Kosova hap Ambasadën në Jerusalem, bashkëpunim i fuqishëm dhe reputacion ndërkombëtar
Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael është Ines Demiri.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Komunikatë e Ministrisë së Jashtme të Kosovës