Teknologjia izraelite e ujitjes me pika sjell përfitime të mëdha për fermerët shqiptarë
Teknologjia izraelite e ujitjes me pika është mjaft e kërkuar nga fermerët për t’u implementuar si metoda më e mirë e vaditjes në Bujqësi. Fermeri Hasan Hasa në Lundër, po përdor këtë teknologji për vaditjen e vreshtave dhe i ka sjellë atij mjaft përfitime.
Nga Etleva Xhajanka – / ATSH/- Teknologjia izraelite e ujitjes me pika është mjaft e kërkuar nga fermerët për t’u implementuar si metoda më e mirë e vaditjes në Bujqësi. Por, kjo teknologji mbetet ende e kushtueshme për fermerët shqiptarë, të cilët i janë drejtuar mbështetjes financiare nga Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi për të siguruar fondet e nevojshme.
ATSH ishte pranë fermës së Hasan Hasës në Lundër, ku kjo teknologji e aplikuar për vaditjen e vreshtave, i ka sjellë atij mjaft përfitime.
Punën në vreshtë, Hasani e ka nisur që herët, aq sa të duket sikur nuk pushon ndonjëherë. Edhe sot, ekipi i ATSH-së e gjeti atë mes hardhive.
Ai shpjegoi sesi me paratë që ka marrë nga skema e qeverisë për bujqësinë, ka vënë në funksionim projektin e teknologjisë izraelite të ujitjes me pika në vreshtin e tij, çka e ka ndihmuar të zgjidhë përfundimisht problemin e ujitjes dhe të rrisë prodhimin e rrushit vitin e fundit.
“Prej 30 vitesh punoj në vreshtin që e kam ngritur në 1.2 ha tokë, pronë të familjes time. Falë teknologjisë së ujitjes me pika, që më mundësoi financimi i drejtpërdrejtë i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, përmes Skemës Kombëtare, sot vreshti ka marrë formën e një biznesi model, ku punojmë familjarisht dhe sigurojmë të ardhura të kënaqshme”, na tregon Hasa.
Përfitimi i subvencionimit nga Skema Kombëtare e vitit të kaluar për ujitjen me pika, ishte hera e dytë për Hasanin, pas financimit që kishte marrë në 2017 nga qeveria për zgjerimin me 4 ha të sipërfaqes së mbjellë me vreshta të rinj.
Ai thotë se aplikoi shumë lehtë në Skemën Kombëtare 2019 dhe brenda një muaji mori shumën mbi 2 milionë e 400 mijë lekë për implementimin e skemës së ujitjes me pika në vreshta.
Implementimi i teknologjisë e ka ndihmuar Hasanin të zgjidh përfundimisht problemin e ujitjes dhe të rrisë deri në 20 kv/ha prodhimin e rrushit që është e markës autoktone “Sheshi i Bardhë dhe “Sheshi i Zi”, mjaft të kërkuara nga tregu.
Hasan Hasa thotë se, të gjithë prodhimin e rrushit e ka të shitur paraprakisht. “Një pjesë të prodhimit e shes për konsum në tavolinë dhe një pjesë tjetër për raki dhe verë”, deklaron ai, ndërsa shprehet besimplotë se me pasionin për vreshtarinë, punën e palodhur dhe mbështetjen që ka marrë nga Skema Kombëtare ka arritur të ngrejë një model biznesi të suksesshëm për t’ia trashëguar edhe djalit të tij.
Zona e Lundrës shquhet për plantacionet me vreshta, madje fermerët “konkurrojnë” mes tyre për investime cilësore që i kanë kthyer plantacionet në një “Toskanë” të vërtetë me varietet më të zgjedhura të rrushit dhe që janë mjaft të kërkuara nga tregu. e.xh/j.p/
Burimi: ATSH