G7: Irani qëndron prapa sulmit ndaj cisternës së naftës me pronar izraelit
Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara (G7) më 6 gusht dënoi sulmin ndaj një cisterne të naftës, që ndodhi javën e kaluar, duke thënë se të gjitha dëshmitë thonë se Irani qëndron pas incidentit.
Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara (G7) më 6 gusht dënoi sulmin ndaj një cisterne të naftës, që ndodhi javën e kaluar, duke thënë se të gjitha dëshmitë thonë se Irani qëndron pas incidentit.
Më 29 korrik, në sulmin ndaj cisternës së naftës Mercer Street u vranë një britanik dhe një rumun. “Ne dënojmë sulmin e paligjshëm të kryer ndaj kësaj anijeje tregtare”, thanë përmes një deklarate të përbashkët ministrat e Jashtëm të Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky ishte një sulm i qëllimshëm dhe qartësisht shkelje e ligjit ndërkombëtar. Të gjitha të dhënat qartësisht thonë se Irani qëndron prapa këtij sulmi. Nuk ka asnjë justifikim për këtë sulm”, u tha në deklaratë. Cisterna e naftës që u sulmua, menaxhohet nga një firmë që është në pronësi të një miliarderi nga Izraeli. Më herët Shtetet e Bashkuara dhe Britania po ashtu kanë fajësuar Teheranin për sulmin, por ky i fundit ka mohuar të gjitha akuzat.
G7 po ashtu tha se “sjellja e Iranit, së bashku me mbështetjen që u ofron fraksioneve të armatosura, kërcënojnë sigurinë dhe paqen ndërkombëtare”.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë të gjitha aktivitetet që bien ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të kenë rol konstruktiv në arritjen e stabilitetit dhe paqes rajonale”, u tha në deklaratë. Tensionet në Gjirin Persik janë rritur që prej se SHBA-ja rivendosi sanksionet ndaj Iranit më 2018, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.