Rudin Dakli: Hebrenjtë e Shqipërisë në indeksin e Arkivit të Stambollit nga viti 1556
Në zonën e Elbasanit për herë të parë hebrenjtë në Arkivit të Stambollit përmenden në 24 mars 1566. Bëhet fjalë për një ferman të sulltanit për prodhimin e nitratit të potassiumit.
Nga Rudin Dakli – Arkivi Digjital i Elbasanit
Tre vjet më parë një projekt i ri mori jetë në Shqipëri. Dokumente për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Arkivi Digjital e Elbasanit (https://dshsh.org/)
Konceptuar si një bazë e dhënash me dokumente të përkthyera nga gjuhë të huaja, mbi historinë e Shqipërisë dhe Shqiptarëve, ky projekt u perceptua në disa faza.
Në fazën e parë , përkthimi i indekseve të arkivave të huaja që përmbanin të dhëna mbi historinë e Shqiptarëve. Në fazën e dytë, indekset e përkthyera do të hidheshin në një bazë të dhënash online por edhe do të botoheshin dhe do ti prezantoheshin si studiuesve ashtu edhe publikut.
Në fazën e tretë do të bëhej përkthimi i vetë dokumenteve të përshkruara në indeks, sipas interesit që ato paraqesin për studiuesit.
Si çdo material historik që botohet për herë të parë, edhe këto indekse ofrojnë të dhëna të reja mbi jetën në territoret e banuara nga Shqiptarët.
Duke shfletuar indekset ndesh në to edhe të dhëna që dokumentojnë praninë e hebrejve në pothuajse të gjitha zonat për te cilat janë përkthyer indekset.
Duke u nisur nga zona e Elbasanit, e duke shkuar në Vlorë në zonën e jugut dhe në Shkodër në zonën e veriut, në periudha të ndryshme kohe gjejmëdokumente që pasqyrojnë prezencëne komuniteteve hebreje.
Në zonën e Elbasanit për herë të parë hebrenjtë përmenden në 24 mars 1566. Bëhet fjalë për një ferman të sulltanit për prodhimin e nitratit të potassiumit:
Urdhër i sulltanit drejtuar sanxhakbejve të Vlorës, Ohrit dhe Elbasanit që të prodhojnë gjyherxhile (nitrat potasium) pasi të ketë gjetur vend të përshtatshëm për këtë punë, pasi urdhri i mëparshëm nuk është zbatuar për shkak të dimrit të madh që sapo ka kaluar dhe se dy ustallarët e dërguar për prodhimin e gjyherxhiles (nitrat potasium) në Vlorë dolën se janë të paaftë në këtë punë, por në Vlorë gjendet një hebre që merr vesh nga kjo punë, prandaj është dërguar një usta tjetër.
Dokumenti i dytë ndeshet gati 100 vjet më pas, në një ferman të sulltanit drejtuar kadinjve të gjithë sanxhaqeve të Rumelisë dhe Anadollit:
14 nëntor 1688
Ferman drejtuar kadinjve të gjithë sanxhaqeve të Rumelisë dhe Anadollit, mes tyre edhe atij të Elbasanit, që të hartojnë sa më parë regjistrin e hebrenjve që banojnë në sanxhaqet e tyre dhe duhet të paguajnë haraç në përputhje me ligjin, të mbledhin detyrimet në bazë të këtij regjistri dhe t’ia dërgojnë ato thesarit perandorak.
Ka edhe një numër të kufizuar dokumentesh të tjerë për hebrejtë e Elbasanit, por vihet re se dokumenti i fundit kur përmendet përfshirja e tyre në regjistrat e taksave, i përket vitit 1717.
4 dhjetor 1717
Regjistër i dorëzimeve të xhizjeve së të krishterëve dhe hebrenjve që jetojnë në sanxhaqe të ndryshme të Rumelisë mes të tjerave edhe në Elbasan.
Ndërkohë dokumente mbi hebrejtë , shfaqen edhe në Shkodër. Po rendisim indekset e disa prej tyre:
23 janar 1907 (2 dokumente)
Konfiskohen tetë librat në gjuhën hebreje që kanë ardhur në Shkodër në emër të Mishon Shitani efendiut, farmacistit të ushtrisë perandorake, sepse janë vepra të botuara në Jeruzalem dhe nuk kanë lejen zyrtare.
18 prill 1903
Kërkohet nga Esat pasha, komandanti i xhandarmërisë së Shkodrës, i cili gjendet për momentin në Berat, që të kapen sa më parë personat që patën plagosur në Shkodër zotërinjtë hebrenj Avram dhe İs’hak.
Ose ne xhaketën e mëposhtme me katër dokumente të dates 21 dhjetor 1912
Njoftohet hebreu i Sanasë, Hajem Qesar se për borxhin që i detyrohet i ndjeri Riza bej, ish drejtori i policisë së Shkodrës duhet të aplikojë në Zyrën e Përmbarimit të Gjykatave Sherije
Dokumenti i fundit që po përmendim nga Shkodra bën fjalë jo për komunitetin hebre me banim në Shkodër, por për mardhëniet tregëtare midis hebrejve tëBosnjës dhe tregëtarëve të Shkodrës, Tivarit dhe Podgoricës.
14 shtator 1814
Ferman drejtuar Ali pashës, valiut të Bosnjës në lidhje me borxhet që hebrenjtë në Sarajbosnja i kanë tregtarëve nga Shkodra, Tivari dhe Podgorica.
Ndërsa në indeksin për Elbasanin dhe Shkodrën numri i dokumenteve është relativisht i kufizuar, dhe tematika e ngushtë, në indeksin e dokumenteve për Vlorën përmendet sinagoga, pazari i hebrenjve etj. Dokumentet shtrihen gjithashtu në një periudhe më të gjatë se në dy qytetet e para.
Ja disa nga dokumentet për Vlorën që gjenden në Arkivin e Stambollit, të cilët fillojnë të shfaqen që në shekullin e 16. Në dokumentin e parë përmendet Tregu i Hebrejve:
13 mars 1545
Hebreja e Vlorës, Dona i shet Sinan çelebi zaimit, për llogari të vakfit të Mustafa beut, dyqanin që ajo ka në Tregun e Hebrenjve.
26 tetor 1576
Ferman Mahmut beut, sanxhakbeut të Mizistres që të merret me çështjen e borxheve që i ka arkës së shtetit, hebreu i ndjerë, Hajimi, i cili në kohën e nazirit të Vlorës ka qenë sipërmarrësi i mukatasë1 së Vlorës.
8 dhjetor 1591
Urdhër i sulltanit që të hetohet pasuria e dorëzanëve që kanë ofruar dy hebrenjtë që kërkojnë të marrin në sipërmarrje të ardhurat e taksave të ndryshme të shtetit në sanxhakun e Vlorës, Shkodrës dhe Elbasanit.
Gati njëqind vjet më vonë, përsëri përmendet komuniteti hebre, në një kërkesë për regjistrimin e tij në disa zona, midis tyre edhe Vlora
14 nëntor 1688
Ferman drejtuar kadinjve të gjithë sanxhaqeve të Rumelisë dhe Anadollit, mes tyre edhe atij të Vlorës, që të hartojnë sa më parë regjistrin e hebrenjve që banojnë në sanxhaqet e tyre dhe duhet të paguajnë haraç në përputhje me ligjin, të mbledhin detyrimet në bazë të këtij regjistri dhe t’ia dërgojnë ato thesarit perandorak.
Po në shekullin e 17 përmendet edhe sinagoga e Vlorës :
12 mars 1699
Urdhër kadiut të Vlorës në lidhje me riparimet e kishës së vjetër të hebrenjve në qytetin e Vlorës.
Dokumenti më i vonshëm, për hebrejtë e Vlorës që kemi hasur nëkatalogët e përkthyer të Arkivit të Stambollit është ai i vitit 1891.
30 maj 1891
Urdhërohet parandalimi i përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve që kanë filluar mes një hebreu dhe disa ortodoksëve në qytetin e Vlorës.
Siç e përmendëm më sipër, dokumentet nuk janë të shumta po në disa raste japin informacione të rëndësishme për pozicionin e hebrenjve në shoqërinë kohë të ndryshme, profesionet e tyre por edhe praninë e sinagogave si dhe pazareve, tregues ky i pranisë së një komuniteti të konsiderueshëm dhe të mirëorganizuar si pjesë e jetës shoqërore në qytetin e Vlorës, siç është përshkruar nga Prof. Dr. Ferid Duka në shkrimin “ Hebrenjtë e Vlorës në shek. XVI ishin më të shumtë se në Stamboll”.2
Mbetet për tu parë se cfarë dokumentesh do të shfaqen në vazhdim, gjatë përkthimit të katalogut të qyteteve të tjera siç është Berati, ku është i njohur fakti i prezencës së komunitetit hebre. Do ishte me interes sigurisht të përktheheshin dhe paraqiteshin të plotë dokumentet, përshkrimi i përmbajtjes së të cilëve, si rezultat i punës disa vjeçare të osmanologut Ermal Nurja do të jetë e njohur për publikun.
__________
- Mukata – në historinë e Perandorisë Osmane, përshkruan parcelat e hass-ı hümayun (tokë në pronësi të kurorës Osmane) që u shpërndanë jo sipas sistemit timareve por përmes sistemit të ankandit “iltizam”, ku të drejtat për të mbledhur të ardhura në tokë i shiteshin personit qe jepte ofertën më të lartë, që mbetej pronar për sa kohë që jetonte. (Marrë nga Wikipedia –https://en.wikipedia.org/wiki/Muqata%27ah
- http://www.izraelisot.com/2020/10/01/prof-dr-ferit-duka-hebrenjte-e-vlores-ne-shek-xvi-ishin-me-te-shumte-se-ne-stamboll/