Ambasadori i Izraelit, Gendler: Populli shqiptar ka mbajtur gjithmonë anën e vërtetë të historisë
Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, përmes një letre drejtuar z. Gjinushi ka falënderuar Akademinë e Shkencave për aderimin në Lëvizjen për Luftën kundër Anti-Semitizmit (Combat Anti-Semitism Movement).
Në kuadër të veprimtarive për Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi ka komunikuar këtë të martë, më 26 janar 2021, vendimin e Asamblesë për aderimin në Lëvizjen për Luftën kundër Anti-Semitizmit (Combat Anti-Semitism Movement), duke miratuar Përkufizimin e përdorshëm për Antisemitizmin sipas kuptimit në dokumentin e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (Insternational Holocaust Remembrance Alliance – IHRA).
Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, përmes një letre drejtuar z. Gjinushi ka falënderuar Akademinë e Shkencave për këtë akt.
Mes të tjerash ai kërkon të falënderojë dhe të shprehë mirënjohjen ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për miratimin e përkufizimit të Anti-Semitizmit, si dhe për iniciativën për t’iu bashkuar IHRA-s dhe CAM.
“Habitem, shkruan ai, se si akoma në shekullin e 21-të, në një botë të globalizuar dhe ekonomi të hapur, ku ka liri mendimi, arritje të mëdha teknologjike, mësime të pafundme historike, ne akoma duhet të merremi me urrejtje, racizëm dhe diskriminim.
Është e domosdoshme të kujtojmë të kaluarën në mënyrë që të mos e përsërisim në të ardhmen.
Ky akt shpreh veprimin e një vendi të lirë dhe të njerëzve që ia njohin vlerat lirisë dhe respektit ndaj të tjerëve. Toleranca fetare në Shqipëri mbetet një shembull për t’u ndjekur nga e gjithë bota.
Populli shqiptar ka mbajtur gjithmonë anën e vërtetë të historisë”, përfundon z. Noah Gal Gendler, ambasador i Izraelit në Tiranë.