Akademik Skënder Gjinushi: Njohja e Kosovës nga Izraeli, lajm i gëzuar për hebrenjtë dhe shqiptarët

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Prof.Dr Skënder Gjinushi, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Prishtinë, Kosovë, me rastin e Rosh Hashanàh – Ditës së Vitit të Ri Hebraik 5781, të organizuar nga Jewish Community – Bet Israel Kosova dhe Rabinati i Shqipërisë.


Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Prof.Dr. Skënder Gjinushi, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Prishtinë, Kosovë, me rastin e Rosh Hashanàh – Ditës së Vitit të Ri Hebraik 5781, të organizuar nga Jewish Community – Bet Israel Kosova dhe Rabinati i Shqipërisë.

Të pranishëm ishin autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të Kosovës përfshirë z. Hashim Thaçi, President i Kosovës; znj. Vjollca Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës; z. Avdullah Hoti, Kryeministër i Kosovës; përfaqësues të bashkësisë hebraike në Kosovë, ambasadorë, akademikë, profesorë dhe të ftuar.

Në fjalën e tij, Akademiku Gjinushi, veçoi fakte nga historia e bashkëjetesës kulturore dhe historike të shqiptarëve dhe hebrenjve, duke e vënë theksin te “Shoah’ (Holokausti), por edhe angazhimin e Shkencave të Shqipërisë në veprimtaritë që ajo ka organizuar, përfshirë edhe një varg botimesh shkencore të anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Prof.Dr. Skënder Gjinushi e konsideroi një lajme të gëzuar njohjen reciproke të Kosovës dhe shtetit të Izraelit, duke e mbyllur fjalën e tij me urimin: Gëzuar Vitin e Ri Hebraik!

Fjala e plotë e Prf.Dr. Skënder Gjinushi

 

I nderuar z. Hashim Thaçi, President i Kosovës,

I nderuar z. Joel Kaplan, Kryerabin i Shqipërisë,

E nderuar znj. Vjollca Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës,

I nderuar z. Avdullah Hoti, Kryeministër i Kosovës

Të dashur përfaqësues të bashkësisë hebraike në Kosovë,

Shkëlqesi ambasadorë, akademikë, profesorë,

Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës, miq dhe të ftuar,

 

E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë veprimtari, që organizohet në prag të Rosh Hashanàh Ditës së Vitit të Ri Hebraik, jo vetëm sepse kemi dy javë që jetojmë me lajme të gëzuara, për njohjen reciproke të Kosovës dhe shtetit të Izraelit, por edhe sepse historia e lidhjeve kulturore dhe historike midis shqiptarëve dhe hebrenjve ka faqe të ndritura, që na bëjnë krenarë dhe na japin të drejtë ta shohim njëri-tjetrin në sy me nderim.

Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përshëndes organizimin e kësaj veprimtarie dhe uroj të pranishmit: Gëzuar Vitin e Ri Hebraik 5781, që vjen si një vit i mbarë për Kosovën dhe Izraelin, për hebrenjtë dhe shqiptarët.

Pas hebrenjve ndoshta nuk ka një popull tjetër në botë që të ketë provuar mbi fatin e vet aq dhunë kolektive dhe as verbëri ksenofobike sa shqiptarët, sidomos ata jashtë kufijve shtetërorë. Kjo dhimbje e përbashkët i bën dy popujt më të afërt dhe më të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit. Kjo dhimbje e përbashkët duhet të provohet vazhdimisht para opinioneve ndërkombëtare, që popujt të jenë sa më të garantuar për mospërsëritjen e të njëjtit fat tragjik. Prandaj, në veprimtari të tilla, institucionet e kujtesës duhet t’i kthehen së shkuarës, të gjejnë vlera dhe të nxjerrin mësime.

Epoka e sotme, epoka pas luftës së nxehtë dhe luftës së ftohtë, është dhe do të jetë epokë reflektimi për efektet shkatërrimtare çnjerëzore të dhunës kolektive, në çfarëdo forme qoftë: si gjenocid e etnocid, si ksenofobi e antisemitizëm. Ne shqiptarët duhet ta bëjmë këtë me ngulm e durim, megjithëse, siç është shprehur Herman Bernshtajn, shqiptarët janë populli më pak antisemit në Botë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka punuar e punon në mënyrë të vijueshme për këtë veçanërisht që prej vitit 2000, kur Shqipëria, edhe me kontributin e saj të drejtpërdrejtë, u bë një prej vendeve themeluese të Forumit të Stokholmit. Akademia jonë është bashkëhartuese e Ligjit për Ditën e Kujtesës, organizatore e veprimtarive të përvitshme në nderim të saj. Historia e Shoah, historia e bashkëjetesës kulturore dhe historike të shqiptarëve dhe hebrenjve, është shtjelluar në një varg botimesh shkencore të anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Prania historike dhe kulturore e hebrenjve në gjithë hapësirën historike shqiptare dëshmohet që prej dymijë vjetësh. Sa herë që hebrenjtë janë dëbuar, kërcënuar e rrezikuar, tek shqiptarët kanë pasur një strehë të sigurt. Kështu ka ndodhur kur skllavëroheshin nga Roma, kështu ka ndodhur kur u demonizuar nga inkuizicioni, kështu ka ndodhur kur u dëbuan nga Perandoria Otomane, kështu ndodhi dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Holokaustit.

Këto lidhje të forta ndërmjet dy popujve gjejnë shpjegim edhe me ngjashmërinë e madhe të fateve historike të tyre. Shqiptarëve dhe hebrenjve iu deshën shekuj e mijëvjeçarë për të mbrojtur identitetin e tyre, për të fituar Pavarësinë dhe për të ngritur shtetet e tyre. Një shekull shtet në Shqipëri, shtatë dekada shtet në Izrael, dy dekada shtet në Kosovë janë periudha shumë të shkurtra në historinë e gjatë të dy popujve. Kjo histori që na afron e na nderon është shenjëdhënëse jo vetëm për të shkuarën, por dhe për të ardhmen që kemi përpara, për një marrëdhënie të zyrtarizuar midis Izraelit dhe Kosovës, që do të ishte dhe një shenjë me rëndësi për Botën tjetër.

Edhe një here, përgëzime organizatorëve, Gëzuar Vitin e Ri Hebraik!

Lexo më shumë

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit