Enver Robelli: Kosova dhe Izraeli, Serbia dhe Palestina
Analiza e gazetarit të njohur nga Kosova, Enver Robelli, mbi marrëdhëniet Serbi- Palestinës dhe optikën e Izraelit mbi Kosovën
Nga Enver Robelli
Derisa diplomatët palestinezë, të cilët kryesisht i përkasin lëvizjes së korruptuar Fatah të Mahmud Abazit, verbërisht ia mohojnë lirinë dhe mëvetësinë Kosovës, solidariteti në Kosovë me popullin palestinez nuk do të jetë i madh. Kjo s’domethënë që palestinezët s’kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre. Përkundrazi.
Që gjatë konflikteve në Ballkan në vitet 90-të liderët palestinezë kanë mbajtur qëndrim skandaloz. Solidariteti me myslimanët e Bosnjës nga ana e zyrtarëve palestinezë pothuaj nuk ka ekzistuar.
Në fund të vitit 1999, kur Serbia pas sulmeve të NATO-s ishte e izoluar dhe Sllobodan Millosheviqi i akuzuar për krime të luftës ndaj shqiptarëve, lideri palestinez Jaser Arafat e ftoi Millosheviqin për të kremtuar Krishtlindjet ortodokse në Bethlehem në Bregen Perëndimor.
Kjo ishte njëra prej ideve më të poshtra e më cinike të Arafatit. Millosheviqi nuk shkoi në Bethlehem pasi Izraeli u kërcënua se do ta arrestonte dhe dorëzonte në Tribunalin e Hagës nëse kalon në kufijtë e Izraelit. Problemi i Arafatit ishte se e ngatërronte Millosheviqin me Josip Broz Titon, i cili e ka përkrahur çështjen palestineze në një kohë tjetër dhe në rrethana të tjera, shto kësaj faktin që Tito gëzonte prestigj të madh në Perëndim dhe në botën arabe.
Lideri palestinez Mahmud Abaz ka vizituar Beogradin dhe ka përkrahur qëndrimet serbe për mosnjohjen e Kosovës.
Në bisedimet e Camp Davidit në SHBA në vitin 2000, Abaz ishte kundërshtar i ofertës izraelite për një shtet palestinez. Në fillim të viteve 80-të Abaz doktoroi në Moskë. Në disertacionin e tij ai mohon gjenocidin nazist ndaj hebrenjve. Më vonë Abaz është përpjekur të distancohet nga punimi i tij.
Por marrëzia nuk kufizohet vetëm te politikanët palestinezë. Arial Sharoni, kryeministri i mëvonshëm i Izraelit dhe më 1999 ministër i Jashtëm, e pati quajtur ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë “intervencionizëm brutal” që mund ta shndërrojë Kosovën në vatër të fundamentaliatëve islamikë.
Me këto qëndrime Sharon e kishte acaruar ministren e Jashtme amerikane Madeleine Albright. Kryeminisri izraelit Benjanim Netanjahu ishte distancuar më 1999 nga qëndrimet e Sharonit.
/Marrë nga postimi në Facebook i Enver Robellit