Emiratet Arabe heqin bojkotin ndaj Izraelit, lejojnë marrëveshjet ekonomike
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka nxjerrë një dekret që anulon një ligj për bojkotimin e Izraelit dhe që lejon marrëveshje tregtare e financiare mes dy vendeve.
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka nxjerrë një dekret që anulon një ligj për bojkotimin e Izraelit dhe që lejon marrëveshje tregtare e financiare mes dy vendeve. Lajmi u njoftua të shtunën nga agjencia zyrtare e lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe “WAM”.
Dekreti i Presidentit Khalifa bin Zayed Al Nahyan ka për qëllim “mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh në mënyrë që të sigurojë krijimin e marrëdhënieve dypalëshe”, bëri të ditur agjencia e lajmeve. Njoftimi vjen ndërsa kompania ajrore El Al Airlines planifikon të kryejë fluturimin e parë të drejtpërdrejtë nga Izraeli përmes aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit drejt kryeqytetit të Emiratet e Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.
Në avion do të jetë një delegacion izraelit si dhe ndihmësit kryesorë të Presidentit amerikan Donald Trump i cili ndërmjetësoi marrëveshjen e 13 gushtit për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në mesin e zyrtarëve amerikanë që do të udhëtojnë me avionin e kompanisë ajrore El Al më 31 gusht do të jetë dhe këshilltari i lartë i zotit Trump Jared Kushner tha një zyrtar amerikan. Marrëveshja mes Izrael dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të pasohet nga bisedime në detaje si hapja e ambasadave, tregtia dhe lëvizja në vendet respektive, përpara se të nënshkruhet zyrtarisht.
Deri tani nuk ka patur lidhje ajrore mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe nuk është e qartë nëse kompania izraelite El Al do të jetë në gjendje të fluturojë mbi Arabinë Saudite, e cila nuk ka marrëdhënie zyrtare me Izraelin, për të shkurtuar kohën e fluturimit.
Në maj, një avion i kompanisë Etihad Airways fluturoi nga Emiratet e Bashkuara Arabe për në Tel Aviv me furnizime për palestinezët për të përballuar pandeminë e koronavirusit, duke shënuar fluturimin e parë të njohur nga një transportues i Emiratet e Bashkuara Arabe në Izrael./VOA/