Parashikon tërmetet, ambasadori izraelit zbulon sekretet e pajisjes “Ionoterra”
Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler: Brenda vitit pritet të dalë në treg pajisja që sinjalizon termetet 8 deri në 12 orë para se të godasë.
Shqipëria u godit nga dy termete të fuqishme, brenda dy muajve: Ai i 21 shtatorit me dëme materiale dhe termeti fatal i 26 nëntorit, që mori jetën e 52 personave, plagosi mbi 900 të tjerë dhe la në qiell të hapur me mijëra qytetarë, kryesisht në Durrës e Thumanë. Tashmë pyetja që shtrojnë të gjithë me shqetësim është: A mund të rrezikohemi sërish nga termetet?
Sizmologët kanë deklaruar shpesh se termetet nuk mund të parashikohen, ndërsa nga Izraeli vjen një lajm i mirë: Brenda vitit pritet të dalë në treg pajisja që sinjalizon termetet 8 deri në 12 orë para se të godasë. Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, në një intervistë ekskluzive për Abc News.
Ai shpjegon se Izraeli ka dy sisteme për paralajmërimin e tërmeteve, të dyja funksionale, një në çarjen siriano-afrikane që kalon nga Siria deri në Afrikë deri në Malaui, me rreth 500 kilometra në Israel dhe sistemin e alarmit në shinat e trenit që përdoret për të rregulluar shpejtësinë e trenit për të parandaluar dëmin para se të ndodhë tërmeti. Por ajo që ka bërë më shumë bujë është kompania Izraelite “Ionoterra” me krijimin e një sistemi që parashikon tërmetin nga 8 deri në 12 orë para se të ndodhë. Ambasadori thotë se ky nuk është thashethem dhe se do të jetë në treg brenda një viti ndërkohë që është testuar me sukses.
“Ata mendojnë ndryshe, jashtë paradigmës. Në vend që të përpiqen të identifikojnë tërmetet përmes lëvizjeve sizmike dhe nëse bën këtë, humbet 90 përqind të zhurmave të lëvizjeve për shkak të natyrës së identifikimeve sizmike. Kështu që ata përpiqen ta përdorin atë përmes jonosferës, që është niveli atmosferik nga 60 kilometra e sipër, nga 60 deri në një mijë kilometra. Ajo që bëjnë është se vënë sensorë dhe radarë në vende që janë shumë të ndjeshme ndaj tërmeteve dhe marrin sinjalin në mënyrë konstante dhe arrijnë të shohin kurdo që ka ndryshim. Dhe ndryshimi është alarm i kuq për ju. Suksesi i saj është 91 përqind. Ata e testuan sistemin në Greqi, Turqi, Rumani, por sigurisht teknologjia nuk është 100 përqind e arritur. Do të kërkojë disa javë, disa muaj për ta vlerësuar në një pozicion ku mund ta përdorësh në çdo vend”, u shpreh Noah Gal Gendler për Abc News.
Ambasadori tha gjithashtu se ky sistem nuk është shumë i kushtueshëm sepse mund të përdoren sensorë dhe radarë. Sensorët mund të vendosen madje në çdo 2-3 kilometra, edhe në varka të vogla, për të mbuluar edhe pjesën detare./abcnews.al