Kurti: Kosova është edhe atdheu i hebrenjve!
Pjesë e ceremonisë së Vitit të Ri Hebraik në Prishtinë ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova është atdhe edhe i hebrenjve.
Pjesë e ceremonisë së Vitit të Ri Hebraik në Prishtinë ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova është atdhe edhe i hebrenjve. Sipas tij, hebrenjtë në Kosovë kanë po aq të drejta sa edhe kosovarët.
Kurti ka thënë se e shkuara ka mësuar të bashkëpunohet për paqe duke ruajtur njerëzit përballë çdo dhune apo kërcënimi.
“Ndjehuni në Kosovë si në vendin tuaj. Njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës në historinë e miqësisë dhe të respektit në mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumëkush i kujton ndihmat që shqiptarët iu dhanë hebrenjve, por edhe gjatë dhe pasluftës në Kosovë. Izraeli dhe shumë vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tonë dhe kanë dërguar ndihma humanitare e ekonomike dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi”, ka thënë Kurti gjatë adresimit të tij.
Krejt në fund i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka falëndëruar Kosovën përmes një video-mesazhi për mikëpritjen e të gjitha komuniteteve fetare.