Kosova përshëndet marrëveshjen Izrael-EBA, Meliza Haradinaj: Dëshmi për paqe dhe zhvillim!
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka bërë një reagim rreth marrëveshjes midis Izraelit dhe Emiratave të Bashkuara Arabe duke e quajtuar historike.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka bërë një reagim rreth marrëveshjes midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe duke e quajtuar atë si historike.
Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me dije se i kanë bindur Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që të arrijnë një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.
“Përshëndesim marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të ndërmjetësuar nga Presidenti Trump”, ka thënë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës.
Kryediplomatja e Kosovës ka thënë se kjo marrëveshje trepalëshe është hap i madh përpara për krijimin e energjive të reja që do të sjellin ndryshime të mëdha në proceset e paqëbërjes dhe zhvillimit në Lindjen e Mesme.
“Marrëveshja historike e arritur nën ndërmjetësimin dhe lidershipin amerikan është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të liderëve të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për paqe dhe zhvillim”, ka thënë Ministrja Haradinaj – Stublla.
Në 8 korrik 2020, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla priti në Prishtinë Ambasadoren e Izraelit me mision në Beograd, Alona Fisher-Kamm.
“Kisha nderin të pres sot Ambasadoren e Izraelit me mision në Beograd, Alona Fisher-Kamm. E falënderova Ambasadoren Fisher-Kamm për anagazhimin konstruktiv në ngritjen e raporteve në mes të Izraelit dhe Republikës së Kosovës. Derisa shtetet tjera janë krenare me miqësinë e krijuar me shtetin e Izraelit së fundi, ne krenohemi me miqësinë e përjetshme që kemi pasur si dy popuj liridashës”, shkruan ajo në postimin e saj në lidhje me takimin.