Cakaj-Hanegbi: Konferenca e Grupit të Mesdheut në Shqipëri, merr pjesë edhe Izraeli
Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u prit në një takim nga Ministri për Bashkëpunim Rajonal i Izraelit, Tzachi Hanegbi.
Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u prit në një takim nga Ministri për Bashkëpunim Rajonal i Izraelit, Tzachi Hanegbi.
Tema kryesore e takimit ishte përgatitja e Shqipërisë për Konferencën e Grupit të Mesdheut më 24 dhe 25 tetor.
“Duke vlerësuar relevancën e tematikave të Konferencës, si bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë, politikat e përbashkëta për luftën kundër terrorizmit, si dhe bashkëpunimi për prosperitet ekonomik e social i vendeve të Mesdheut të cilat do të jenë në qendër të diskutimeve të kësaj Konference, pjesëmarrja e Izraelit do të ishte e një rëndësie të veçantë.
Dy ministrat diskutuan edhe për mundësitë e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Izraelit veçanërisht në fushën e ekonomisë, turizmit dhe sigurisë.
Vizita në Izrael e kryediplomatit shqiptar do të plotësohet me masa konkrete politike dhe diplomatike të mëtejme në shërbim të forcimit të lidhjeve midis dy vendeve“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Gjatë qëndrimit në Izrael, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi një vizitë në Muzeun e Holokaustit “Yad Vashem” në Jeruzalem.
Ministri Cakaj u njoh me histori të tmerrshme të shfarosjes masive të hebrenjve gjatë Luftës së II-të Botërore.
Me anë të një postimi në Twitter Ministri Cakaj shkruan se “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku numri i hebrenjve ishte dhjetë herë më i madh pas Luftës së Dytë Botërore.”
Për këtë arsye, populli dhe shteti i Izraelit kanë shprehur gjithnjë mirënjohje për fisnikërinë e popullit shqiptar.
“Shumë i prekur dhe krenar të jesh në anën e duhur të historisë. Të vepruarit kundër antisemitizmit është një detyrim moral për të gjithë ne,” ka vijuar Cakaj.
Në janar të këtij viti, fondacioni prestigjioz Raoul Wallenberg e dekoroi Shqipërinë me titullin e lartë “Shtëpia e Jetës”.