Intelektualët hebrenj që jetuan në Shqipëri

Intelektualët hebrenj që kanë ardhur në Shqipëri gjatë kohës së Holokaustit janë të shumtë, madje mund të themi që pjesa më e madhe e hebrenjve të ardhur vinin nga shtresa intelektuale të mesme qytetare


Nga Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj
Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë

Mbi intelektualët hebrenj që jetuan në Shqipëri

Intelektualët hebrenj që kanë ardhur në Shqipëri gjatë kohës së Holokaustit janë të shumtë, madje mund të themi që pjesa më e madhe e hebrenjve të ardhur vinin nga shtresa intelektuale të mesme qytetare, por në këtë nënkapitull dua të përmend vetëm disa prej tyre, pasi përmendja e të gjithëve do të ishte një temë më vete. Një figurë e rëndësishme hebraike që erdhi në Shqipëri gjatë viteve të antisemitizmit ishte edhe profesori polak Stanislav Zuber.

Në lidhje me identitetin fetar të Zuberit, në literaturën që disponojmë deri tani ai na paraqitet si hebre, por Petro Marko në autobiografinë e tij shkruan se “ai ishte katolik dhe lutej”.Megjithatë Zuberin në këtë punim po e rendisim ndër intelektualët hebrenj, pasi burimet në gjuhën shqipe që e cilësojnë atë si hebre janë disa dhe përveçse në librin autobiografik “Intervistë me vetveten” të Petro Markos, nuk kemi gjetur asnjë të dhënë tjetër, që ai të përmendet si katolik. Prof. dr. Stanislav Zuber, një nga shkencëtarët e famshëm të rangut evropian në industrinë e naftës, punoi për 20 vjet me radhë në Shqipëri, në kërkimin dhe zbulimin e fushave naftëmbajtëse të vendit tonë, i ftuar nga kompania italiane AIPA (Azienda Italiana di Petrolio).

Në tetor 1934, ai nis studimet në zonën midis Elbasanit, Korçës, Vithkuqit dhe Përmetit, për kërkime vajgurore dhe për mineralin e bakrit. Nga korriku 1935, e deri kur u arrestua më 1947, Zuberi banoi në Vlorë e Kuçovë. Ai qe lindur në Leopold (Elvuf) të Polonisë në vitin 1893 dhe kishte studjuar në Bashkimin Sovjetik, nga ku iku gjatë Revolucionit të Tetorit.

“Doktoruar më 1924 në gjeologji, fliste polonisht, rusisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht, italisht, shqip, serbisht, greqisht, arabisht, persisht, armenisht. Pas eksperiencës në Baku në fushën e naftës, në vitin 1923, vjen në Poloni për shkaqe familjare. Do të ishte viti 1926, kur shoqëria italiane AGIP e kontraktoi për të punuar në studimin gjeologjik në Mal të Zi. Pasi u këshillua me materialet e tjera, Zuber vjen në Shqipëri nga e njëjta shoqëri duke marrë prej saj edhe studimin e deriatëhershëm mbi gjeologjinë shqiptare, duke filluar nga zona e Kuçovës. Me disa shkëputje, Zuberi do të kryente një studim të plotë mbi gjeologjinë shqiptare pa harruar edhe specializimet e rritjen e tij profesionale në shkollat më të mira gjeologjike të Europës. Në shtator të vitit 1930, Zuber nisi studimin e thelluar në zonës së Korçës e Beratit. Në zonën e Beratit, ai vëren “zonat më interesante vajgurore të Shqipërisë”. Në shtatorin e vitit 1933, Zuber ndërmerr një studim për studimin themeltar të ujësjellësit të Selitës në Tiranë. Pasi shkon në Poloni për shkakun se i vdes e ëma, Zuber ndërmerr një ekspeditë të vërtetë kërkimi në zonën e Shpatit në Elbasan “me mjaft rëndësi interesante për zona vajgurore”.

Ndër punimet e tij është edhe një hartë mbi vendburimet e qymyrgurit në rrethin e Tiranës. Ai ka bërë edhe disa studime mbi kërkimet gjeologjike në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Një studim tjetër i tij është edhe ai për zbulimin e burimeve ujore në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Myzeqesë, të pajisur edhe me shpenzimet përkatëse për këtë problem. Ai kishte hartuar në vitin 1943 edhe një tregues gjeologjik në kuadrin e hidrocentralit që do të ndërtohej në burimet e Selitës së Madhe në Tiranë. Një person tjetër hebre që duket se ka qenë në Shqipëri në vitet 1930, 1931, është edhe fizikani dhe matematikani i shquar, Albert Ajnshtajn (Albert Einstein). Duket se për të vërtetuar me dokumente, se a ka qenë me të vërtetë Ajnshtajni në Shqipëri, sot për sot akoma nuk është e mundur, por këtu po u referohemi disa dëshmive që sjell Prof. dr. Jovan Basho në konferencën shkencore “Berati për shpëtimin e hebrenjve”, që u mbajt në Tiranë më 25 janar 2008. Ai na sjell tri dëshmi e para nga dr. med. Jani Basho, shef i seksionit të shëndetësisë në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare në Mbretërinë e Zogut, drejtor i spitalit ushtarak dhe mjek personal i ish-mbretit Zog. Sipas dr. Jani Bashos, “Ajnshtajni kishte ardhur në Shqipëri në fillim të viteve 1930, kishte qëndruar 3 ditë dhe kishte marrë pasaportë shqiptare. Dr. Basho kishte ndërhyrë te mbreti, e kishte shoqëruar gjatë qëndrimit në Shqipëri, kohë kur kishte pritur edhe vetë mbreti Zog. Madje dr. Basho kishte shkëmbyer edhe disa letra me të, ku Ajnshtajni e falënderonte për mirësinë e shfaqur dhe i tregonte për vështirësitë e jetës së tij.”

Ky letërkëmbim i çmuar i dr. Jani Bashos me Ajnshtajnin u dogj së bashku me libra dhe dokumente të tjera në shkurt të vitit 1945, gjatë shtetëzimit të klinikës së tij nga komunistët e sapoardhur në fuqi.

E dyta dëshmi vjen nga ish-mbretëresha shqiptare Geraldina Apponay-Zogu, në një intervistë të saj dhënë për revistën angleze “Style” aty nga viti 2002: “Ajo i deklaroi gazetarit se mbreti Zog i kishte thënë, se “Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri, është takuar me të dhe ka marrë pasaportë shqiptare”.

Dëshmia e tretë është nga Ajati Bega, ish-bankier i Bankës Kombëtare Shqiptare, treguar prof. Dr. Skënder Kojës, ish-drejtorit të Institutit të Fizikës Bërthamore, i cili (Bega) shprehet: “E kam takuar Ajnshtajnin në Tiranë në fillim të viteve 30 kur ky erdhi në bankë e më kërkoi veprime të Bankës Shqiptare me një bankë të shtetit gjerman, veprime që banka jonë nuk i kishte kryer ndonjëherë, për shkak të mosekzistencës së lidhjeve me bankat gjermane në atë kohë. Më tha emrin, të cilin nuk e kisha dëgjuar deri atëherë. Atëherë mu desh të pyes dhe dola në mjediset e pasme të bankës, ku pashë që dera e drejtorit (i cili ishte italian) ishte e hapur. Trokita dhe hyra duke i thënë që një i huaj me emrin Albert Ajnshtajn kërkonte një veprim bankar që nuk e kishim bërë ndonjëherë, drejtori shtangu dhe më tha, që ky ishte një nga emrat më të mëdhenj të botës. I thashë se ai ishte tek sporteli. Atëherë drejtori la punët që kish, e priti me nderime dhe unë nuk di të them ç’bëri me të, se nuk më ngeli mua të merrem me problemin për të cilin ky njeri i ishte drejtuar Bankës Shqiptare.

Pra kaq mund të themi këtu për momentin mbi ardhjen dhe lëvizjet e Ajnshtajnit në Shqipëri dhe duhet të theksohet që nuk janë gjetur akoma as dokumente, që dëshmojnë lëvizjet e përmendura bankare të tij dhe as ndonjë e dhënë e saktë e dokumentuar mbi pajisjen e tij me pasaportë shqiptare dhe lëvizjet e tij brenda vendit. Më datën 20. 10. 1931 kemi një urdhër të hapur të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga ministri i atëhershëm Musa Juka për dhënie lehtësirash shkrimtarit me shtetësi gjermane dr. Leo Mathias, i cili donte të vinte në Shqipëri për studime dhe shëtitje.

Juka u jep porosi të gjithë autoriteteve civile, ushtarake dhe xhandarmërisë, që “të kujdesen me të gjithë mjetet që disponojnë, për t’i dhanë z. Dr. Leo Mathias lehtësimet e duhuna për udhëtim, bujtje dhe ushqim.”  Duket se bëhet fjalë këtu prof. dr. jur. Leo Mathias (lindur më 16 janar 1893 në Berlin, vdekur më 8 shtator 1970 në Askona; quhej ndryshe edhe Leo Lawrence Matthias), i cili ishte një gazetar, sociolog dhe shkrimtar gjerman, që shkruante më tepër letërsi udhëtimesh.

Ai emigroi në vitin 1933 në Meksikë dhe pastaj në Kolumbi e Venezuelë dhe nga viti 1940 deri 1950 në SHBA. Nga viti 1950 në Zvicër. Ai është autor i 24 publikimeve. Një intelektual tjetër nga fusha e drejtësisë që erdhi në Shqipëri ishte edhe avokati Norbert Lorenc, i pranishëm në Tiranë gjatë vitit 1930, por mbi fatin e tij të mëvonshëm nuk kemi informacione të mëtejshme.

Një avokat tjetër që ka qëndruar gjatë në Shqipëri dhe që në kohën e regjimit të Zogut I ishte i rekomanduar i mbretëreshës Geraldinë personalisht, ishte edhe dr. Ditrih Anderman (Dietrich Andermann) që përmendëm edhe më sipër, i cili ishte hebre gjerman dhe kishte ardhur në Shqipëria nga Zvicra, nga “Societa ariana Kapo S. A. Heerbrugg” për të hapur një fabrikë kapsulash për pagure alumini dhe xhelatine. Anderman ndodhej në Durrës së bashku me gruan dhe dy bijat e tij. Pasi shteti i Zogut I ra dhe Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, projektet me fabrikë nuk u konkretizuan dhe Anderman po priste që të ikte nga Shqipëria për në Brazil. Anderman ishte konvertuar në katolik dhe e kishte siguruar vizën e Brazilit nëpërmjet Vatikanit, me ndërmjetësinë e Selisë Apostolike në Shkodër dhe të dom Anton Zogaj në famullinë e Durrësit.

Një dokument tjetër që jep të dhëna në lidhje me artistët hebrenj në Shqipëri është edhe telegrami i datës 18. 10. 1933 i prefekturës së Durrësit dërguar nënprefekturës së Krujës dhe Komandës së këtij rrethi, ku bëhet fjalë për hetime që duhen bërë për artistin hebre (në burime të tjera bëhet fjalë për artiste) Joli Jakob.

Mbi aktivitetin e tij artistik dhe mbi informacione biografike për të nuk kemi asnjë të dhënë. Në vitin 1935, Ministria e Punëve të Brendshme vë në dijeni për ardhjen e studiuesve Peter Flond, dr. Finer, Sir Philip Madnus.

Po këtë vit (në gusht 1935) e njëjta ministri i dërgon prefekturave të Kosovës, Dibrës, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës një njoftim mbi ardhjen e dijetarit austriak Robert Shvanko, i cili ishte ngarkuar nga Instituti Ballkanik i Universitetit të Vjenës për të studiuar gjatë kufirit shqiptaro-jugosllav, dhe kjo ministri udhëzon këto prefektura për lehtësirat që duhej t’i bëheshin ëtij studiuesi austriak.

Në vitin 1935 ndodhet në Shqipëri edhe dr. Martin Gotthilf dhe më 10. 10. 1935 kemi edhe kërkesën e tij që i bën Ahmet Zogut për t’u punësuar në Shqipëri. Ai ishte detyruar të largohej nga Gjermania për shkak të identitetit të tij hebre. Në vitin 1937, kemi një qarkore të MPN drejtuar disa prefekturave mbi ardhjen në Shqipëri të studentit polak Vaslak Komohovski (Waclac Comohowski), me bursë të qeverisë polake, për të bërë studime në fushën e gjuhësisë, me rekomandim të profesor Joklit dhe profesor Lambercit (Maximilian Lambertz). Midis të tjerëve janë edhe dy atletë polakë hebrenj Jean Kosmulovski dhe Helena Cvistovski (Zwistowski), të cilët në mars të vitit 1937 kishin bërë kërkesë në prefekturën e Elbasanit që të lejoheshin të jepnin shfaqje në këtë qytet.

Gjatë vitit 1937 kemi të dhëna se ka qenë i pranishëm edhe një profesor, i quajtur Searllieur Funter. Në dhjetor të vitit 1938 kemi edhe një informacion të Konsullatës Italiane mbi mundësinë e marrjes në punë në spitalin civil të Tiranës të dr. Ouraniovskit. Për këtë kishte ndërhyrë vetë mbretëresha shqiptare Geraldina.

Përsa u përket mjekëve kemi të dhëna që në Shqipëri kanë jetuar mjeku hebre, prof. Shlessing (Schlessing) me të bijën e tij, dhe dr. Kalmar, që kishte nënshtetësi shqiptare, të cilët u duhet të iknin nga Shqipëria në vitin 1938.

Emrin e dr. Kalmar nuk e mësojmë të plotë nga këto dokumente, por në dhjetor të vitit 1943, pra gjatë kohës së pranisë të gjermanëve, nga dokumentet e Arkivit të Ministrisë së Jashtme mësojmë arrestimin e një dr. Ludwig Kalmar, i cili kishte qenë mjek i rrethit në Shengjergj të Tiranës dhe se me kërkesën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Vehbi Bej Frashëri qe liruar menjëherë nga komanda gjermane. (Në lidhje me Ludvik Kalmarin shih të dhëna të tjera edhe më sipër tek “Hebrenj të Dyshimtë”). Dr. Kvastler (Quastler) ishte një mjek tjetër hebre që jetoi në Shqipëri dhe iku në vitin 1938.

Po ashtu edhe mjeku prof. Valter Leman (Walter Lehmann), izraelit, por i konvertuar në krishterim, që ka jetuar mesa duket në Tiranë së bashku me të shoqen Vera Lehmann, primar i spitalit lokal, por që në vitin 1939 kërkon të largohet nga Shqipëria për të hyrë në Itali, kërkesë e cila i aprovohet. Leja për ushtrimin e profesionit të mjekut iu dha edhe dr. Lubica Dajç Mijuskoviç dhe Margarita Gjuvohkoviç, të cilat ishin nënshtetase shqiptare me kombësi hebraike dhe që jetonin në Ulqin, ku ushtruan edhe profesionin e tyre.

Përsa u përket mjekëve kemi edhe një tjetër hebre me emrin Natan Shashter (Nathan Schaschter), i ardhur nga Rumania, të cilit i jepet leja e qëndrimit në Tiranë, mesa duket aty nga viti 1942. Për periudhën, kur ishte e pranishme edhe ushtria gjermane në lidhje me mjekët mund të përmendim këtu edhe hebreun maqedonas dr. David Baruh, i cili si mjek pranë Burgut Politik dhe pranë Regjimentit të Xhandarmërisë në Tiranë, nuk shihej me sy të mirë nga organet, sepse duket se favorizonte të burgosurit politik të atyshëm dhe se dyshohej se ishte korruptuar nga komunistët, të cilët madje, siç thuhet në dokumentin arkivor “paskan mujt me e ba për vehte”.

Më 16 janar të vitit 1939, bën një kërkesë Legatës Mbretërore Shqiptare në Berlin, për të ardhur në Shqipëri, edhe një hebre, person me rëndësi të veçantë. Ky ishte dr. Kurt Haberland, ish sekretar privat i Hindenburgut, ishpresidentit të Republikës së Gjermanisë para ardhjes në pushtet të Nacional-sozializmit. Kurt Haberlandi në atë kohë ishte 43 vjeç, kishte marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore dhe ishte dekoruar dy herë për meritat e tij ushtarake. Ai donte të vinte në Shqipëri që të krijonte edhe një shoqëri shqiptare me kapitale të huaja.

Legata Shqiptare në Berlin e sheh si shumë të rëndësishme lejimin e ardhjes së tij në Shqipëri, siç shprehet dhe dokumenti në fjalë: “Si do të kuptohet nga shkresa e tij, Z. K. Haberlandi deshiron të vije ne Shqiperi dhe të krijoje nje shoqeni shqiptare me kapitale te huaja. Natyrisht kete nuk e ben per dashirine qe ka per kombin t’one, por mabssi esht izraelit dhe ketu ne Gjermani nuk do te mundi te punoje lirisht ka menduar qe te vije e te punoje ne Shqiperi. Hyrja e nje kapitali kaq me rendesie, mendoj se do te jete nji fitim per mekembjen t’one ekonomike.” Haberlandi siç flitet nëpër dokumentet e korrespondencës midis institucioneve të larta shqiptare kishte si plan të ndërtonte një shoqëri që do të merrej kryesisht me ndërtime të mëdha, si rrugë, ndërtesa qytetesh dhe ndërtesa me funksion për bujqësinë dhe industrinë. Ministria shqiptare e ekonomisë në parim bie dakord por kërkon edhe një plan të detajuar në lidhje me investimin e këtyre kapitaleve.

Në lidhje me planet dhe ardhjen e Haberlandit në Shqipëri me gjithë hulumtimet e bëra në arkivat shqiptare, nuk e mësojmë më tej rrjedhën e ngjarjeve. Si rast që duhet të përmendet është edhe përpjekja për të shpëtuar Norbert Joklin. Përsa i përket shpëtimit të Joklit dhe të bibliotekës së tij kemi edhe letërkëmbimin, gjatë periudhës 1. 5. 1941 – 25. 4. 1942, të konsullit shqiptar në Vjenë, dr. Nikollë Rrotës me Mëkëmbësinë e Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë. Edhe nënshtetasi gjerman hebre Josef Zavarrik ishte artist dhe jetonte në Berat.367 Dy mjekë të tjerë që ndodheshin në Shqipëri në vitin 1942 janë dentisti Shefer Paolo Chezza, i cili qe i internuar në Berat dhe pas lirimit të tij lejohet të shkojë në Pejë, dhe mjeku Gerassi Masha, me nënshtetësi bullgare, i cili banonte në Tiranë dhe lejohet të transferohet po ashtu për në Pejë.

Mjek tjetër hebre, i cili jetonte po ashtu në Tiranë dhe mesa duket kishte edhe licencë për ushtrimin e detyrës ishte edhe Lodovik Kolmar. Një intelektual tjetër me profesion inxhinier, që gjendej në Shqipëri në vitin 1943, por që ishte i internuar në kampin e Kavajës ishte edhe Maksvajcner (emri i panjohur- E. M.), i cili po në atë vit merr edhe një leje për të shkuar në Tiranë për mjekim. Mbi të nuk dimë gjë më tepër. Inxhinierë të tjerë që qenë të pranishëm në Shqipëri qenë Maks Shtohël (Max Stochl), Oto Veber (Otto Weber), Albert Englih (Albert Englich), Artur Vajs (Artur Weiß), Hern Shtiglic (Hern Stieglitz), dhe inxhinieri austriak Leopold Polak, i cili ishte në Shqipëri gjatë vitit 1938.

Këto ishin vetëm disa emra intelektualësh që fati i solli në Shqipëri, por që pastaj duket se u larguan dhe mbi fatin e këtyre të fundit nuk dimë më asgjë.

Burimi: Edmond Malaj

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit