Boaz Rodkin: Ja çfarë i kam thënë për Shqipërinë ambasadorit të ri, Noah Gal Gendler

Me rastin e përfundimit të detyrës, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Z. Boaz Rodkin, dha një intervistë për gazetën online “Izraeli Sot”.


Kur ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin, i paraqiti letrat Kredenciale Presidentit të Republikës, Bujar Nishani (27 prill 2015) në emër të Shtetit të Izraelit, ai e ndjeu se misioni i tij diplomatik në “Vendin e Shqiponjave” do të ishte i suksesshëm, kjo dhe falë punës së shkëlqyer të paraardhësit të tij, David Cohen – ambasadori i parë rezident në Shqipëri –  në një vend mik të hebrenjve, ku veçohet shpëtimi i tyre nga nazistët gjatë Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore.

Z.Rodkin, i cili më parë kishte shërbyer si përgjegjës për marrëdhëniet me publikun në Ambasadën e Izraelit në Meksikë (1991-1996) dhe zëvendësambasador në Irlandë (2000-2003), siç tha edhe gjatë intervistës për gazetën online “Izraeli Sot”, e kishte të qartë fokusin e punës së tij në Shqipëri, me të cilën Izraeli kishte marrëdhënie diplomatike nga viti 1991, edhe pse Shqipëria e kishte njohur zyrtarisht Shtetin e Izraelit në vitin 1949.

Ambasada izraelite është përfshirë në shumë projekte sociale, evente kulturore, duke ofruar ndihmën e saj dhe krijuar një lloj ure bashkëpunimi dhe një imazh miqësor të Izraelit në Shqipëri, ndërsa ambasadori Rodkin ka zhvilluar takime me anëtarë të Qeverisë si dhe ka realizuar një tur të gjerë vizitash në bashkitë dhe universitetet shqiptare, për t’u njohur nga afër me realitetin shqiptar, për të strukturuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, agrokulturës, etj. Për herë të parë gjatë sezonit turistik 2018, Shqipëria përjetoi një bum turistësh nga Izraeli, ndërkohë që numri i tyre këtë vit është trefishuar.

Zoti Boaz Rodkin e përfundoi detyrën e tij diplomatike. Në Tiranë pritet të vijë ambasadori i ri, Noah Gal Gendler, ish-kryediplomat në Bullgari dhe së fundi kreu i diplomacisë izraelite në Kenia.

* * *

INTERVISTA ME AMBASADORIN RODKIN

IZRAELI SOT – I nderuar ambasador Rodkin, ju po mbaroni detyrën tuaj diplomatike si ambasadori i dytë rezident i Izraelit në Shqipëri. Çfarë menduat në lidhje me sfidat tuaja të pritshme në Shqipëri ditën kur i paraqitët letrat kredenciale Presidentit Bujar Nishani në emër të Shtetit të Izraelit?

AMBASADORI RODKIN – Angazhimi me të gjithë sektorët e publikut të Shqipërisë ishte një temë kryesore për mua. Fokusi im ishte të tregoja historinë e Izraelit këtu, duke i afruar më shumë dy vendet tona.

Ambasadori i Izraelit , Boaz Rodkin dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ditën e paraqitjes së letrave kredenciale, 24 prill 2015.

 

Gjatë periudhës suaj, Shqipëria dhe Izraeli i kanë fuqizuar më shumë marrëdhëniet midis tyre, të cilat kulmuan me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael në dhjetor 2015. Çfarë marrëveshjesh janë nënshkruar midis dy vendeve?

Marrëdhëniet e Izraelit me Shqipërinë mbulojnë një spektër të gjerë, të cilat konsistojnë në çështje diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëdhënieve diplomatike, të dy qeveritë kanë pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm që është materializuar në marrëveshje të ndryshme dypalëshe të tilla si investime, tregti dhe bashkëpunim ekonomik, bujqësi, mjekësi veterinare dhe shërbime ajrore, dhe gjithashtu në fushat e shkencës, arsimi dhe kultura.

Ambasada e Izraelit është e përfshirë në shumë projekte sociale, ngjarje kulturore në Shqipëri. Sa mendoni se si ndihmon kjo lloj ure në krijimin e një imazhi miqësor të Izraelit në Shqipëri?

Përdorimi i një platforme më të gjerë të lidhjeve kulturore dhe lidhjeve të tjera të vendosura ishte një përparësi e fortë për mua. Fluturimet e sukseseshme të drejtpërdrejta midis Tel-Avivit dhe Tiranës vitin e kaluar, sollën mijëra pushues izraelitë dhe kërkues aventurash në Shqipëri. Mbjellja e 70 pemëve në zemër të Tiranës për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe në të njëjtën kohë duke luajtur rolin tonë në trajtimin e krizës klimatike, ose rinovimi i një çerdheje për fëmijët e Tiranës ishin të gjitha pjesë e misionit tim për të gjeneruar Imazhin e Izraelit në Shqipëri.

Zoti Rodkin, duke u rikthyer pas në kohë, çfarë ju tha ambasadori David Cohen kur morët detyrën dhe çfarë do t’i rekomandonit pasuesit juaj, ambasadorit Noah Gal Gendler, në mënyrë që të fuqizohen më tej marrëdhëniet midis Izraelit dhe Shqipërisë?

David Cohen, ish-ambasadori i parë rezident i Izraelit në Shqipëri; ambasadori aktual Boaz Rodkin dhe ambasadori i ri, Noah Gal Gendler.

Marrëdhëniet e Izraelit me Shqipërinë janë përqendruar me të drejtë në historinë e gjatë miqësore që lidh dy kombet tona. Sidoqoftë, në mjedisin aktual global dhe rajonal, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, detyra jonë është të riformulojmë dhe ripërcaktojmë marrëdhëniet midis dy vendeve nga lidhjet historike tek interesat e ndërsjella me përfitime të barabarta, bazuar në vlerat tona të përbashkëta.

IZRAELI SOT: Ju faleminderit!

* * *

Ambasadori Rodkin ka dhënë një numër të madh intervistash për televizione të ndryshme shqiptare si në “Scan”, “ABC NEWS“, “Report TV“, “Top Channel“, News 24“, “Vizion Plus“, etj.

* * *

Një vëmendje të veçantë, ambasadori Rodkin i ka kushtuar edhe respektimit të komuniteteve fetare në Shqipëri, leksioneve në universitetet shqiptare, apo aktiviteteve kushtuar Ditës së Holokaustit.

* * *

Shqipëri-Izrael, një historik i marrëdhënieve diplomatike

Shqipëria dhe Izraeli kanë përjetuar dy periudha krejt të kundërta në marrëdhëniet e tyre gjeopolitike dhe diplomatike. E para, përkufizohet me politikën refuzuese të regjimit komunist në vitet 1948-1990 dhe, e dyta, ajo pas viteve 1990, që përkon me qëndrimin dashamirës të shtetit shqiptar. Shqipëria dhe hebrenjtë kanë një histori të lavdishme gjatë Luftës së Dytë Botërore, me strehimin dhe shpëtimin të jo vetëm atyre që jetonin në Shqipëri, rreth 200 hebrenj, por dhe të dhjetëfishit që erdhën nga vende të tjera, mbi 2000. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrenjve pas Luftës ishte më i madh se para fillimit të saj.

Shqipëria e ka njohur zyrtarisht Shtetin e Izraelit, më 16 prill 1949, por më pas, politika e liderit komunist Enver Hoxha, nuk ishte aspak dashamirës ndaj shtetit hebre, duke qenë më afër vendeve të tjera të Lindjes së Mesme dhe refuzuar disa tentativa diplomatike të Izraelit drejt përmirësimit dhe vendosjes së marrëdhënieve. Gjatë një vizite zyrtare të ish-kryeministrit Sali Berisha në Izrael, në korrik 2008, u vendos që të hiqen vizat për qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të vizitojnë Izraelin. Berisha u takua edhe me Kryeministrin izraelit, Ehud Olmert.

Sinjali i parë i ndryshimit të politikës së Shqipërisë kundrejt Izraelit ishte bisedë e iniciuar nga ambasadori i Shqipërisë në Romë, Dashnor Dervishi, me homologun e tij izraelit, Mordechai Drori në mesin e majit të vitit 1990. Më 16 mars 1991 në Romë, një takim midis ambasadorit shqiptar në Itali, Dashnor Dervishi dhe homologut të tij izraelit, Mordechai Drori, kristalizoi edhe të ardhmen gjeopolitike midis dy vendeve. Dervishi e informoi Drorin, se në Shqipëri ishte themeluar Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael, edhe e ftoi atë të ishte “miku special” në inaugurimin e saj në prill 1991.

Më 19 korrik 1991, Drori vizitoi Shqipërinë dhe u takua me ministrin e Jashtëm të atëhershëm shqiptar, Muhamet Kapllani, të cilit i dorëzoi ftesën e ministrit të Jashtëm të Izraelit, David Levy. Më, 19 gusht 1991, ministri i Jashtëm, Muhamed Kapllani vizitoi Izraelin dhe të dy vendet firmosën një Memorandum Mirëkuptim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministria e Jashtme e Izraelit propozoi që 25 studentë shqiptarë të merrnin pjesë në kurset e organizuara nga Departamenti Ndërkombëtar i Kooperimit të Ministrisë së Jashtme. Në mesin e vitit 1998, Qeveria “Nano” vendosi të hapte seli të përhershme për ambasadën shqiptare në Izrael. Ambasadori i parë i Shqipërisë në Izrael ishte Dashnor Dervishi.

Ambasadori i Izraelit në Romë, Avi Panzer, ishte gjithashtu ambasadori i parë jo-rezident në Shqipëri. Ai u pasua nga Amira Arnon, Irit Ben-Aba, Ehud Gol dhe David Cohen. Ambasada e përhershme e Izraelit në Tiranë është hapur në gusht të vitit 2012. Ambasadori i parë rezident i Izraelit në Shqipëri është David Cohen(2012-2015), i pasuar nga ai aktual, Boaz Rodkin (në detyrë nga prill 2015).

Ambasadorët e Shqipërisë në Izrael janë: Dashnor Dervishi, Bashkim Dino, Tonin Gjuraj, Qirjako Kureta, Bujar Skendo, Bardhyl Canaj (në detyrë). Janë disa konsuj nderi të Shqipërisë në Izrael dhe ata janë qytetarët izraelitë: Rafael Faust, Menashe Getz (konsullata në Eilat), Avraham Rinot (konsulata në Haifa).

Konsuj nderi të Izraelit në Shqipëri kanë qenë apo janë: Bardhyl Canaj, Rodolf Xhillari (në detyrë, konsullata në Durrës).

Në Parlamentin e Shqipërisë është ngritur edhe Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Izrael, me kryetare aktuale deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Kryetarja e Grupit Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Izrael, Blerina Gjylameti. Në Shqipëri, që nga viti 1991 është ngritur Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael, me kryetar Petrit Zorba. Në Izrael, Shoqata e Miqësisë Izrael-Shqipëri kryesohet nga Felicita Jakoel.

LEXO EDHE

 

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit