Poezi nga poetja izraelite Tal Nitzan – Shqipëruar nga Gladiola Jorbus
Poete izraelite, përkthyese, prozatore, botuese, shkrimtare për fëmijë. E afirmuar ndërkombëtarisht ka publikuar gjashtë vëllime poetike. Poezia e saj është e përkthyer në shumë gjuhë të botës ndërsa vet ka përkthyer në hebraisht mbi 70 vepra letraro-artistike. Nitzán është fituese e një sërë çmimesh poetike prestigjoze.
Poete izraelite, përkthyese, prozatore, botuese, shkrimtare për fëmijë. E afirmuar ndërkombëtarisht ka publikuar gjashtë vëllime poetike. Poezia e saj është e përkthyer në shumë gjuhë të botës ndërsa vet ka përkthyer në hebraisht mbi 70 vepra letraro-artistike. Nitzán është fituese e një sërë çmimesh poetike prestigjoze.
Poezi nga Tal Nitzan
Përktheu Gladiola Jorbus
—
Kufijtë e qytetit
Kufijtë e qytetit të nxjerrin në një rrugë
dhe në fund të rrugës ka një pyll
dhe në buzë të pyllit ka një gardh
dhe pas gardhit është një kasolle.
Nëse vajza do të jetonte në kasollen
që është pas gardhit
në buzë të pyllit
në fund të rrugës
që largohet nga kufijtë e qytetit
a do të ndihej edhe më e vetmuar?
Dhoma numër 10
Natën e parë nuk fjeta sepse s’ mund të mbrohet
një njeri i shtrirë në kurriz.
Natën e dytë nuk fjeta sepse ajri mbetej pa ajër
teksa vinte tek unë.
Natën e tretë nuk fjeta sepse të gjithë qentë e fshatit
pretendonin me këmbëngulje diçka.
Natën e katërt nuk fjeta sepse dikush tjetër gjeti brenda një
këmbane të rëndë atë ëndërr që gjithmonë e dëshirova për veten time.
Natën e pestë nuk fjeta
sepse të gjashtë engjëjt e brishtë që pashë në kishë
gumëzhinin në dhomë të uritur për gjakun tim.
Natën e gjashtë nuk fjeta sepse qeni me këmbën e thyer qëndronte
në rrugë, ai vazhdonte të rrinte atje si një sinjal
me putrën të varur në ajër dhe sytë të ngulur mbi mua.
Natën e shtatë nuk fjeta sepse qielli u bë i gjelbër si një
shishe.
Natën e tetë nuk fjeta sepse një fëmijë u rrëzua në gjunjë dhe
ai nuk bërtiti apo bërtiti, por nuk e dëgjoi askush.
Natën e nëntë nuk fjeta sepse më mungonte kolltuku i rehatshëm Matisse i veshur me kadife të kuqe, por nuk më interesonte dhe ndjenja ulur për një kohë të gjatë duke soditur perdet që valëzonin në fllad dhe asgjë nuk ndodhi dhe për mua nuk kish rëndësi dhe s’kisha një ombrellë të fortë nga ato që nuk përkulen nga asnjë erë dhe nuk më interesoi dhe dikush i shtrembëroi fjalët e mia në duart e veta një nga një dhe mua nuk më interesoi dhe nuk e dija, nuk dija se kur në këtë jetë timen
do të dëgjoja sërish ëmbëlsinë e asaj muzike para se të vdisja si të gjithë të tjerët dhe kjo më interesonte.
Pika e butësisë
… në kohën kur
duke u dridhur nga butësia
buzët që do të donin të puthnin
i thurnin lutje atij guri të thyer.
T.S. Eliot (*)
Këtu është butësia.
Edhe nëse zemra, në heshtjen e saj,
e ka gëlltitur qytetin si një gur;
duhet ta dini: kjo është pika e butësisë.
Më jep dorën tënde në botë.
Kam parë një nënë që i flet me urrejtje të birit,
që shkatërron me fjalë.
Kam parë një ndërtesë të përthyhet e të kthehet në pluhur,
ngadalë, njëri kat pas tjetrit.
sa mëshirë duhet të kemi,
sa për të sjellë paqe.
Kur mbyllet nata
mbi një qafë që nuk është puthur
nuk ka ilaç:
gjithçka përmbytet,
në çdo fyt,
ekziston një kurë e vetme.
Shikoni, thjesht, kjo është pika.
* Epigrafi: “… në kohën kur / duke u dridhur nga butësia / buzët ata do të donin t’i puthnin / i thurnin lutje atij guri të thyer”. T. S. Elliot (nga poezia: “Njerëzit e zbrazët”, përkthimi: Tal Nitzan)
Tal Nitzán (Bio)
Ka lindur në Jaffa më 1961. Ajo mban një Bachelor në “Histori & Studime Hispanike” dhe një Master për “Letërsi” prej Universitetit Hebraik të Jeruzalemit. Poete izraelite, përkthyese, prozatore, botuese, shkrimtare për fëmijë. Si një poete e afirmuar ndërkombtarisht ka publikuar gjashtë vëllime poetike ku spikasin tituj si: “Domestica” (2002), “Një mbrëmje e zakonshme” (2006), “Caffe Soleil Blue” (2007), Atlantis (2019), etj. Poezia e saj është e përkthyer në shumë gjuhë të botës ndërsa vet ka përkthyer në hebraisht mbi 70 vepra letraro-artistike. Këtu përfshihen disa antologji poetike dhe autorët në poezi e prozë të Letërsisë Hispanike si: Neruda, Borges, Cortazar, Sabato, Llosa, Marquez, Fuentes, Quiroga, Lorca, Machado, Paz, Cervantes, Vallejo, Pizarnik, etj. Nitzán është fituese e një sërë çmimesh poetike prestigjoze si: “Çmimi Harry Hershon për Letërsinë i Universitetit Hebraik të Jeruzalemit” (1985), “Çmimi për Përkthimin i Ministrisë së Kulturës së Izraelit”(1995, 2005), “Medalja Presidenciale e Kilit për përkthimin e Pablo Nerudës”(2004),“Çmimi i Kryeministrit të Izraelit për Letërsinë”(2009),“Çmimi Tchernikovsky”, etj. Aktualisht jeton në Tel Aviv, Izrael.