Iris Matathia: Shqipëria dhe Izraeli janë dy dashuritë e mia të përjetshme!

Iris Matathia: Origjina ime është një përzierje e bukur dhe e veçantë, shqiptare dhe hebreje, si dhe jam edhe izraelite


Nga Lisana Subashi

Iris Matathia jeton dhe punon në Izrael. Ajo ka lindur në Berat, ndërsa për 10 vite jeta e saj ishte në Tiranë. Për herë të parë shkeli tokën israelite në vitin 1991, pra 30 vite më parë, kohë kur familja e saj u zhvendos dhe u riatdhesua në Israel.

Irisi punon aktualisht në Izrael në institutin e statistikave, duke u marrë me projektin e regjistrimit të popullsisë dhe me departamentin e arsimit, sikurse është dhe anëtare e komunitetit shqiptaro-hebre në Israel.

“Origjina ime është një përzierje e bukur dhe e veçantë besoj. Unë jam shqiptare, sepse vendlindja ime është Shqipëria, jam hebre dhe jam edhe Israelite, sepse jetoj në Israel dhe tashmë këtu është shtëpia ime”, tregon ndër të tjera për një intervistë në “Diaspora Shqiptare” Iris Matathia.

Iris ju keni lindur në Berat dhe në vitin 1991, kur ishit 15-vjeç jeni larguar në Izrael, duke ndjekur rrënjët e të parëve tuaj. Si e kujtoni atë periudhë?

Në Shqipëri u linda dhe jetova 15 vite nga jeta ime. Në Mars të këtij viti u mbushën 30 vjet që jetojmë në Izrael.

Është e vërtetë. Vendlindja ime është Berati, por në këtë qytet të bukur, të veçantë dhe plot histori jetova vetëm 4 vjet nga jeta ime. Babi im, Dr. Zino Matathia është lindur në Vlorë, por pasi përfundoi studimet e mjekësisë u emërua mjek kirurg në spitalin e Beratit. Në sallën e operacionit u njoh me nënën time dhe unë dhe vëllai lindëm në Berat. Në vitin 1980 babi u transferua në Tiranë. Nga ai vit dhe për dhjetë vjet (deri në momentin kur u larguam për në Izrael) jetuam në Tiranë.

Mund të them se naiviteti i fëmijërisë dhe fillimi i moshës së adoleshencës më ka lënë kujtime të bukura nga jeta në Shqipëri megjithëse në një regjim komunist.

Jetën time në Shqipëri dhe në veçanti në Tiranë e kujtoi me shumë nostalgji edhe sot që kanë kaluar 30 vjet dhe jam një person i rritur. Në Israel kam jetuar dyfishin e jetës që kam jetuar në Shqipëri, por gjithesesi është ajo kohë që nuk mund ta harroj dhe e kujtoj me nostalgji.

 

Kujtoj me nostalgji shtëpinë ku kam jetuar, rrugen Qemal Stafa, shkollën Fan Noli ku u shkollova tetë vite nga jeta ime, shokët e klasës, shokët e lagjes, lojrat e ndryshme.

Mund të duket çudi, por kujtoj me nostalgji  furrën e pjekjes, edhe rradhët për bukë, për vajgur për bulmetra. Kujtoj me nostalgji edhe kopshtin tim (ndërtesa sot është restorant peshku) te Pazari i ri. Sa herë vizitoj Tiranën eci me shumë emocion dhe nostalgji në rruget e fëmijërisë time.

Viti 1990 ishte një vit i vështirë në shumë aspekte. Nuk mund të kuptoja në atë kohë deri në fund çfarë po ndodhte, por gjithësesi ndihej që diçka po ndryshonte.

Pas rënies së murit të Berlinit, shpërbërja e sistemit komunist dhe situata në Shqipëri na mundësuan që të bënim riatdhesim në Israel.

Do doja të përmendja që në Israel ka një ligj që mundëson riatdhesimin e hebrenjve deri në katër breza në Israel. Vendimi për mundësinë e imigrimit në Izrael për komunitetin hebre u mor diku nga Shtatori i vitit 1990, por përgatitja e dokumentave dhe lufta e Gjirit e shtyu zhvendosjen për disa kohë. Më në fund kur gjithçka ishte gati, në 6 Mars 1991 u larguam për të jetuar përgjithmonë në Israel. Pas 4 ditësh në Romë në datën 10 mars 1991 mbëritem në Israel. Siç e përmenda dhe më parë, para tre muajsh shënuam plot 30 vite në Izrael. Mbërritjen në Israel dhe rrugëtimin deri në Karmiel e mbaj mend të fresket sikur ka ndodhur dje.

Ardhja në Izrael ishte një epokë e re në jetën tonë. Vështirësitë që kaluan secili nga ne mund të them janë të njëjta me vështirësitë që kalon çdo emigrant në çdo vend të botës. Gjithsesi, siç e përmenda më parë, në sajë të ligjit për mbledhjen e hebrenjve nga bota patëm dhe shumë lehtësira në muajt e parë, vitet e para, lidhur me strehimin, ndihma financiare, mësimin e gjuhës, ambientimi me vendasit, me kulturen e vendit e të tjera. Faktikisht ne morëm shtetësinë Israelite që në momentin që shkelëm tokën e Israelit dhe kjo në vetvete është një lehtësim nga barra që mbart çdo emigrant.

Prinderit e Iris Matathia

 

Na flisni pak për historikun e familjes suaj dhe origjinën?

Origjina ime është një përzierje e bukur dhe e veçantë besoj. Unë jam shqiptare sepse vendlindja ime është Shqipëria, jam hebre dhe jam edhe Israelite, sepse jetoj në Israel dhe tashmë këtu është shtëpia ime. Vendlindja e gjyshes time (nëna e babit) u lind në Selanik kështu që besoj se kam dhe pak rrënjë greke.

Hebre jam nga babi. Babi i babit dhe stërgjyshi u lindën në Shqipëri dhe kanë jetuar në Vlorë. Edhe ata me rrënjë greke dhe familje në Greqi. Nëna e babit ( e permenda pak më parë) ishte pjesë e komunitetit hebre në Selanik, nga nëna Levi dhe nga babai Cohen. Në Shqipëri erdhi pasi u martua me gjyshin tim në vitin 1938. Në kohën e luftes edhe i ati dhe vëllai erdhën për një farë kohe në Shqipëri. Pas luftës në vitin 1948-49, pati një dritare mundësie për të lëvizur nga Shqipëria, po gjyshja ishte me shtatzënë dhe nuk pati mundësi të largohej së bashku me gjyshin dhe babin tim. Gjyshja ime nuk pati mundësi ta takonte më babain e vet sërish. Diku nga viti 1986, 87 (nuk e mbaj mend saktësisht) ju mundësua ta takonte gjatë një vizite në Greqi vëllain që në atë kohë  jetonte në Israel. Për fat të mirë gjyshja pati fatin të takohet sërish me të vëllanë me famijen e tij kur erdhëm në Izrael në vitin 1991.

Për historinë e mbiemrit të familjes tonë Matathia do doja të citoja disa nga fjalët e babait tim në  një shkrim nga Shpend Sollaku Noé.

Nuk flas për prezencën e hebrenjve para se në Vlorë të vinin familjet tona, më thotë. Historia shqiptare ka shumë boshllëqe në këtë drejtim. Ka patur një diasporë hebrenjsh në Shqipëri shumë më parë sesa stërgjyshërit e mi të vendoseshin në këtë qytet rreth 1800-ës, vijon doktori e më flet për …romanjotët – jahudinj të Perandorisë Romake, prej të cilëve rrjedh edhe mbiemri Matathia. Saktësia e pemës gjenealogjike arrin deri tek paraardhësi Flavius Josephus, që kish lindur në Jeruzalem, në vitin 37 dhe që vdiq në vitin 100, që ka qenë shkrimtar, historian dhe ushtarak në shërbim të Romës. Ky personazh kompleks me emër romak ishte pasardhësi direkt i fisit Matathia, pasi emri i tij hebre ishte Josef Ben Matatiau.

E Matathiat, si u gjendën në Vlorë? E nxis doktorin të flasë.

Të parët tanë arritën në Vlorë, siç e përmenda më parë, rreth 1800-ës, duke u shkëputur prej të tjerëve hebrenj të Vilajetit të Janinës, ku ish ngulur prej kohësh një grup i rëndësishëm romanjotësh. Ata ishin dy vëllezërit Isak dhe Josef Matathia. Të tjerët mbetën në Greqi. Nga këta dy vëllezër rrjedhin të gjithë pasardhësit e familjes Matathia që u bënë shqiptarë. Duke analizuar pastaj prejardhjen e kësaj familjeje, dalin të qarta lidhjet me familjet hebrenje të Jakoelëve, të Levëve, të Jomtovëve apo edhe të tjerësh mbiemra të grupit të mësipërm të romanjotëve. Stërgyshi im ka qenë Isak Avram Matathia dhe e ka varrin në Tragjas të Vlorës. Kam me vete edhe një foto të një varri, që ma dërgoi pak ditë më parë në Izrael profesori Shaban Sinani. Shumë mendojnë se ky është vendvarrimi i stërrgjyshit tim, ka edhe që vënë në diskutim këtë, fjala e fundit akoma nuk është thënë. …. “

Vazhdoni të keni kontakte me Shqipërinë?

Në fakt lidhja me Shqipërinë nuk mund të ndërpritet asnjëherë. Kontaktet me Shqipërinë i mbajmë në shumë drejtime: ndjekja e mediave shqiptare për zhvillimet në Shqipëri, kontakte me Ambasaden e Shqipërisë në Israel, kontakte me shqiptar që vizitojnë Israelin për arsye të ndryshme (turizëm, arsye mjekësore, student) .

Si dhe shumë familje të tjera nga komuniteti shqiptaro-hebre në Israel edhe unë kam një pjesë të familjes time  nga ana e nënës në Shqipëri: dy teze dhe dajën (familja e nënës time përbëhej nga 5 fëmijë, 4 vajza dhe një djalë. Për fat të keq tezja ime e madhe që jetonte në Korçë ndërroi jetë para 9 vitesh). Ne jemi 13 kushurinj të parë dhe ashtu si shumë familje të tjera shqiptare jeta na ka shpërndarë në shumë vende të botës: një jeton në Amerikë, një në Londër, një në Greqi, unë dhe vëllai në Israel dhe 8 në Shqipëri.

Për fat të mirë përveç familjes kam shumë miq, shok e të njohur në Shqipëri, miq të shumtë që i kam njohur gjatë vizitave të mia të shpeshta në Shqipëri. Edhe mediat sociale e lehtësojnë mbajtjen e kontakteve me miqtë dhe familjen.

Para shumë vitesh i kam vënë si qëllim vetes që të paktën një herë në vit duhet të vizitoj Shqipërinë. Deri para pandemisë e kam mbajtur premtimin. Këto kohë mezi po pres rastin që ta vizitoj sërish.

I tregoni miqve tuaj historinë e Beratit?

Gjithmonë tregoj që vendlindje ime është Berati. Edhe kur pyesin në forume të ndryshme për vendet turistike të Shqipërisë një nga destinacionet kryesore sigurisht që është Berati. Gjithashtu, edhe në grupet turistike të organizuara  që dalin nga Israeli një nga vendndalimet kryesore është Berati. Gjithashtu Berati dhe Karmieli (qyteti ku jetojmë në veri te Izraelit , 40 km larg nga Haifa dhe 40 km larg nga kufiri me Libanin) para disa vitesh nënshkruan një marrëveshje për t’u bërë qytete si-motra.

Babai juaj luan një rol të rëndësishëm në bashkëpunimet mes dy vendeve apo jo?

Marrëdhëniet mes Israelit dhe Shqipërisë kanë nisur që në vitin 1991. Sigurisht që vitet e fundit këto marrëdhënie janë fuqizuar edhe më shumë në fusha të ndryshme: bujqësi, turizëm, teknologji e lartë, fushën e sigurisë etj. Në bashkëpunimet mes dy shteteve janë të përfshirë shumë shqiptar-hebre që jetojnë në Izrael. Im at, e them me krenari , është një person shumë i veçantë dhe për fat meritat e tij dhe kontributi i tij janë njohur si në Shqipëri ashtu dhe në Izrael. Është qytetar nderi i qytetit të Beratit për kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në Spitalin e Beratit. Gjithashtu Qytetar i vyer edhe i qytetit të Karmielit (ku jetojmë).

A keni kontakte me shqiptarë të tjerë në Izrael? 

Sigurisht. Përveç komunitetit shqiptaro-hebre shpesh na rastis të takohemi edhe me shqiptar që ndodhen në Israel për arsye të ndryshme: shqiptar të martuar me partner Israelit që kanë njohur në vende të ndryshme të botës, turistë, studentë.

Komuniteti shqiptaro-hebre është shumë i lidhur. Sot komuniteti përbëhet nga rreth 660 anëtare, gjysma e të cilëve janë lindur në Israel përgjatë 30 viteve që ne jetojmë këtu. Edhe pse jemi të shpërndarë në gjithë Israelin gëzimet dhe ndonjëherë edhe hidhërimet na bëjnë bashkë.

Për çfarë keni studiuar dhe me çfarë merreni në Izrael?

Formimi im profesional në fakt ka filluar që në shkollë të mesme ku mora njohuritë e para në administrim dhe kontabilitet. Pasi mbarova shërbimin ushtarak që zgjati 21 muaj (në Izrael shërbimi  ushtarak është i detyruar për djem dhe vajza në moshën 18 vjeç e sipër) u regjistrova në shkollë të lartë. Në vitin 2001 përfundova studimet që zgjatën 3 vjet dhe diploma që mora është  B.A në shkencat shoqërore (shkenca politike dhe arsim).

Eksperica ime e punës filloi në fund të vitit të parë të shkollës se larte. Do përmend vetëm që eksperienca ime përfshin shërbim ndaj klientit si frontal ashtu edhe në telefon (call center që jepte shërbim për dhënien e radhëve për mjekët profesional për kompaninë më të madhe ndër  katër kompani që japin shërbim mjekësor për popullsinë në Israel).

Këto 14 vitet e fundit jetoj mes Jerusalemit ku punoj dhe Karmielit ku jetojnë prindërit dhe vëllai me familje. Punoj në Byrone qendrore të Statistikave të Israelit në Jerusalem.

7 vitet e para punova në departamentin e Demografisë dhe Regjistrimit të popullsisë për Projektin e regjistrimit të popullsisë që u krye në Israel në vitin 2008. Këto 7 vitet e fundit punoj në Departamentin e Arsimit dhe merrem kryesisht me publikimin e të dhënave për nxënësit e shkollave dhe sistemin shkollor të detyruar nën mbikqyrjen e Ministrisë së arsimit. Përveç publikimit të të dhënave në faqen e internetit të ICBS, si pjesë e OECD (Organizata e vendeve të zhvilluara. Israeli u bë pjese me të gjitha të drejtat në vitin 2010)  japim të dhëna mbi sistemin e arsimit në Israel edhe partnerëve tanë ndërkombëtar. Gjithashtu të dhëna ju japim të gjithë atyre që i kërkojnë, në veçanti insitucione shtetërore, private, qendra kërkimore, universitete, si dhe për studime të ndryshme mbi mënyrën e jetesës në Israel dhe karakteristika të ndryshme nga jeta për individ dhe familje.

Do ju pëlqente të jetonit ose punonit në Shqipëri?

Të ndaja jetën time mes Shqipërisë dhe Israelit është një ëndërr që e kam që në moshën 18 vjeçare. Ëndrra ime e hershme ishte të punoja në Ambasadën e Israelit në Shqipëri. Para 5 viteve kjo ëndërr për pak u bë realitet, po për shumë arsye nuk u realizua. Jam optimiste që do vij një ditë që ëndrra do bëhet realitet në një mënyrë ose tjetër./ Diasporashqiptare.al/

 

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit