Historitë e ciganes dhe zyrtarit të Prefekturës së Prishtinës që shpëtuan hebrenjtë

Në një sinagogë pranë Uashingtonit, pjesëtarë të komuniteteve hebraike dhe shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria, u mblodhën për të parë filmin “Cigania Kurajoze” dhe për të nderuar një ish-sekretar të prefekturës së Prishtinës, që kishte shpëtuar jetën e shumë hebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit.


Në një mbrëmje në një sinagogë pranë Uashingtonit, pjesëtarë të komuniteteve hebraike dhe shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria, u mblodhën për të parë filmin “Cigania Kurajoze” dhe për të nderuar një ish-sekretar të prefekturës së Prishtinës, që kishte shpëtuar jetën e shumë hebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit. Aktiviteti ishte organizuar për të përkuar me 81 vjetorin e Natës së Xhamave të Thyer, kur nazistët ndërmorën sulmin mizor kundër komunitetit hebre, duke bastisur shtëpitë, duke shkatërruar bizneset dhe duke djegur sinagogat, një prelud i tmerrit që do të pasonte.

Të shpëtosh një fëmijë dhe ta rrisësh si tënden, duke rrezikuar jetën. Kjo është historia e Hajrija Imeri Mihajliçit, një grua e komunitetit roma, që shpëtoi një vajzë të vogël hebreje në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ajo vajzë, Ester Acevic – sot Ester Levi – ia kujton edhe sot tiparet. Hajrija punonte për gjyshen e Esterit në Mitrovicë. Dhe kur hebrenjtë u dërguan në kampe përqendrimi, ajo gjeti gjyshe e mbesë në kampin e Mitrovicës dhe e nxorri Esterin mes pesë fëmijëve të saj.

Ester u rrit si bija e saj dhe pas pesë vjetësh kur u mor vesh që vajza ishte hebreje, e morën dhe e dërguan në një jetimore në Serbi ku më pas megjithëse u bashkua me të ëmën, Ester gjithmonë ndjente mall për Hajrijen.

Regjisori kroat Jakov Sadler i thotë Zërit të Amerikës se Hajrija është e vetmja cigane në botë e cila ka marrë titullin më të lartë të Izraelit “njerëz kurajozë të kombeve”, që jepet për ata që shpëtuan hebrenjtë. Ai thotë kurajoja e Hajrijes është edhe më e veçantë, pasi edhe komuniteti Roma ishte në shënjestër të nazistëve.

“A mund ta imagjinoni në këtë situatë të tmerrshme, të jesh cigane, ta kesh jetën të rrezikuar dhe të kesh kurajon të shpëtosh një vajzë të vogël hebraike? Është vërtet e pamundur të përshkruash guximin e saj”.

Anna Kohen, pasardhëse e një familjeje hebraike, e lindur dhe e rritur në Vlorë, ishte një nga organizatoret e aktivitetit mbajtur në sinagogën B’Nai Tzedek, ku u shfaq dhe filmi.
“Është e mrekullueshme sesi ajo fëmijë e vogël është ende gjallë dhe që u shpëtua nga një cigane në Kosovë”, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Mbrëmja i ishte përkushtuar gjithashtu edhe rolit të shqiptarëve të Kosovës, që shpëtuan hebrenj, dhe ndihmuar me kalimin e tyre në Shqipëri, i vetmi vend ku ata ishin të mbrojtur në Evropë.

“Ne jemi shqiptarë nga Shqipëria, shqiptarë nga Kosova dhe njerëzit e dinë më shumë për shqiptarët që i shpëtuan të gjithë hebrenjtë e tyre. Por për mua ishte si një mision i paplotësuar, sepse unë tregoj gjithmonë se si Shqipëria i shpëtoi hebrenjtë, sepse shpëtoi familjen time. Por nuk dëgjoheshin shumë histori për Kosovën”.

Pjesë e këtyre historive ishte ajo e Preng Ulit i cili si sekretar i përgjithshëm i Prefekturës së Prishtinës gjatë luftës, shpëtoi shumë hebrenj. Një nga rastet më të spikatura, ishte kur ai bashkëpunoi me rabinin e Prishtinës, Jozef Levi duke i dhënë 52 pasaporta të rreme për hebrenjtë që të kalonin në Shqipëri.
Gjergj Uli është krenar për të atin, i cili vuajti edhe në kampin e Gracit, dhe thotë se ai ishte një idealist.

Është kënaqësi dhe vërtet që është një nder dhe unë jam i entusiazmuar që një tjetër popull kujton tim atë për atë që bëri. Ky është një vlerësim e asaj që ai vërtet e bëri dhe ishte jo pak e rëndësishme. Edhe një njeriu të vetëm t’ia shpëtosh jetën është një mrekulli, jo më im atë ka bërë shumë më tepër se aq”, tha ai.

Për të nderuar kujtimin dhe kontributin e Preng Ulit, artistja Masha Roth, një fëmijë e mbijetuar e Holokaustit kishte bërë një vepër arti që ia dha Gjergjit.
Ines Demiri, diplomate në konsullatën e Kosovës dhe një nga organizatoret, ka një pozicion të veçantë. Gjyshi i saj shqiptar e shpëtoi gjyshen e saj hebraje dhe më pas ata u martuan.

“Si një bijë që u takon të dy popujve të lashtë hebre dhe shqiptar, që të dy kanë përjetuar vuajtjen dhe brutalitetin, jam krenare që ta quaj Kosovën shtëpinë time, dhe krenare për popullin tim që shpëtoi hebrenjtë në kohën më të vështirë të historisë së tyre”.

Për Ardian Hasanajn, një pjesëtar i audiencës nga Kosova, që ndodhej për vizitë në Uashington dhe jeton në Gjermani, simbolika ishte shumë e ndjeshme për të, duke qenë se kishte përjetuar si fëmijë luftën në Kosovë dhe të keqen apo të mirën që janë në gjendje të bëjnë njerëzit.

“Veprimi i Hajries dhe shumë të tjerëve shqiptarë që gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë arritur të rrezikojnë jetën e vet, për të shpëtuar jetët e të tjerëve, në këtë rast komunitetit Jahudi që kanë qenë të rrezikuar nga nazizmi në atë kohë, është vërtet shenjë e madhe e kombit tonë por edhe vlerave njerëzore, që duhet t’i ketë secili komb”, tha ai.

Irene Makler, një tjetër pjesëmarrëse, flet për rolin e shqiptarëve.
“Fakti që të gjithë po kthenin shpinën dhe shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë, mbrojtën njerëz që vuanin dhe kishin nevojë për ndihmë, mendoj se është i mrekullueshëm”, thotë ajo.

Në një sallë ku kishte shumë të mbijetuar, disa prej akteve të njerëzve që i ndihmuan, mirënjohja dhe dashuria e Esterit për Hajrijen është diçka që ata e ndjejnë dhe e kuptojnë thellë.

“Ndërsa kujtojmë Natën e Xhamave të Thyer, ne kujtojmë të gjithë hebrenjtë që vdiqën në luftë, por po ashtu nuk do të harrojmë kurrë ata që shpëtuan hebrenj të tjerë”, thotë zonja Kohen. /VOA/

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit