Me njohjen nga Izraeli, Kosova po u kthehet politikave të mëdha
Fati ynë politik është karta amerikane. As nuk kemi e as nuk na ofrohet gjë tjetër në jetën tonë politike. Duhet ta zbatojmë dhe ta shfrytëzojmë mu ashtu siç bëri Izraeli që nga viti 1948.
Nga Pal Shtufi
KOSOVA PO U KTHEHET POLITIKAVE TË MËDHA
Shikuar në aspektin strategjik, në një shtrirjeje të gjatë kohore, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin po shihet si politikë e guximshme ku luhet vetëm me një kartë – me kartën amerikane.
Historia e vuajtjeve dhe fati i shpëtimit biblik të Kosovës kanë një ngjashëmri të pabesueshme me historinë dhe shpëtimin e Izraelit. Së këndejmi, edhe përngjasimi i strategjive kombëtare sot, do duhej parë si rrugë e natyrshme e ndërtimit të këtyre dy shteteve.
HOTI ZBATOI POLITKË TË TRASHËGUAR
Që në kohën e Rugovës e deri tek shpallja e pavarësisë, veprimet politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare kanë qenë të veçanta, të mëdha dhe tepër të guximshme. Prandaj, jo rastësisht me veprimet tona politike është marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Këshilli i Sigurimit dhe qendrat më të fuqishme botërore.
Kryeministri Hoti, duke e kuptuar drejtë këtë strategji veprimi të trashëguar, vitin e kaluar ka zbatuar mu këtë politikë, e cila që nga viti 2017 sikur pati filluar të harrohej nga politikanët tanë. Strategjia politike e Kryeministrit Hoti, rezulatet e te cilës i pamë dje, është mu ajo që na tipizon para gjithë botës dhe pa të cilën ekzistimi i Kosoves si shtet nuk mund të përfytyrohet.
POLITIKAT E MËDHA – ART I MBIJETESËS
Fati ynë politik është karta amerikane. As nuk kemi e as nuk na ofrohet gjë tjetër në jetën tonë politike. Duhet ta zbatojmë dhe ta shfrytëzojmë mu ashtu siç bëri Izraeli që nga viti 1948. Sepse, rendin botëror as nuk e kemi bërë ne e as e kemi ndikuar ne apo Izraeli. I drejtë ose i padrejtë, rendi botëror është ky që është dhe ne nuk na mbetët gjë tjetër pos të notojmë lumenjëve politik që tanimë ekzistojnë. Kjo vlenë për secilën qeveri dhe secilin kryeministër të ardhshëm të Kosovës, i cili duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për politika të mëdha, të vetmet që janë me interes kombëtar dhe e mbajnë lart një vend të vogël mes gllabëruesve të mëdhenj.