Haradinaj bisedë me Palmer: SHBA-të nxisin marrëdhëniet diplomatike Kosovë-Izrael
Ministrja e Jashtme e Kosovës bashkëbisedon me z. Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.
“SHBA-të do të vazhdojnë përcjelljen me interesim të lartë zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në implementimin e Marrëveshjes së 4 Shtatorit, specifikisht formalizmin e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit”, kështu shkruan Ministrja e Jashtme e Kosovës në rrjetet sociale, pas bashkëbisedimit me z. Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.
“Kjo arritje kulmore për Kosovën, shtetësinë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar po arrihet falë rolit kyç të SHBA-ve, dhe do të hapë një horizont të ri bashkëpunimi ndërkombëtar për Kosovën”, thekson ministrja.
Postimi i plotë
Kisha kënaqësinë e veçantë të bashkëbisedoj me z. Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.
Biseduam gjerësisht për aktualitetin politik në Kosovë dhe SHBA dhe marrëdhëniet rajonale, ku në emër të Kosovës shpreha mirënjohjen tonë për angazhimin dhe vëmendjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës, dhe bindjen se edhe në këto zgjedhje parlamentare, Kosova do të ruajë standardin e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike e të lira.
z. Palmer nga ana e tij konfirmoi se SHBA-të do të vazhdojnë përcjelljen me interesim të lartë zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në implementimin e Marrëveshjes së 4 Shtatorit, specifikisht formalizmin e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
Kjo arritje kulmore për Kosovën, shtetësinë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar po arrihet falë rolit kyç të SHBA-ve, dhe do të hapë një horizont të ri bashkëpunimi ndërkombëtar për Kosovën.