Kursi i Sigurisë Kibernetike te “Luarasi”, Zv.rektorja: Bashkëpunim me kompaninë më të mirë izraelite!
Zëvendësrektorja e Universitetit “Luarasi”, Prof. Asociuar. Dr. Ani Dasho Sharko, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për kursin e sigurisë kibernetike, që nis për herë të parë tetorin e këtij viti në Universitetin “Luarasi”.
Zëvendësrektorja e Universitetit “Luarasi”, Prof. Asociuar. Dr. Ani Dasho Sharko, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për kursin e sigurisë kibernetike, që nis për herë të parë tetorin e këtij viti në Universitetin “Luarasi”.
Zv.rektorja zbardhi detaje të reja nga ky kurs, që sipas saj, zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë më të mirë izraelite të sigurisë kibernetike, duke thënë se gati 90% e lektorëve të këtij kursi do të jenë izraelitë. Sipas saj, kursi do të ketë gjithsej 100 orë, do të zhvillohet online dhe do të jetë i gjithi në anglisht.
“Është kënaqësi ta fillojmë si ‘Luarasi’ me Akademinë e Sigurisë Kibernetike, që ka prej një vit negociata, diskutime dhe punë të të dy palëve, të dy ekipeve, Luarasit dhe kompanisë më të mirë izraelite në fushën e sigurisë kibernetike. Kemi punuar fort për të sjellë më të mirën për Shqipërinë, jo vetëm për studentët e ‘Luarasit’, por për Shqipërinë dhe vendet e rajonit te Ballkanit Perëndimor. Interesi për këtë kurs ka qenë përtej pritshmërive, dhe jo vetëm nga studentët tanë, por edhe nga studentët e universiteteve të tjera private e publike në Shqipëri.
Kemi pasur bashkëpunime edhe me universitetet në Kosovë, të cilët kanë një kërkesë të studentëve atje, të studentëve nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina. Kursi është i gjithi online, në anglisht, lektorët përkatës janë izraelitë. Gati 90% e tyre, në raundin e parë do të jenë të gjithë izraelitë. Kursi është gjithsej 100 orë, do të jetë dy herë në javë. Kemi parashikuar që kursi të zhvillohet në pjesën e dytë të ditës, pasi shumica e studentëve janë në punë. Pas raundit të parë, po përgatitemi për disa kurse të tjera, që janë të nevojshëm për të gjithë sistemin bankar. Ky është i pari, por jo i fundit. Kemi disa në pritje, për t’u lançuar nga janari i vitit që vjen”, tha ajo.
E pyetur se çfarë përfitimesh do të kenë studentët nga ky kurs, numri dy i Universitetit Luarasi deklaroi: “Gati 100% vend pune, pas kursit, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Këta studentë marrin certifikatë ndërkombëtare brenda Luarasit. Izraelitët vijnë me vizionin për të bashkëpunuar me Luarasin dhe për ta zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej. Ata kanë ekspertizë në disa vende të Evropës”.