçse si një përpjekje e ashpër dhe jotransparente për të zhvatur para nga bashkësia ndërkombëtare”, shkruhej në deklaratën e SHBA-së, që ka ripërsëritur po ashtu edhe gatishmërinë për bisedime. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka thënë se negociatat janë të pamundura “nën presion”, duke nënkuptuar sanksionet.
Trump në një postim në llogarinë e tij zyrtare në “Tëitter” shkruan se Irani ka kohë që në mënyrë sekrete po pasuron uraniumin në shkelje të plotë të asaj që ai e quan “marrëveshja e tmerrshme prej 150 miliardë dollarësh e bërë nga ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe administrata Obama”.
Pesë vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes që janë ende pjesë e saj, i kanë bërë thirrje Iranit që t’i përmbahet kërkesave të paktit.