Agjencia e Arkivave të Kosovës marrëveshje me Yad Vashem
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, Arbërie Nagavci zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, Arbërie Nagavci zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael.
“Nënshkruam Marrëveshjen për Arkivat me qëllim bashkëpunimin në këtë fushë si shkëmbimin e profesionistëve dhe dokumenteve në mes të Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Yad Vashem”, shkruan ministrja Nagaci në rrjetet sociale.
Postimi i Nagavcit
Në kuadër të vizitës sime të parë në Izrael, vizitova Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit, Yad Vashem, ku u prita nga kryetari i kësaj Qendre, Dani Dayan.
Bashkë me kryetarin Dayan potencuam gatishmerinë për të filluar zbatimin e Marrëveshjes së nënshkruar më parë në fushën e edukimit, për trajnimin e mësimdhënësve të historisë për çështjen e Holokaustit.
Po ashtu nënshkruam Marrëveshjen për Arkivat me qëllim bashkëpunimin në këtë fushë si shkëmbimin e profesionistëve dhe dokumenteve në mes të Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Yad Vashem.
Gjatë këtij takimi theksova se, prania jonë e përhershme diplomatike në Jerusalem përfaqëson jo vetëm interesin e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, por edhe një dimension moral të lidhjes emocionale që ka nga e kaluara.
Ndër të tjera, përmenda se populli i Kosovës dhe Izraelit kanë një lidhje të veçantë që daton që nga historia e Holokaustit.
Kryetarin e Yad Vashem e njoftova se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ta kalojë edhe në Parlament miratimin e përkufizimit të punës së IHRA-s për antisemitizmin.
Kosova me prezencën e saj në Izrael, ka një vizion të qartë për ta transformuar miqësinë shumëvjeçare në një bashkëpunim konkret.
Në këtë drejtim, theksova se jemi të interesuar të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi ndërmjet Yad Vashem dhe institucioneve kosovare, duke ndarë fakte historike që dëshmojnë aktet fisnike të popullit shqiptar për shpëtimin e jetëve hebrenje.
Gjithashtu, bëra të ditur se Kosova së shpejti do ta ketë Qendrën e saj Kulturore Hebraike në qytetin historik të Prizrenit.
Nënshkrimit të marrëveshjes së sotme i parapriu një turne me guidë në Muzeun Historik të Holokaustit, një ceremoni përkujtimore në Sallën e Përkujtimit, si dhe vizita në Memorialin e Fëmijëve dhe nënshkrimi në librin e mysafirëve.