“Djali me Biçikletë” në shqip, ambasadori i Izraelit: Romani ka vlerë të veçantë dhe frymëzuese

“Djali me Biçikletë” i botuar nga UET PRESS në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Tiranë, shënon të parën vepër të përkthyer nga hebraishtja në shqip


Në romanin “Djali me biçikletë” të shkrimtarit izraelit Eli Amir, shqiptarët do të gjenin një copë të vetes. Është një tokë dhe kulturë e largët, por çështjet rreth identitetit dhe kërkimit të rrënjëve janë tema po aq të njohura e të rrahura për kombin që strehoi dhe mbrojti me besë hebrenjtë që i ikën tmerrit të nazizmit, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nëse lexuesit janë njohur me historinë e themelimit të shtetit të Izraelit, përmes prozës së Amos Oz, në romanin “Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën” dhe perspektivës së një djaloshi ashkenazit, të ardhur në Tokën e Premtuar nga Europa, Eli Amir sjell një  këndvështrim në anën tjetër. Një djalosh 16-vjeçar i ardhur nga Lindja e Mesme rrëfen vështirësitë në kërkim të identitetit hebre, në shtetin e porsa themeluar. Përmes historisë njerëzore shpalosen të gjitha kontekstet historike e kulturore të shtetit të ri dhe përplasja e ëndrrës së njerëzve të diasporës me realitetin e ri.

Një perspektivë të ndryshme që Ambasada e Izraelit në Shqipëri vendosi ta ndajë me lexuesin e huaj, në kuadër të javës kulturore izraelite. Libri i botuar nga UET PRESS, në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Tiranë, me përkthimin e Alban Relit, shënon edhe të parën vepër të përkthyer nga gjuha hebraike në atë shqipe.

“Romani ka vlerë të  veçantë sepse jep një dritë specifike mbi  emigrantët hebrenj nga vendet arabike”, do të shprehej ambasadori izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, gjatë përurimit të librit, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.

Eli Amir tregon këtë perspektivë të atyre që rëndom në Izrael quhen hebrenjtë e Bregut, tha më tej ambasadori. “Tregon hendekun mes shpresave dhe realitetit”, shtoi ai më tej, duke e cilësuar atë trajtim për këtë komunitet hebrenjsh që vijuan të ndihen emigrantë në shtetin e tyre, si tronditës, të turpshëm, trishtues dhe provokues.

Romani shton më tej ambasadori ka nota të qarta autobiografike. Si autori Eli Amir, edhe Nuri protagonisti i librit kanë ardhur nga Iraku. Nuri jetoi në kibutz edhe më pas u shpërngul drejt Jerusalemit, gjatë adoleshencës.  Për të fituar jetesën shpërndante gazeta me biçikletë dhe postën, për zyrën e kryeministrit izraelit.

“Burimet e pashtershme, fuqia psikike dhe vështirësitë me të cilat i duhet të përballet janë frymëzuese”, thotë zoti Gendler.

Nuri dhe familja e tij kanë ardhur nga Bagdadi, me shpresën se Izraeli do të qe i barabartë, por aty jo vetëm nuk e gjetën atë barazi, por u ndjenë si persianët në Bagdad, që nuk e mësuan dot gjuhën arabe dhe jetuan në periferi. Zhgënjimi në tokën e tyre i bën të kenë mall për vendin që lanë pas.

“Çarja e emigrantëve nuk është vetëm për statusin e tyre personal, por është kundër fshirjes së traditave të vjetra, që i sheh si dobësim të moralit të shtetit”, tha ndër të tjera ambasadori. Ai i ftoi të pranishmit për lexim, ndërsa shtoi se varianti në shqip, ka dalë edhe përpara botimit në gjuhën angleze. “Kjo do të thotë se atje në Izrael, ka një zotëri me dashamirësi për kombin tuaj”, e mbylli fjalën e tij diplomati.

Djali me biçikletë përveçse një rrugëtim i mrekullueshëm jetësor i personazhit sjell edhe një udhëtim të pasur në kulturën izraelite, do të shprehej kryeredaktorja e UET PRESS, Suela Mino.

“Kjo vjen falë një parathënieje, që përkthyesi Alban Reli e ka shoqëruar librin duke sjellë të gjithë kontekstin historik e kulturor të shtetit  të ri  të Izraelit për të kuptuar rrugëtimin e djaloshit 16 vjeçar Nurit, i cili rritet duke kërkuar identitetin, ndërkohë gjen dashurinë, mëson të burrërohet dhe të kuptojë si mund të mbijetojë,  deri ku shkon sakrifica  e individit për t’u paqtuar me identitetin  e tij dhe për të vënë rrënjë”, tha kryeredaktorja Mino.

Për përkthyesin, i cili është edhe pedagog i gjuhës hebraike në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ngjarja shënon fillesën e rëndësishme për përkthimin e veprae nga gjuha hebraike.

Alban Reli tha se për ta sjellë në shqip romanin, i ishin dashur 20 vite dhe pesë muaj.

“Pesë muaj për procesin e përkthimit dhe njëzet për të njohur kulturën”, tha Reli, ndërsa zbuloi njohjen e tij me gjuhën hebraike.

Violisti që u magjeps me kulturën hebraike

Përkthyesi ndau një histori jo fort të zakontë të kontaktit me kulturën hebraike. Alban Reli studionte violë, në Insitutin e Lartë të Arteve të Bukura, në fillim vitet ’90, kur prej pedagogëve të tij Robert Papavrami, Mustafa Krantja e Gjergj Pekmezi dëgjoi disa nga emrat më të mëdhenj botëror në violë. Për rastësi ose jo, duke cituar një shprehje hebraike, muzikanti i ri kuptoi se të gjithë ishin hebrenj. Madje edhe kompozitori i muzikës klasike, Felix Mendelssohn Bartholdy kishte prejardhje hebraike. Për këtë iu hoq shtatorja në Lajpcig, më 1936-s, në atë që do të ishte parathënia e Holokaustit apo të njohur mes hebrenjve si  Shoah, ku humbën jetën 6 milionë prej tyre.

Në vitet ’90, në toplistën e MTV doli një këngë izraelite, me titull “Im Nin’Alu”, e kënduar nga Ofra Haza, një këngëtare e famshme,  e cila ishte tipikisht orientale. Aty natyrshëm më lindi pyetja se  ç’është ky popull, kjo kulturë sa perëndimore aq edhe lindore. Por artistët e   tij, në Lindje apo Perëndim shkëlqejnë. Nga  kureshtje fillova të interesohem dhe shkëlqenin jo vetëm në art dhe kulturë, por në të gjitha skenat. Mbi 20 përqind  e çmimeve Nobel në botë janë fituar nga hebrenjtë, ndonëse këta përbëjnë vetëm 0.2 përqind të popullsisë botërore”. Reli tha se në themel të këtij suksesi  qëndron ajo që në hebraisht quhet kultura e ekselencës.

Pas diplomimit në muzikës dhe pas studimeve në gjuhën arabe, për Alban Relin do të vinte edhe studimi i gjuhës hebraike, ashtu si autori Eli Amir, i diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Arabe, në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Pasi studioi edhe hebraishten, si pjesë e gjuhëve të familjes semitike të gjuhëve, në vitin 2008 rrëfen se lexoi të parën vepër të literaturës në hebraishte moderne, ndërsa disa prova të mëhershme i kishte bërë me atë biblike të Dhjatës së Vjetër, ose Tanakh-ut.  Më 2018-n, nisi  ta japë si lëndë me zgjedhje për studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huajnë Universitetin e Tiranës. Kjo e çoi në një hap të mëtejshëm marrëdhenien e tij me gjuhën, për të sjellë vepra të letërsisë hebraike në shqip. Ambasadori i Izraelit iu përgjigj pozitivisht idesë, duke bërë të mundur botimin në shqip të “Djali me Biçikletë”, të autorit Eli Amir.

“Sapo e lexova  librin pata ndjesinë se ishte  zgjedhja më e mirë për të prezantuar kulturën dhe historinë hebraike te shqiptarët,  nga hebraishtja në shqip. Në 620 faqe, libri në origjinal përmblidhte në mënyrë të sintetizuar  koncepte, kontekste historike e kulturore, fetare e politike që më ishin dashur 20 vjet në rrugëtimin tim”, vijoi rrëfimin përkthyesi.

Ai u ndal edhe tek sfidat e përkthimit, veçanërisht ato gjuhësore ku dy gjuhës ajo hebraike dhe shqipja u përkasin familjeve të ndryshme të gjuhës, e para semite dhe e dyta ind-europiane.

“Që këtu përkthimi fillon e bëhet krijues. Duhet të kesh  një të kuptuar të mirë të tekstit origjinal pastaj të gjesh mjetet e duhura për ta përcjellë në shqip”, thotë ai, duke zbuluar se versioni shqip ofron sqarimet e nevojshme për emra, konepte, ngjarje apo fraza të panjohura për lexuesin shqiptar.

“Përtej kësaj, libri është në radhë të parë një histori shumë e bukur njerëzore. Sa e bukur, aq edhe komplekse ku çdo lexues gjen një pjesë të vetes, sidomos lexuesi shqiptar pasi ka pika kontakti midis realitetit të atëhershëm të Izraelit dhe realitetit  shqiptar të 70 viteve të fundit”,  tha ai më tej.

Duke hequr një paralele me romanin e Amoz Oz, “Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën” , Reli tha se këto perspektiva të ndryshme sjellin edhe dallimet mbi të cilat u hodhën themelet e shtetit izraelit.

Shteti i  Izraelit u formua nga emigrantë hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme të botës,  ku përtej identitetit  të tyre hebraik, kulturalisht dhe gjuhësisht iu përkisnin vendeve nga vinin. Mbi 70 gjuhë,  kultura dhe mentalitet të ndryshme, nganjëherë edhe kontrastuese.

“Këto përcillen në libër përmes larmisë së personazheve. Për të harmonizuar këtë diversitet kulturor, kryeministri i parë i Izraelit David Ben Gurion vuri objektivin dhe lëshoi moton “Shkrirja e diasporave”. Të gjitha këto në libër përcillen natyrshëm përmes një historie romantike, mes një djali hebre mizrahi  nga Lindja dhe një vajzë po hebreje, ashkenazite e lindur në Izrael, por me origjinë në Europa. Libri ka elemente ficiton, por një pjesë e  mirë e personazheve ehe ngjarjeve janë reale, dhe kjo e bën edhe më atraktiv”, e mbylli fjalën e tij përkthyesi.

Botimi i këtij libri në gjuhën shqipe, shënon edhe bashkëpunimin e dytë të Universitetit Europian të Tiranës me Ambasadën e Izraelit, në Tiranë, zbuloi presidenti i këtij institucioni, Selami Xhepa. I pari lidhet me librin e ekonomisë “Start-Up Nation”.

Të tjera projekte bashkëpunuese zbuluan anëtarë të bordit drejtues të UET janë botimi i dy librave, nga historianët Nevila Nika dhe Ferit Duka, pedagogë në këtë universitet,  mbi evidencat e prezencës hebraike në Shqipëri. Botime që synojnë ta ngrenë studimin në nivel shkencor. Në fund të këtij takimi pati një ftesë për Ambasadën dhe autoritetet izraelite të inkurajojnë shkëmbimin studentor mes të rinjve të UET dhe atyre nga universitetet e Izraelit./Liberale.al

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit