Veliaj prezanton ambasadoren e re të Izraelit: Krenarë për mijëra familjet shqiptare që i mikpritën hebrenjtë
Galit Peleg, ambasadorja e re e Izraelit në Tiranë, e nisi zyrtarisht detyrën përmes një ceremonie të zhvilluar në memorialin kushtuar hebrenjve në Parkun e Liqenit Artificial.
Galit Peleg, ambasadorja e re e Izraelit në Tiranë, e nisi zyrtarisht detyrën përmes një ceremonie të zhvilluar në memorialin kushtuar hebrenjve në Parkun e Liqenit Artificial.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi ambasadoren Peleg një diplomate karriere të suksesshme, e cila ashtu si paraardhësit e saj, dëshmon respektin që shteti i Izraelit tregon ndaj Shqipërisë. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që mirëpresim në Tiranë një mikeshë, një ambasadore karriere; është respekt që shteti i Izraelit tregon ndaj Shqipërisë, duke sjellë ambasadorë me kalibër të lartë”, deklaroi ai.
Veliaj u shpreh se ndihet krenar që Shqipëria është një nga të paktat vende që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u hapi dyert hebrenjve. “Kemi ardhur jo rastësisht këtu, në memorialin kushtuar Holokaustit në Parkun e Liqenit të Tiranës, për të kujtuar se Shqipëria jonë e vogël ka mbajtur qëndrimin e duhur, duke u reshtuar në anën e duhur të historisë. Ky qytet kishte vetëm 200 hebrenj në fillim të luftës, kurse në fund të saj rreth 2000. Pavarësisht nëse familjet ishin katolike, ortodokse, sunite, shiite, apo protestante, i mikpritën pa paragjykim, pa parë racizëm, pa qenë të infektuar nga antisemitizmi,” u shprej më tej ai.
Diplomatja, e cila ka shërbyer në disa misione të rëndësishme përpara se të vinte në Shqipëri, tha se si bijë e të mbijetuarve të Holokaustit, ndihet e nderuar që do të nisë detyrën në Tiranë nga ky memorial i kujtesës.
“Si bijë e të mbijetuarve të Holokaustit, e dija se duhet ta nisja misionin tim në Shqipëri në një vend si ky. Jam këtu sepse dua t’i tregoj botës për mirësinë e popullit shqiptar. Ajo që më bën përshtypje kur flas me shqiptarët për këtë çështje është fakti se ata reagojnë në mënyrë të natyrshme, a thua se e gjithë bota ishte e dashur me hebrenjtë! Gati sikur thonë: “Ne i shpëtuam hebrenjtë se është pjesë e natyrës sonë”. Në fakt, është me të vërtetë në natyrën tuaj dhe ne e çmojmë këtë,” u shpreh Peleg.
Dimplomatja izraelite rrëfeu edhe lidhjen e saj shpirtërore me Shqipërinë dhe se e gjitha nisi pasi pa film shqiptar kushtuar mikpritjes së hebrenjve.
“Kur mora lajmin se do vija në Tiranë, u gëzova shumë. Dy vjet më parë, një mikja ime më tha se në kinemanë e Tel Avivit po transmetohej një film për Shqipërinë, ku rrëfehej historia e hebrenjve që u shpëtuan nga shqiptarët. E them me bindje se ky film ndryshoi jetën time. Historia e Shqipërisë dhe hebrenjve të saj, e preku zemrën time në një mënyrë të atillë, sa prej atij momenti kuptova se duhej të vija si ambasadore e Izraelit në Shqipëri. Kaluan dy vite dhe jam ku jam,” rrëfeu ambasadorja, e cila premtoi po ashtu, se do bëjë gjithçka gjatë misionit të saj që Shqipëria të konsiderohet më tepër sesa thjesht një mike e Izraelit.