Diplomatët izraelitë: Faqja “Izraeli në Kosovë” në Facebook është false, gati padia
Një grup ekspertësh të “dipomacisë digitale izraelite” kanë mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm dhe janë duke përgatitur një padi ndërkombëtare ndaj drejtuesve të saj.
Prej më shumë se dy vjetësh (20 shkurt 2019) operon në rrjetin social Facebook një faqe me emrin “Izraeli në Kosovë”, e cila menaxhohet nga persona anonimë dhe me qëllime keqdashëse, për të prishur dhe dëmtuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Izraelit dhe Kosovës.
Burime diplomatike nga Izraeli i thanë gazetës “Izraeli Sot” se ata nuk kanë asnjë lidhje me faqen “Izraeli në Kosovë”, dhe së një grup ekspertësh të “dipomacisë digitale izraelite” kanë mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm dhe janë duke përgatitur një padi penale ndërkombëtare ndaj drejtuesve të saj, të cilën do t’ia referojnë edhe organeve relevante në Kosovë, përfshirë Ministrinë Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme në Kosovë.
E ashtuquajtura faqe “Izraeli në Kosovë” ka kryer sulme mediatike të vazhdueshme me synimin dëmtimin e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet me Shtetin e Izraelit.
Sipas burimit diplomatik nga Izraeli, me kompletimin e dosjes voluminoze të konsultuar edhe më një nga studiot ligjore izraelite me të njohura në arenën ndërkombëtare, jo vetëm do të kërkohet mbyllja e faqes “Izraeli në Kosovë”, por edhe dëmshpërblime financiare në shumë të konsiderueshme, për akte të qëllimshme me synimin prishjen e marrëdhënieve midis dy shteteve.