“Diplomacia e qetë” dhe efikase e Joe Biden në konfliktin Izrael-Hamas

Armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hamasit për çështjen e Gazës vazhdon të qëndrojë, ktheu vëmendjen tek përqasja e Presidentit amerikan Joe Biden ndaj sfidave ndërkombëtare.


Nga Michelle Quinn – VOA

Armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hamasit për çështjen e Gazës vazhdon të qëndrojë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, konflikti ndërkaq ktheu vëmendjen tek përqasja e Presidentit amerikan Joe Biden ndaj sfidave ndërkombëtare.

Armëpushimi shënoi krizën e parë madhore të politikës së jashtme për Presidentin amerikan Joe Biden dhe nxorri në pah përqasjen e tij në menaxhimin e pikave të nxehta të globit. Gjatë 11 ditëve të luftimeve, Presidenti Biden mbështeti Izraelin publikisht, por punoi pa bujë me negociatorët egjiptianë dhe Izraelin për dhënien fund të përplasjeve.

“Arritëm në këtë rezultat falë fokusit të palodhur të Presidentit Biden tek diplomacia e qetë, dhe mendoj efikase, për arritjen e një armëpushimi dhe ndalimin e dhunës brenda 11 ditëve”, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Përpjekjet e Presidenti Biden po zhvilloheshin ndërsa fushata ajrore dhe e artilerisë izraelite la 248 të vdekur në Gaza, e cila kontrollohet nga grupi militant Hamas dhe është pjesë e territorit palestinez. Mbi 4 mijë raketa të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit vranë 13 persona.

Ndaj Presidentit Biden po ushtrojnë trysni anëtarët e krahut progresist të Partisë Demokrate, të cilët duan që administrata të mbajë një vijë më të ashpër ndaj Izraelit dhe të bëjë më shumë në mbështetje të palestinezëve. Ata janë të shqetësuar për shitjen e armëve të Shteteve të Bashkuara për Izraelin, në veçanti një dërgesë me vlerë 735 milionë dollarë.

Sekretari Blinken, i cili do të shkojë në Lindjen e Mesme këtë javë, thotë se Presidenti Biden mbështet pajisjen e Izraelit me mjetet për t’u vetëmbrojtur, por se Kongresi ka rol të rëndësishëm për çështjen e tregtisë së armëve.

“Të gjitha shitjet e armëve do të bëhen në konsultim të ngushtë me Kongresin; jemi të angazhuar për këtë. Gjithashtu duam të sigurohemi se procesi do të zhvillohet në mënyrë efikase”, tha Sekretari Blinken.

Republikanët vënë në dukje rolin në Gaza të Hamasit, një organizatë e financuar nga Irani. Ata kanë shprehur gjithashtu shqetësimin se administrata Biden do të heqë sanksionet ndaj Iranit si pjesë e përpjekjes për ta bindur Teheranin t’i rikthehet zbatimit të marrëveshjes bërthamore të 2015-tës. Marrëveshja synonte uljen e programit bërthamor që Irani thotë se ka qëllime paqësore. Sekretari Blinken i tha kanalit CNN se një rikthim tek marrëveshja bërthamore do të ndihmonte për të trajtuar në vazhdim çështjen e mbështetjes së Iranit ndaj terrorizmit.

“Kjo është arsyeja kryesore përse nuk do të doja t’i hiqnim sanksionet Iranit, për sa kohë që Irani mbetet mbështetësi kryesor i terrorizmit në botë”, tha Senatorja republikane Susan Collins.

Në vitin 2018, ish-Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja dhe vendosi sanksione të reja ndaj Teheranit. Ai tha se marrëveshja nuk bëri mjaftueshëm për të ndalur sjelljen e debatueshme të Iranit. Një vit më vonë, Irani filloi të tejkalojë limitet e aktivitetit bërthamor të përcaktuara në marrëveshje.

Presidenti Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me OKB-në për t’i ofruar Gazës ndihma humanitare dhe për të ndihmuar me rindërtimin./VOA/

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit