Përkthyesi Alban Reli: “Romani ‘Djali me Biçikletë’, një histori që u flet brezave”
Promovohet në UET Romani “Djali me Biçikletë” i autorit të njohur izraelit Eli Amir – përkthimi i parë i literaturës izraelite nga hebraishtja në shqip. Botim i UET Press.
“… Disa muaj më parë vizitova në Jeruzalem autorinEli Amir, i cili po u afrohet të nëntëdhjetave; ky libër është përkthyer në shqip para se të përkthehet në Anglisht, prandaj sot ju keni në Izrael një tjetër mik që e ka shumë për zemër vendin tuaj. Ju faleminderit”. Këto ishin fjalët me të cilat Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler mbylli fjalën e tij në promovimin e romanit ‘Djali me Biçikletë’ të shkrimtarit izraelit Eli Amir -botim i UET Press- pasi shprehu vlerësimin për përkthimin dhe botimin e librit në Shqipëri brenda një periudhe të shkurtër kohe çka tregon se Shqipëria është “… një vend i veçantë”. Pas këtyre fjalëve prekëse u ndjeva krenar për vendin tim, dhe mirënjohës për mirënjohjen izraelite; atë mirënjohje që është shprehur në vite edhe nëpërmjet titullit ‘Të drejtët mes Kombeve’ – akorduar nga Shteti i Izraelit dhjetëra familjeve shqiptare që strehuan hebrenjtë në periudhën e Holokaustit.
Përkthimi i këtij romani, u bë me nismën dhe mbështetjen e Ambasadës së Izraelit në Tiranë – nën kujdesin e veçantë të Ambasadorit Noah Gal Gendler- për sjelljen për herë të parë në shqip të një vepre të literaturës nga hebraishtja e cilaështë një nga gjuhët më të vjetra dhe më me ndikim në civilizimin botëror.
Për mua si përkthyes ishte një kënaqësi e veçantë dhe privilegj që – pas shumë vitesh studimi të gjuhëve të Lindjes së Mesme, midis të cilave edhe arabishtja dhe hebraishtja, si dhe një përvoje disa vjeçare si lektor i këtyre gjuhëve pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës – mu dha mundësia ta sjell këtë vepër për herë të parë nga hebraishtja në shqip.
Tashmë lexuesi shqiptar është njohur me romanin autobiografik “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” të shkrimtarit të njohur izraelit Amos Oz, i cili përshkruan periudhën e krijimit të Shtetit të Izraelit nga kënvdështrimi i një të riu hebre ashkenazit me prejardhje nga Europa Lindore. Romani “Djali me biçikletë” na e përcjell të njëjtën periudhë në këndvështrimin e një të riu hebre iraken-sefardit nga Lindja Arabe. Dy këndvështrime të ndryshme, nga dy botë të ndryshme, si këndvështrimet e Lindjes e të Perëndimit.
Siç dihet, Shteti i Izraelit u formua nga emigrantë hebrenj të ardhur nga të gjitha vendet e botës, që nga pikëpamja kulturore-gjuhësore u përkisnin vendeve nga vinin, me mbi shtatëdhjetë gjuhë por dhe me mentalitete të ndryshme, shpesh kontrastive, që në roman portretizohen nëpërmjet një larmie personazhesh konkrete.
Nëpërmjet tipizimit të karaktereve të personazheve që vijnë nga komunitete të ndryshme hebreje të Lindjes dhe të Perëndimit, Autori Eli Amir na përcjell jo vetëm diversitetin kulturor të këtyre komuniteteve, por edhe atë të vendeve prej nga ata vijnë. Për t’i bashkuar këto komunitete në një komb të vetëm me një gjuhë të vetme, që në fillimet e Shtetit të Izraelit, kur zhvillohen ngjarjet e këtij romani, kryeministri Ben Gurion hodhi idenë e shkrirjes së mërgatave apo siç quhet në hebraisht mizug hagelujot, e cila synonte integrimin e plotë të emigrantëve hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme dhe të popullsisë hebreje vendase. Sot, mëse shtatë dekada pas krijimit të Shtetit të Izraelit,ky integrim është bërë realitet i qartë.
Kjo na përcillet, natyrshëm në roman, nëpërmjet një historie të bukur dashurie, midis Nurit, djalit Hebre sefardit nga Bagdadi -që është vetë autori i këtij libri autobiografik-, dhe një vajze hebreje ashkenazite vendase, Mihal Shislerit, me origjinë Polake.
Spektri i gjerë karaktereve të romanit nuk pasqyron vetëm diversitetin kulturor të tyre, por edhe diversitetin e ideve, të qëndrimeve dhe të mendësive. Në këtë kontekst, me gjithë dallimet, mendoj se lexuesi shqiptar do të gjejë në këtë libër shumë linja ngjajshmërie midis realitetit izraelit të viteve të para të themelimit të Shtetit të Izraelit dhe realitetit shqiptar të shtatëdhjetë viteve të fundit, duke filluar që nga ndikimet e Lindjes komuniste nga njëra anë, e derite ndikimet e domokracisë-liberale perëndimore nga ana tjetër.
Diversiteti kulturor dhe gjuhësor i kësaj periudhe, na përcillet në roman edhe përmes fjalëve dhe shprehjeve të ndryshme jo-hebraike, sidomos në arabisht dhe jidisht, të cilat autori i ka përdorur mjeshtërisht në përshkrimin e karaktereve.
Në kontekstin e përkthimit, ky sfond multigjuhësor dhe multikulturor do të ishte një shans i veçantë, por edhe një sfidë për çdo përkthyes, sepse, krahas vlerave historike dhe letrare, romani mbart një pasuri gjuhësore që gërsheton hebraishten me elemente gjuhësore të arabishtes, si gjuha e komuniteteve hebreje sefardite me prejardhje nga Lindja e Mesme, dhe të jidishtes si gjuha e komuniteteve hebreje ashkenazite me prejardhje nga Europa Qendrore dhe Lindore. Ky diversitet gjuhësor ishte i dukshëm në fillimet e Shtetit të Izraelit, kur emigrantët e rinj, të ardhur nga Lindja dhe Perëndimi, ende nuk e kishin përvetësuar gjuhën hebreje si gjuhën e tyre kombëtare. Për këtë arsye, kam zgjedhur që shumicën e këtyre termave në arabisht apo në jidisht t’i lë në origjinal me transliterim, ashtu siç ka bërë edhe autori i librit, sepse kjo lidhet ngushtë me karakterin e personazheve, por duke shtuar sqarimet me përkthimin dhe shpjegimet përkatëse.
Edhe pse libri ka elemente fantazie, shumë nga ngjarjet dhe personazhet qëndrore të tij janë reale;për shembull, Sekretari i Ben Gurionit, Jichak Navoni- model i njerëzve të moderuar, intelektualë e mendjehapur, që i japin impuls zhvillimit shoqëror- është një personazh real; ai do të bëhej më pas presidenti i pestë i shtetit të Izraelit (1978-1983).
Në fakt, në këtë libër, janë përmendur pothuajse të gjitha figurat e mëdha të mendimit dhe politikës izraelite përgjatë shekullit të XX. Ben Gurioni, Moshe Shareti, Menahem Begini, Golda Mejeri, Shimon Peresi etj, janë ata që dominuan politikën Izraelite për pesëdhjetë vitet që pasuan. Por aty përmenden edhe filozofë si Martin Buber, Josef Gedalia Klausneri apo Zeev Zhabotinski, poetë si Shaul Çernikovski, Shai Aganoni, Jic’kah Zingeri; etj, shumë syresh nobelistë. Në këtë kuptim ky libër ështënjë lloj ‘Enciklopedie’ e përmbledhur judaike – me një ngarkesë të madhe informacioni, dhe do ja vlente të lexohejedhe vetëm për këtë aspekt.
Ky roman sjell gjithashtu një histori grishëse njerëzore të një të riu që përballet me dilemat e jetës, të cilave i duhet t’u japë përgjigje, por edhe një histori romantike mahnitëse dashurie, herë-herë të dhimbshme, me situata dramatike, por edhe plot humor. Kjo histori, mund të ishte historia e secilit prej nesh. Një histori që u flet brezave.
Përkthyesi i romanit, Alban Reli