
Muzeu Hebraik i Vlorës, nis ngritja e fondacionit, Granoff: Hebrenjtë, histori që bën shqiptarët krenarë
Muzeu Hebraik do të ndërtohet në Vlorë, pranë lagjes Muradie.

Historia tregon se në kohët më të errëta, në kohët kur kishte pak shpresë për njerëzimin, shqiptarët ndihmuan që të ruhej bota. Me këto fjalë, zgjodhi ta shprehte rëndësinë e muzeut hebre shqiptar, Michael Granoff, kreu i bordit të Fondit Shqiptaro -amerikan të Zhvillimit. I pranishëm në Ministrisë e Kulturës për firmosjen e marrëveshjes për ngritjen e fondacionit të menaxhimit të Muzeut Hebraik në Vlorë, ai theksoi për të njohur historinë.
“Mendoj se një nga qëllimet e këtij muzeu hebraik nuk është vetëm të jetë një vend ku njerëz nga jashtë Shqipërisë mund të vijnë për të mësuar për historinë e saj por është edhe një vend ku shqiptarët mund të mësojnë historinë e tyre. Një pjesë e rëndësishme e historisë dhe një pjesë për të cilën duhet të jenë krenarë”, tha Granoff.
Fondacioni që do e menaxhojë ngritjen e muzeut dhe vetë muzeun, ka në bord edhe shtetin, por jo vetëm. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti sqaroi më shumë:
“Marrëveshja është një gur kilometrik në njohjen e historisë. I hapim udhë ngritjes së fondacionit “Muzeu Hebraik Shqiptar” një formë e re për Shqipërinë por jo për botën, për ne, pjesë e ligjit të ri të trashëgimisë dhe muzeve”, pohoi ministrja.
Muzeu Hebraik do të ndërtohet në Vlorë, pranë lagjes Muradie.