Teknologjia dhe turizmi në Kosovë, në shënjestër të investitorëve izraelitë
Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, përveç rëndësisë politike, hap perspektivë për bashkëpunim në rrafshin ekonomik, të tregtisë dhe inovacionit
Nga Nadie Ahmeti
Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, përveç rëndësisë politike, hap perspektivë për bashkëpunim në rrafshin ekonomik, të tregtisë dhe inovacionit, thotë Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane.
Investimet nga Izraeli në Kosovë, shkëmbimet mes këtyre dy shteteve, sipas të dhënave zyrtare, nuk kanë qenë në nivel të lartë, krahasuar me shtetet tjera.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar nga shteti i Izraelit janë importuar produkte në vlerë prej rreth 22 milionë euro, kryesisht derivate të naftës dhe produkte të plastikës, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në këtë shtet ishte minimal, në vlerë prej rreth 85 mijë euro.
Rreth 1.6 milion euro investime nga Izraeli
Kurse gjatë viteve të fundit, në Kosovë investimet e huaja nga Izraeli, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kanë qenë rreth 1.6 milion euro. Nga kjo shumë, rreth një milion euro u investuan në sektorin e patundshmërive, kurse pjesa tjetër është investuar në sektorin e tregtisë. Ndërkaq, në vitin 2020, vlera e remitencave nga Izraeli ishte rreth 170 mijë euro, thuhet në një përgjigje nga BQK-ja dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt në një ceremoni virtuale, në të cilën ish-ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin, ku thuhej se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Zeka: Kosova mund të përfitojë në aspektin ekonomik
Edhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, thotë se njohja reciproke në mes Kosovës dhe Izraelit, përveç rëndësisë politike do të ketë efekte pozitive në aspektin ekonomik, si mundësi për rritje të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare.
Duke ditur të arriturat e shtetit të Izraelit në aspektin teknologjik dhe inovacionit në përgjithësi, Zeka thekson se kjo është mundësi nga e cila mund të përfitojnë organizatat dhe institucionet e Kosovës.
“Ne si Odë Ekonomike Amerikane, duke qenë pjesë e të njëjtit Këshill të odave amerikane, tashmë kemi bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në shtetin e Izraelit dhe shumë shpejtë presim që të kontribuojmë në avancimin ekonomik në mes dy shteteve”, tha Zeka.
Zeka beson se Kosova posedon resurse të mjaftueshme që janë të përshtatshme për investitorët izraelitë.
“Pavarësisht që Kosova nuk ka arritur të materializojë mirë ofertën për investitorët e huaj, Kosova megjithatë ofron elemente të rëndësishme për të bërë biznes dhe tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë. Është fuqia e re punëtore, pozita e saj gjeografike, relieve dhe burimet natyrore të cilat disponon Kosova”, tha Zeka.
“Sektorët që mund të jenë atraktivë për investitorët izraelitë, mund të jetë sektori i përpunimit të ushqimit dhe pse jo duke qenë se Kosova është në një udhëkryq ndërmjet Azisë dhe rajonit të Evropës, është e rëndësishme edhe për sektorë dhe industri të tjera”, shtoi ai.
Investimet e huaja në Kosovë viteve të fundit kanë shënuar rënie. Në vitin 2018 investimet e huaja arritën vlerën prej 213.7 milionë euro, kurse Kosova kishte mbyllur vitin 2019 me 265 milionë euro investime ndërkombëtare.
Me shkurtime nga REL