Çfarë mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve në Izrael?

Votuesit izraelitë duket se vazhdojnë të jenë të ndarë, ndërsa vendi shkon sërish drejt zgjedhjeve të martën, me sondazhet që nuk tregojnë një fitues të qartë të tyre.


Votuesit izraelitë duket se vazhdojnë të jenë të ndarë, ndërsa vendi shkon sërish drejt zgjedhjeve të martën, me sondazhet që nuk tregojnë një fitues të qartë të tyre.

Ish-kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili qeverisi për 12 vjet përpara se të rrëzohej vitin e kaluar, po u kërkon votuesve t’i japin atij një tjetër shans, ndonëse ai po përballet me një gjyq nën akuzat për korrupsion. Kryeministri aktual, Yair Lapid, e ka cilësuar veten si një zë të mirësjelljes dhe unitetit. Ai shpreson se mandati i tij si kryeministër i një qeverie të përkohshme u ka treguar votuesve se vendi mund të drejtohet nga një udhëheqës tjetër, përveç Netanyahut.

Në sistemin e fragmentuar politik të Izraelit, as partia Likud e linjës së ashpër, e drejtuar nga Netanyahu, as ajo e qendrës Yesh Atid, e udhëhequr nga zoti Lapid nuk pritet të marrin vende të mjaftueshme në parlament për të formuar të vetme një qeveri të re. Ato shpresojnë të sigurojnë shumicën prej 61 vendesh, me ndihmën e aleatëve më të vegjël politikë. Nëse asnjëra prej tyre nuk ka sukses në formimin e qeverisë, Izraeli së shpejti mund të përballet me zgjedhje të tjera. Izraeli tashmë ka mbajtur zgjedhje parlamentare pesë herë në më pak se katër vjet.

Disa nga faktorët që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve:

PJESËMARRJA

Si zoti Lapid ashtu edhe rivali i tij Benjamin Netanyahu kanë nevojë për pjesëmarrje të lartë nga baza e mbështetësve të tyre.

Zoti Netanyahu, i cili ka mbështetjen e votuesve më të varfër, fetarë dhe atyre që jetojnë në qytetet e vogla me pikëpamje agresive ndaj palestinezëve, e ka kaluar verën duke vizituar pjesë të ndryshme të Izraelit dhe duke mbajtur fjalime elektorale para turmave në një autobus të blinduar të njohur si “Autobusi i Bibit”. Zoti Lapid, i cili është popullor me votuesit laikë e urbanë, ka krijuar një grup të madh vullnetarësh dhe aktivistësh partiakë në të gjithë vendin.

Por votuesit palestinezë me shtetësi izraelite, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë së vendit, mund të jenë një grup përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve.

Votuesit arabë, komunitetet e të cilëve kanë vuajtur prej kohësh nga varfëria, neglizhenca dhe diskriminimi, kanë pak entuziazëm për kandidatët dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje pritet të jetë e ulët. Por ata që votojnë kanë prirje të favorizojnë zotin Lapid dhe aleatët e tij. Nëse votuesit arabë dalin në një numër modest, kjo mund t’i japë një epërsi liberalit Yair Lapid. Por nëse ata qëndrojnë në shtëpi, siç parashikojnë sondazhet, mungesa e tyre mund ta çojë Netanyahun drejt fitores.

PARTITË E VOGLA

Çdo parti që fiton më shumë se 3.25% të votave kalon pragun e nevojshëm për të patur përfaqësues në parlament, ku vendet ndahen bazuar në numrin e votave që partitë marrin. Mbi 10 parti mund të marrin mbështetje të mjaftueshme për të patur deputetë në parlamentin izraelit.

Partitë e vogla që e kalojnë këtë prag mund ta gjejnë veten në një pozicion të fuqishëm për të formuar koalicionin e ardhshëm qeverisës. Por, votat e atyre që nuk e kalojnë pragun nuk merren parasysh.

Sipas sondazheve, dy parti në gjendje të dobët të bllokut anti-Netanyahu, Laburistët dhe Partia Meretz, janë shumë afër kalimit të pragut. Një dështim i tyre për ta kaluar pragun prej 3.25% do të ishte goditje e rëndë për zotin Lapid.

Nga ana tjetër, “Shtëpia Çifute”, një parti nacionaliste e linjës së ashpër besnike ndaj Netanyahut, është gjithashtu në vështirësi. Sondazhet tregojnë se kjo parti nuk do të hyjë në parlament. Por nëse ajo merr vota të mjaftueshme për të hyrë në parlament, blloku i Netanyahut e ka pothuajse të sigurt fitoren.

PARTITË QË MUND TË NDIKOJNË NË FORMIMIN E KOALICIONIT QEVERISËS

Partia e ekstremit të djathtë “Zionizmi Fetar” ka tërhequr vëmendjen në fushatën zgjedhore. E udhëhequr nga politikanë të hapur anti-arabë dhe homofobikë, partia ka dalë nga skajet ekstremiste të politikës izraelite dhe mund të shfaqet si një nga fraksionet më të mëdha në parlament. Ajo është një aleate e fortë e Netanyahut dhe udhëheqësit e saj mund të presin një shpërblim të madh nëse e çojnë atë drejt fitores. Në këmbim të posteve në qeverinë e re, ata kanë dhënë shenja se do të përpiqen të heqin akuzat ndaj zotit Netanyahu.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes Benny Gantz, i cili drejton një parti të vogël të qendrës së djathtë, mund të jetë i rëndësishëm në përpjekjet e zotit Lapid për të fituar zgjedhjet. Nëse zoti Gantz merr një pjesë të votave që zakonisht shkojnë për zotin Netanyahu, ai mund ta pengojë ish-kryeministrin nga marrja e shumicës. Zoti Gantz gjithashtu ka marrëdhënie të mira me aleatët fetarë të zotit Netanyahu dhe mund t’i sjellë ata në anën e zotit Lapid. Kjo mund ta bëjë atë një lojtar të fuqishëm në negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës, dhe madje ta pozicionojë atë si një pretendent për kryeministër të ardhshëm të vendit.

ZHVILLIMET E PAPRITURA

Gjatë mandatit të shkurtër katër-mujor të zotit Lapid, Izraeli ka zhvilluar një betejë tre-ditore kundër militantëve në Rripin e Gazës, ka shtuar bastisjet e arrestimet në Bregun Perëndimor dhe ka arritur një marrëveshje diplomatike me Libanin për një kufi detar midis dy vendeve armike. Një valë e papritur dhune, ose një përparim i papritur diplomatik mund të ndikojnë tek votuesit në momentin e fundit. /VOA

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit