Rama: Izraeli vendi me sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe të ujitjes në bujqësi
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën për “Teknologjinë dhe Inovacionin në Bujqësi dhe Blegtori”
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën për “Teknologjinë dhe Inovacionin në Bujqësi dhe Blegtori”, në një takim me ekspertë shqiptarë e të huaj, me fermerët dhe agropërpunues, si dhe përfaqësues nga programet ndërkombëtare të ndihmës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.
I pranishëm ishte edhe ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler.
Teksa diskutohet për bujqësinë dhe sfidat e saj, kryeministri ka kërkuar që fermerët dhe prodhuesit tanë të orientohen nga teknologjia, pasi sipas tij është dija ajo që do të rrisë prodhimin dhe do të shtojë alternativat për tregtimin e produktit.
“Është privilegj që të kemi mbështetjen e qeverisë së Izraelit përmes përfaqësuesit të saj këtu, ambasadorit, që është i përkushtuar të bëjë më shumë në këtë drejtim. Izraeli është mbase shembulli më domethënës për të gjithë botën për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, që niveli i suksesit për të prodhuar një zhvillim që sjell mirëqenien varet nga sa di jo nga sa ke. Izraeli nuk ka ujë, nga Zoti nuk ka ujë, por është vendi me sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe të ujitjes në bujqësi.
Pse?
Sepse në mungesë të ujit dhe të bollëkut të ujit siç e kemi ne, Izraeli ka investuar tek mendja, tek dija, tek informacioni dhe ka transformuar një mungesë të madhe në një burim zhvillimi të jashtëzakonshëm, duke e kthyer ujin e detit në ujë të ëmbël, qoftë për të pirë, qoftë për ujitje. Dhe duke ricikluar ujërat e zeza për ujitje”, tha Rama gjatë fjalës së tij.