Kryesia Shqiptare e OSBE-së organizon Konferencën mbi Luftën kundër Antisemitizmit
Kryesia Shqiptare e OSBE-së organizoi në Tiranë, Konferencën e nivelit të lartë mbi Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së. Në të morën pjesë delegacione zyrtare nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, etj.
Kryesia Shqiptare e OSBE-së organizoi në Tiranë, Konferencën e nivelit të lartë mbi Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së. Në të morën pjesë delegacione zyrtare nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, etj.
“Kjo konferencë është një thirrje për të qenë vigjilentë”, theksoi Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama në video mesazhin e mirëseardhjes. Ai u drejtoi një thirrje konkrete vendeve pjesëmarrëse që së bashku me shoqërinë civile të veprojnë për të adresuar sfidat e antisemitizmit në rajonin e OSBE-së. “Antisemitizmi, tha Rama, është si një virus dhe si gjithë sëmundjet mund të kurohet vetëm nëse kryhet një diagnozë e saktë”.
Në sesionin e hapjes së Konferencës e mori fjalën edhe Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare i cili, ndër të tjera bëri të ditur se, Shqipëria përgjatë vitit të Kryesisë do të jetë e angazhuar në promovimin e tolerancës dhe mos diskriminimit.
Gjithashtu, Zëvendësministri Tare u ndal në kontributin shqiptar pёr shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ju referuar vlerës së patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, tolerancës dhe bashkëjetesës së shkëlqyer fetare.
Në vijim, ai u shpreh se secili shtet pjesëmarrës mund kontribuojë dhe japë mbështetjen e tij në identifikimin e masave për adresimin e manifestimeve të dhunshme antisemitizëm si dhe të kontribuojë në luftën kundër antisemitizmit, intolerancës, ksenofobisë, racizmit, etj, për një të ardhme më të sigurt për të gjithë rajonin e OSBE-së.
Konferenca e nivelit të lartë, e cila shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të Kryesisë Shqiptare, ofroi një mundësi për të dialoguar dhe diskutuar mes pjesëmarrësve mbi sfidat aktuale dhe praktikat e mira lidhur me luftën kundër antisemitizmit, duke shqyrtuar edhe mundësitë e ndërveprimit mes shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së për të promovuar tolerancën dhe mos diskriminimin.
Konferenca gjithashtu trajtoi rolin e shoqërisë civile në adresimin e manifestimeve antisemitizëm si dhe rëndësinë e patjetërsueshme të programeve arsimore në ndihmë të luftës ndaj këtij fenomeni.