Biden mbështet Izraelin, Netanyahu: Është vetëm fillimi i sulmeve kundër Hamas
Presidenti amerikan Joe Biden ka përkrahur Izraelin, në thirrjen e parë telefonike me kryeministrin e këtij shteti Benjamin Netanyahu prej kur ka shpërthyer konflikti, duke dënuar sulmet me raketa nga Gaza.
Hamasi ka nisur qindra raketa në Tel Aviv dhe pjesë të tjera të Izraelit më 13 maj, ndërsa Izraeli është zotuar se do të nisë sulme ajrore drejt Gazas, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ulje të tensioneve.
Presidenti amerikan Joe Biden ka përkrahur Izraelin, në thirrjen e parë telefonike me kryeministrin e këtij shteti Benjamin Netanyahu prej kur ka shpërthyer konflikti, duke dënuar sulmet me raketa dhe duke deklaruar “mbështetje të palëkundshme për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën legjitime për ta mbrojtur veten”, ka thënë Shtëpia e Bardhë më 12 maj.
Uashingtoni ka thënë se do të nisë një të dërguar të posaçëm në Lindje të Mesme, me qëllim të uljes së tensioneve në mes të Izraelit dhe palestinezëve.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po ashtu ka folur me presidentin e Autoritetit palestinez Mahmoud Abbas, një rival i Hamasit në Bregun e pushtuar Perëndimor.
“Pritjet e mia dhe shpresa janë që kjo do të mbyllet herët a vonë, mirëpo Izraeli ka thënë të drejtë të mbrojë veten”, ka thënë Biden pasi ka folur me Netanyahun.
Nuk është bërë e qartë pse Biden beson se dhuna mund të përfundojë shpejt.
Netanyahu ka dhënë shenja se Izraeli nuk synon të ngutet për të arritur armëpushim.
Më herët Netanyahu ka thënë se sulmet e Izraelit ndaj Hamasit dhe militantëve tjerë palestinezë në Gaza “janë vetëm fillimi”.
Hamasi po ashtu ka treguar gatishmëri për të vazhduar luftimet, pasi shefi i tij politik Ismail Haniyeh ka thënë se “përballja me armikun është e pafund”.
Të paktën 56 palestinezë janë vrarë në Gaza prej shpërthimit të dhunës më 10 maj, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së kësaj enklave.
Aty përfshihen 14 fëmijë palestinezë të përfshirë në konflikt.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, shtatë persona janë vrarë në Izrael.
Tensionet në mes të dyja palëve janë rritur për shkak të dëbimit eventual të familjeve palestineze nga Jerusalemi Lindor, ashtu që aty të kthehen hebrenjtë./Rel