Edita Tahiri: Faleminderit Netanyahu për njohjen e Kosovës nga Izraeli
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Edita Tahiri, e konsideroi njohjen e Kosovës nga Izraeli si një ngjarje historike, njëherësh duke falenderuar edhe kryeministrin Benjamin Netanyhau
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës (1991-2000), Edita Tahiri, e konsideroi njohjen e Kosovës nga Izraeli si një ngjarje historike, njëherësh duke falenderuar edhe kryeministrin Benjamin Netanyhau.
“Njohja e Kosovës nga Izraeli është një ngjarje historike, me të cilën shteti jonë mori një fuqizim të madh në planin ndërkombëtar, duke marrë parasysh se Izraeli është një fuqi botërore me ndikime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare”, shkruan ajo në një postim të saj në Facebook.
Postimi i plotë
Njohja e Kosovës nga Izraeli është një ngjarje historike, me të cilën shteti jonë mori një fuqizim të madh në planin ndërkombëtar, duke marrë parasysh se Izraeli është një fuqi botërore me ndikime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare. Falënderime të përzemërta për Kryeministrin Netanjahu, Izraelin dhe popullin ebrej me të cilët na lidh një histori e ngjashme tragjike. Pafund mirënjohëse Presidentit amerikan Trump që bëri të mundur këtë njohje me rëndësi të veçantë për paqen në rajon dhe gjeopolitikën perëndimore. Jemi duke brohoritur nga gëzimi së bashku me shokët e mi të studimeve në Universitetin e Harvardit dhe shumë miq tjerë izraelit që patën simpati e mbështetje të vazhdueshme që kjo njohje historike të ndodh. Fotoja është nga vizita ime në Izrael në vitin 2017, e ftuar nga Instituti prestigjioz për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (Institute for National Security Studies – INSS)
Në prill 2017, Edita Tahiri, asokohe Ministrja për Dialog, me ftesë të Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (INSS) në Tel Aviv, mori pjesë në seminarin për çështje të negociatave paqësore dhe ndërkulturore të organizuar nga ky institut.
Folësit kryesor në këtë seminar ishin ministrja Edita Tahiri, ish-gjeneral majori izraelit dhe ish-Ambasador i Izraelit në Kinë, Matan Vilnai, profesori Iliai Alan dhe David Gordon, hulumtues dhe bashkëkryesues të seminarit në INSS.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Edita Tahiri ftoi Izraelin që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke thënë se Izraeli është një vend perëndimor, një aleat strategjik SHBA-së, prandaj dhe duhet ta ndjek këtë linjë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke dhënë kontribut për forcimin e paqes në rajon.