Një erë e re në marrëdhëniet Kosovë-Izrael

Akri Çipa është ekspert i çështjeve të Ballkanit. Ai ka master shkencor në Zgjidhjen e Konflikteve nga Columbia University në Nju Jork. Shkrimi është botuar fillimisht në prestigjiozen izraelite The Times of Israel.


Nga Akri Çipa

 

Pak muaj më parë argumentova në Jerusalem Post se kishte ardhur koha që qeveria e Izraelit të njihte Republikën së pavarur dhe sovrane të Kosovës.

Në atë moment, qeveria e re e unitetit sapo ishte zyrtarizuar në Izrael dhe kishte shenja  se zhvillime pozitive mund të priteshin në të ardhmen në këtë drejtim. Megjithatë, lajmërimi për vendimin e dy vendeve (Kosovë-Izrael) për njohje reciproke shkoi përtej çdo lloj kalendari dhe pritshmërie. Në mënyrë surprizuese, njohja e vonuar e Kosovës nga Izraeli erdhi në mënyrë të tërthortë, teksa zyrtarët amerikanë po ndërmjetësonin për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, Kosova deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, gati një dekadë pasi NATO ndërhyri për të ndaluar masakrat serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Gati një milion shqiptarë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre si pasojë e fushatës së gjenocidit serb në vitet 1990. Më shumë se 10 mijë veta u vranë dhe masakruan gjatë konfliktit dhe dhjetëra mijëra femra u përdhunuan nga ushtarët dhe militantët e armatosur serbë. Ende sot, rreth 1,700 shqiptarë të Kosovës kanë mbetur ende të pagjetur.

Për fat të keq, pajtimi i mirëfilltë në Ballkan është penguar nga mungesa e përballjes së Serbisë me të shkuarën e saj. Pavarësia e Kosovës është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar, por Serbia vazhdon të refuzojë ta pranojë këtë fakt si dhe krimet e saj.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet liderëve të dy vendeve ballkanike përfundoi me arritjen e të ashtuquajturit “normalizim ekonomik” ndërmjet dy vendeve, sikurse e theksoi dhe Presidenti Trump i cili drejtoi ceremoninë e nënshkrimit në Dhomën Ovale. Por, teksa njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk u materializua, lajmi më i rëndësishëm i ditës ishte njohja e Kosovës nga Izraeli.

Teksa u bë e qartë që nuk do të kishte ndonjë hap të rëndësishëm përpara në marrëdhënien diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shtetet e Bashkuara vendosën të forconin pozicionin ndërkombëtar të Kosovës duke ndihmuar për vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin. Njohja nga shteti hebre është veçanërisht e rëndësishme pasi përforcon faktin se Kosova është një rast sui generis në arenën ndërkombëtare. Vendet të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës, duke përfshirë dhe pesë vende anëtare të BE-së, nuk kanë më asnjë justifikim ligjor ose moral për të refuzuar pranimin e realitetit.

Izraeli ka shprehur gjithmonë simpati për Kosovën dhe historinë e dhimbshme të popullit kosovar, por për hir të arsyeve pragmatike ka hezituar të vendosë marrëdhënie zyrtare me Prishtinën. Gjithsesi, realiteti i ri që po lind në Lindjen e Mesme duket sikur ka ndryshuar shumëçka në përllogaritjet e Izraelit. Marrëveshja e normalizimit me Emiratet e Bashkuara Arabe që u ndërmjetësua nga SHBA dhe përmirësimi i pozicionit të Izraelit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare solli besimin e nevojshëm për të ndërmarrë hapa përpara. Edhe më e rëndësishme akoma, presioni dhe garancitë e dhëna nga SHBA u dhanë fund hezitimeve dhe shtruan rrugën për vendimin historik.

Lajmërimi në Uashington padyshim që nuk ka lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Gjithsesi, vendosja e ambasadave të reja në Jeruzalem e ndihmon pozicionin e Izraelit. Kosova e mbajti premtimin e dhënë dhe kryeministri Hoti konfirmoi se ambasada e Kosovës do të vendoset në Jeruzalem.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti lajmin dhe nënvizoi se ky do të ishte “vendi i parë me shumicë myslimane që do hapë ambasadën në Jeruzalem.” Por teksa Kosova është vërtetë një vend me shumicë myslimane, ajo është shumë më shumë se kaq. Kosova është një shtet laik dhe shoqëria kosovare karakterizohet nga pluralizmi religjionar dhe toleranca fetare. Kosova ruan si traditën e saj myslimane, edhe atë të krishterë dhe është kategorike në angazhimin për mbrojtjen e të gjitha feve dhe komuniteteve, duke përfshirë dhe komunitetin e saj të vogël hebre.

Pavarësisht se është shteti më i ri në Europë, vlerat liberale dhe demokratike të Kosovës shërbejnë si shembull në një rajon ku ka mungesa të mëdha në këtë prizëm. Më shumë se sa gjesti simbolik i ambasadës, Kosova dhe Izraeli kanë tashmë mundësinë për ta ndërtuar marrëdhënien e tyre të re mbi këto vlera dhe principe të përbashkëta.

Për t’u theksuar, ka një potencial të madh për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve në çështjet ekonomike, tregtare, të edukimit dhe të sigurisë. Kosova mirëpret investime dhe vendosja e marrëdhënieve do të krijojë mundësi të reja për investimet nga Izraeli, mbi të gjitha në sektorin energjitik dhe atë teknologjik.

Duke marrë parasysh përpjekjet rishtare të Kosovës për të promovuar skenën e saj të startup-eve, Izraeli mund të ofrojë shumë. Popullsia e re dhe vitale e Kosovës është e etur për të mësuar nga më të mirët në çështjet e inovacionit dhe iniciativës sipërmarrëse.

Vendimi historik për të njohur Kosovën ndihmon paqen dhe tregon se Izraeli vendosi të jetë nga ana e duhur e historisë. Një epokë e re paraqitet tashmë për të thelluar këtë marrëdhënie bilaterale të sapovendosur dhe për më shumë angazhim nga Izraeli në Ballkan.

***

Autori është ekspert i çështjeve të Ballkanit. Ai ka master shkencor në Zgjidhjen e Konflikteve nga Columbia University në Nju Jork. Shkrimi është botuar fillimisht në prestigjiozen izraelite The Times of Israel.

 

 

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit