Ambasadorja amerikane Kejt Bërns: SHBA çmon punën e ITSHKSH për antisemitizmin
Fjalimi i plotë i ambasadores amerikane në Shkup, znj. Kejt Bërns, në ITSHKSH-Shkup, më 22.11.2020:
Dita finale e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITSHKSH-Shkup, kur shënohet edhe përvjetori i themelimit të Institutit, iu kushtua Zonjës së Parët të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi, e cila sivjet i mbushë 50-vjet nga kalimi në amshim.
Në nderim të këtyre datave të rëndësishme për historinë kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, gjatë aktivitetit morën pjesë ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns dhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, në fjalën e tij tha se pikërisht në ditën kur 112 vjet më parë i mbylli punimet Kongresi i Manastirit, përkujtojmë njërën nga figurat kryesore të kohës, iluministen shqiptare Parashqevi Qiriazi, të cilën e kemi quajtur Zonja e Parët të Alfabetit. Përkunëdër vështirësive që patëm me pandeminë, megjithatë manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, i dha një shije të veçantë gjithë këtyre ditëve, duke përkujtuar figura të shquara iluministe, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në emancipimin tonë, nënvizoi Asani.
Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, duke uruar për manifestimin, tha se gjuha është mjet komunikimi, por gjuha amtare është amanet – ajo është fjala e parë që e dëgjojmë në ardhje në këtë botë, dhe e fundit derisa ikim nga kjo botë. “Në gjuhën shqipe, për mua është shumë e ëmbël dhe melodike fjala “Faleminderit”, tha Stefoska.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns, theksoi rëndësinë e respketit të ndërsjellë të kulturave të ndryshme që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Ajo uroi shqiptarët për Ditën e Alfabetit dhe Institutin për patronazhin, duke inkurajuar vazhdimin e kultivimit të vlerave të përbashkëta, mirëkuptimit dhe tolerancës.
Femi Cakolli, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, u ndal në rëndësinë e misionarëve protestantë në përhapjen e dritës së diturisë diturisë, ku spikaste figura e Parshqevisë.
David Hosaflook, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, foli lidhur me rolin e madh që patën misionaret protestante në përhapjen e shkrim-leximit në mesin e popullatës.
Njëra nga autoret e librit me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazi”, Nora Maliqi-Zylali, theksoi rëndësinë e zbardhjes së këtyre dokumenteve, që flasin për një segment shumë të rëndësishëm të jetës së Parashqevisë, si njëra nga pjesëmarrëset e Konferencës së Parisit në vitin 1919.
Në fund u shfaq filmi dokumentar kushtuar Parshqevi Qiriazit, me kontributin e Jasmina Shopova, Merita Maksuti e Jasna Susha, i cili film do të paraqitet edhe në UNESCO.
Fjalimi i plotë i ambasadores amerikane në Shkup, znj. Kejt Bërns, në ITSHKSH-Shkup, më 22.11.2020:
“Mirëdita. Jam shumë e nderuar që gjendem sot në këtë ngjarje e cila shënon dy përvjetorë të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut dhe në veçanti për komunitetin shqiptar – Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe dhe përvjetorin e 13-të të Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Jam posaçërisht e lumtur që jam në këtë sallë që mban emrin e presidentit tonë Woodrow Wilson dhe në këtë ndërtesë e cila ishte shtëpia e Ambasadës amerikane për vite të tëra.
Në vitin 2013, Ambasada amerikane vendosi të financojë një vizitë studimore për një grup etnikisht të përzier të historianëve, i përbërë kryesisht nga stafi i ITSHKSH-së. Ata shkuan në SHBA, por kush mund ta merrte me mend sa shumë suksese do të vijonin pas kësaj vizite – nga publikimet e përbashkëta dhe konferencat ndërkombëtare te krijimi i koalicioneve për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, antisemitizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm deri tek puna e përbashkët për avancimin e lirive fetare dhe ndihmesa për ta miratuar dhe ligjëruar definicionin punues të IHRA-s mbi mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit – unë ju përgëzoj të gjithëve për energjinë e jashtëzakonshme që keni investuar në punën tuaj të përditshme dhe vendosjen e kontakteve. Këto suksese sigurisht që do të ishin të pamundura pa një bashkëpunim të sinqertë e të hapur midis historianëve dhe hulumtuesve nga përkatësi të ndryshme etnike, kombëtare, fetare dhe me profesione të ndryshme. Mu në këtë frymë do të dëshiroja ta shoh Maqedoninë e Veriut të vazhdojë ta ndjek përparimin, jo vetëm për t’i tejkaluar interpretimet kundërthënëse mbi historinë, por për të ndërtuar kohezion të mirëfilltë, si dhe për ta shndërruar historinë në një element konstruktiv në vend se të shërbejë si burim i mospajtimeve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e çmojnë fort rëndësinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, si dhe atë të diversitetit në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, ne do të vazhdojmë të promovojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis komuniteteve në këtë vend.
Në fund, më lejoni t’ia uroj Dr. Asanit dhe të gjithë kolegëve të tij këtë përvjetor të Institutit, si dhe t’u uroj të gjithëve në Maqedoninë e Veriut Ditën e Alfabetit Shqip! Gëzuar Ditën e Alfabetit!
Urime dhe faleminderit!”