Siguria kibernetike e Shqipërisë, Rama vizitë zyrtare në Izrael
Rama takime me kryeministrin Yair Lapid, presidentin Isaac Herzog, kryetarin e Kuvendit Mickey Levi dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu
Kryeministri Edi Rama po zhvillon ditën e sotme një vizitë në Izrael. Në fokus të takimeve mes Ramës dhe zyrtarëve izraelit do të jetë siguria kibernetike pas agresionit iranian ndaj vendit tonë. Rama shoqërohet nga disa prej anëtareve të kabinetit qeveritar. Kreu i qeverisë do të zhvillojë takim me homologun izraelit Yair Lapid, presidentin Isaac Herzog, kryetarin e Kuvendit Mickey Levi dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu.
Kjo vizitë e Ramës në Izrael vjen pas sulmeve kibernetike që qeveria e Iranit ndërmori ndaj Shqipërisë. Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.
Më 10 shtator, hakerat iranianë sulmuan sistemin TIMS. Irani nuk e fshehu se kishte gisht në këtë sulm pasi në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar shfaqej mesazhi: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës dhe kjo lojë do të vazhdojë”. Pasi u konfirmua se sulmi ishte ndërmarrë nga qeveria iraniane, Shqipëria prishi marrëdhëniet diplomatike me Iranin.