Përse Jeruzalemi është qendra e botës?
Kryeqyteti i Izraelit është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit
Dr. Bledar Kurti
Jeruzalemi është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit. E dëgjojmë shpesh edhe në lajme për konflikte të vazhdueshme, për sulme me raketa apo akte terroriste që i bëhen vazhdimisht apo subjekt debati midis shteteve për shkak të tensioneve të vazhdueshme që i shkaktohen shtetit të Izraelit. E gjitha kjo ndodh pasi pjesa më e madhe e popullsisë së botës e konsideron si tokë të shenjtë. Duhet të njohësh historinë dhe duhet ta shkelësh vetë për të kuptuar rëndësinë. Nëse e shkel qoftë edhe për një herë në jetë nuk do jesh më i njëjtë. Jeruzalemi: Qendra e botës; Qyteti i lotëve.
Në dalje të Aeroportit Ben Gurion të Tel Avivit, mahnitesh nga një menuka e artë e krijuar nga gjeniu i artit Salvador Dali, i cili ia dedikoi këtë vepër popullit hebre me këtë shënim: “Ju, o popull hebre, populli i zgjedhur i Perëndisë, bijtë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ju që keni treguar një përkushtim të pashoqë për të ruajtur traditën, për gëzimin që tregoni në festat dhe festivalet tuaja, unë krijova këtë Menorah. Teksa ju luteni me besimin tuaj të patundur për lavdinë e prejardhësve tuaj dhe për triumfin e së vërtetës, unë dua të shoh qartazi dritën e pastër dhe të gjallë, përmes një tributi ndaj popullit tuaj.”
Sigurisht, të vjen natyrshëm të bësh një fotografi përpara këtij simboli dhe si kujtesë e impresionit të hapave të para në tokën izraelite. Por sapo u dëgjua kliku i shkrepjes së aparatit tim fotografik, një roje i armatosur m’u afrua duke kërkuar që të mos bëja më foto me aeroportin në sfond për çështje sigurie. Dhe janë këto momente që të kujtojnë se nuk ke shkelur në një vend të zakonshëm por në një vend ku çdo hap dhe gjest që bën aty, ka një domethënie.
Dhe kjo ndjesi e vizitës në një vend të pazakontë vazhdon edhe rritet kur kupton që shumcia e popullatës në rrugë dhe në shërbime pune janë të rinj dhe të reja. Dhe kur sheh që recepsionisti i hotelit mban një pistoletë në brez, emocione të përziera vijnë edhe ikin.
Rrugës për nga Tel Aviv në Jeruzalem mahnitesh me pemët e portokalleve buzë rrugës të cilat rrëzonin kokrrat krejtë shkujdesshëm. Në një vend me klimë të thatë mesdhetare sistemi i ujitjes dukej gjenial. Sa më shumë t’i afrohesh Qytetit të Shenjtë aq më shumë rrëmbehesh nga emocionet.
Shoferi i përgjigjet pyetjes time, të lindur nga frika e sulmeve me raketa që shfaqeshin në televizor, me një shpjegim të bollshëm dhe krenar të mbrojtjes izraelite. I pozicionuar midis vendeve arabe, të cilat jo vetëm që e kanë halë në sy, por janë betuar t’a shfarosin shtetin e Izraelit nga faqja e dheut, për t’u mbrojtur Izraeli ka ngritur jo vetëm një ndër ushtritë më të fuqishme të botës, por ka edhe armatimet më moderne që i përkasin gjeneratës së re. Për t’i rezistuar sulmeve të vazhdueshme me raketa, Izraeli ka ngritur një sistem mbrojtje kundër raketë të quajtur Kupola e Hekurt. Ky sistem nuk lejon raketat të bien në tokën izraelite. “Tre javë përpara, zotëri,” tha shoferi “u lëshuan mbi 300 raketa drejtë Tel Avivit, dhe vetëm njëra prej tyre arriti të shpërthejë në tokë, por pa krijuar dëme. Jemi të sigurtë me sistemin tonë të mbrojtjes.”
Kur hyn në Jeruzalem ndien një forcë të madhe magnetike brenda vetes. Menjëherë shpirti rëndohet dhe të duket sikur një barrë e madhe të vihet mbi supe. Edhe qepallat e syve rëndohen prej depozitës të zmadhuar të lotëve që njeriu, për respekt ndaj vetes, mundohet të mos i lëshojë. Ky magnetizëm rritet gjithnjë e më shumë kur hyn brenda mureve të Jeruzalemit të Vjetër.
Me një sipërfaqe me më pak se një milje katror ai është ndarë në katër pjesë: pjesa e hebrenjve, pjesa e të krishterëve, pjesa e armenëve, dhe pjesa e muslimanëve. Brenda një rreze me pak metra distancë, besimet më të mëdha të botës kanë vendet e tyre më të shenjta të cilat përbëjnë egzistencën e tyre.
Hebrenjtë kanë Murin Perëndimor, i njohur si Muri i Lotëve, i cili është fragmenti i vetëm i mbetur nga muri i Tempullit; Të krishterët kanë Kishën e Varrit të Shenjtë, brenda të cilës është shkëmbi i Golgotës ku u kryqëzua Krishti, dhe diku aty pranë varri ku u shtri Krishti përpara se të ringjallej; dhe muslimanët kanë Kupolën e Shkëmbit për të cilën muslimanët besojnë se Muhamedi udhëtoi për në parajsë.
Ja përse Jeruzalemi është konsideruar që prej kohëve të hershme si qyteti ku banon Perëndia.
Kur përballesh me Murin e Lotëve trupi të rrënqethet i tëri. Sheshi përballë murit është i mbushur me rabinë, besimtarë të thejshtë, hebre ortodoksë, ushtarë, turistë, etj, të cilët prekin me dëshpërim gurët e murit, recitojnë Torën, luten me gojë por edhe me letra të cilat vendosen midis gurëve të murit. Në fund të ditës letrat e lutjeve mblidhen dhe digjen në një nga shpellat e malit të ullinjve jashtë mureve të Jeruzalemit të Vjetër.
Në një atmosferë të tillë kupton që besimi është substanca e gjërave që shpresohen, dhe evidenca e gjërave që nuk shihen. Muri i Lotëve është simboli i besimit, prejardhjes, dhe rezistencës së hebrenjve. Ajo tokë e Tempullit u ble nga Mbreti David pasi ishte vendi ku Abrahami ishte gati të sakrifikonte Isakun. Aty, djali i Davidit, Mbreti Solomon ndërtoi Tempullin rreth vitit 957 para Krishtit por që u shkatërrua nga babilonasit dy shekuj më vonë. Tempulli u ndërtua për herë të dytë dhe u shkatërrua nga romakët në vitin 70 pas Krishtit. Hebrenjtë besojnë se Tempulli do ndërtohet për herë të tretë, dhe sipas tyre kjo do të jetë shenja profetike e shpëtimit të Izraelit nga të gjithë armiqtë. Pra ai mur me pak metra simbolizon rezistencën e hebrenjve ndaj babilonasve, sirianëve, filistejve, romakëve, otomanëve, jordanezëve, dhe simbol i mbijetesës së përndjekjes, shfarosjes, dhe holocaustit nazist me 6 milionë jetë hebrenjsh, dhe me dhjetra milionë të tjerë të vrarë nga Stalini.
Jeruzalemi është pa asnjë dyshim qendra e botës. E gjithë historia e njerëzimit përmblidhet gjeografikisht brenda pak qindra metrash katrorë. Të gjitha besimet në një pikë. A mund të përkthehet pra që Zoti është një? A mund t’a krahasojmë me harmoninë fetare shqiptare? Jo, do ishte gabim historik. Kjo qendër e botës është edhe qyteti i lotëve. Paqja është e brishtë dhe luks, dhe nuk mund të quhet paqe fetare por thjeshtë balancë koordinimi gjeografik dhe skemë e përkohshme në pritje të shpëtimit përfundimtar.
Jeruzalemi u pushtua nga muslimanët për 1300 vjet. Duke hequr periudhën e kryqëzatave, kjo periudhë kaq e gjatë në historinë e popullit hebre është e paharrueshme dhe me vrragat më të rënda sesa edhe djegia e Tempullit nga romakët, pasi për 1300 vite hebrenjtë u endën nëpër botë të persekutuar dhe përbuzur, pa atdhe, deri në krijimin e shtetit të Izraelit në vitin 1948.
Sapo hyra në zonën muslimane një sms erdhi në celular: “Mirëseerdhët në zonën muslimane. Shijoni ushqimet e mrekullueshme dhe aromën e jaseminës.” Në dukje, këto detaje të ëmbla të joshnin momentalisht për një turizëm egzotik, por, kur diku, syri të kapte ushtarët izraelitë të armatosur gjer në dhëmbë me gishtin e gatshëm në këmbëzën e automatikut M16, vigjilentë për ndonjë trazirë të mundshme, e kuptoje se ajo pamje shumëngjyrëshe kulturore dhe fetare mund të shndërrohej në apokalips brenda një sekonde.
Jeruzalemi është Qyteti i Lotëve. Përtej Murit Perëndimor, pasi çdo qenie njerëzore do përlotej me apo pa vullnet, madje edhe një gurë do shkrihej vetiu, këmbët të çonin tek Via Dolorosa, Rruga e Mundimit. Kjo rrugë kishte marë këtë emër pasi ishte rruga që kishte përshkruar Krishti, me kryqin mbi shpinë, për në Golgotë, vendin ku do të kryqëzohej. Në fillim u ndieva i privilegjuar që këmbët e mia po ecnin mbi të njëjtët gurë që kishin prekur Krishtin, por arrita t’a mund krenarinë dhe krahasimin tim, pasi nëse Krishti po shkonte drejtë vetë-flijimit për të larë mëkatet e të gjithë atyre që do besonin në të, duke bërë sakrificën më të madhe në historinë e botës, sakrifikca më e madhe që një vdekatar si unë mund të ketë bërë nuk ka të krahasuar me atë sakrificë shpaguese dhe sublime.
Rruga e Mundimeve përfundonte me shkëmbin e Golgotës ku Jezus Krishti u kryqëzua, mbi të cilin Helena, e ëma e Kostantinit të Madh, ndërtoi Kishën e Varrit të Shenjtë rreth vitit 326 pas Krishtit. Besohet se gjatë ndërtimit të kishës, Helena zbuloi kryqin e vërtetë dhe një varr ku besohet se u vendos Krishti për tre ditë përpara se të ringjallej.
Brenda kishës, ajri ishte i mbushur plot pikëllim dhe me rëndesën e mëkatarëve të penduar apo në kërkim të pendimit që kishin ardhur për pelegrinazh që nga koha e Kostantinit e deri në ditën që kisha shkelur unë. Në muret e brendshme kishte kryqe të gdhendura nga pelegrinë të shekujve të parë, varre kryqtarësh, gozhda romake, një shkëmb i krisur siç përshkruhet në Bibël pasi Jezusi dha shpirt, pllakë prej guri mbi të cilin ishte vendosur trupi i Krishtit për t’u larë përpara se të varrosej, dhe vendi që shërbeu si varr për Krishtin përpara se të ringjallej, poshtë të cilit mendohej të ishte një tjetër varr, ai i Adamit, njeriut të parë, që Perëndia e krijoi nga dheu.
Teksa hyje brenda kishës çdo vizitor ndiej i rënduar por në dalje gjithësecili habitej me ndjesinë e një pastrimi brenda vetes.
Psikologët modernë besojnë tek forca e auto-sygjestionit, pra mendja dikton ato që ndien trupi, por ajo experiencë nuk ishte auto-sygjestion, ai vend kishte përjetuar momentin më të rëndësishëm historik dhe shpirtëror të njerëzimit. Ai vend ishte i mbuluar me gjak për më shumë se dy mijë vjet. Ai vend ishte Kalvari. Ai vend ishte sulmuar nga persë, arabë, kryqtarë, otomanë, etj, që prej dhjetra shekujve, ndërsa tani qëndronte një fije peri larg një konflikti pa kthim që mund t’a ndajë botën në dy pjesë dhe madje t’i japë fund asaj përgjithmonë me një shkatërrim apokaliptik.
Në dalje të Qytetit të Vjetër u ngjita në Malin e Ullinjve ku hyra në Kopshtin e Gjetsemanisë. Nga ky kopësht Jeruzalemi shihej në pëllëmbë të dorës, dhe nga ajo pamje çdo gjë merrte kuptimin historik dhe përputhej me përshkrimet biblike. Kopshti kishte plot ullinj të ri, disa të tjerë qindra vjeçarë, por për habi edhe disa që e kalonin moshën dy mijë vjeçare. Këto ishin ato pemët që e kishin parë dhe dëgjuar Krishtin, kishin qarë me djegien e Jeruzalemit dhe kanë vuajtur dhe duruar me memecerinë e tyre për dymijë vjetë teksa kanë parë pushtues njëri pas tjetrit që kanë dhunuar gurët dhe kanë shfarosur njerëzit.
Shtrydha mendjen duke u munduar të shoh Shqipërinë time në atë panoramë që përmblidhte të gjithë historinë e njerëzimit. Ishte Shqipëria jashtë saj? Ky vend kishte kaluar eksperiencat më të paimagjinueshme të luftës, gjakderdhjes, sakrificës, shfarosjes, rezistencës dhe qëndresës, vetëm për besimin dhe në emër të besimit, ndërsa shqiptarët e sotëm nuk e besoj se do e vinin ujin në zjarr përveçse parasë dhe politikës.
Por shqiptarët nuk janë të ndarë në ato të sotëm dhe të djeshëm, dhe memoria ime historike më solli në vëmendje se lidhja e Shqipërisë me atë panoramë të Jeruzalemit është më e ngushtë se sa vendet e tjera të Europës kanë me Tokën e Shenjtë.
Shqipëria e njohu Jeruzalemin dhe Krishtërimin përpara shumë vendeve të tjera të Europës. Që në shekullin e parë Apostulli Pal shkeli tokën shqiptare dhe ngriti kisha. Dhe emri Iliri gjendet në Bibël ku vetë Pali shkruan: “Me fuqi shenjash dhe çuditash, ne fuqi të Frymës së Perëndisë: kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit.” (Bibla. Romakëve 15:19)
Shqiptarët kanë edhe një lidhje tjetër me popullin hebre. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i fshehu dhe i mbrojti të gjithë hebrenjtë nga nazistët dhe nga plani i tyre i shfarosjes. Dhe nga ky heroizëm i shqiptarëve asnjë hebre, as edhe një i vetëm, nuk ra në duart e nazistëve. Shqipëria është i vetmi vend ku në përfundim të Luftës së Dytë Botërore numri i hebrenjve ishte më i madhe se në nisje të luftës.
Janë këto momente të cilat nuk tregohen me mendjemadhësi se çfarë bënë shqiptarët ndaj popullit hebre, por se çfarë i treguam ne vetes tonë dhe mbarë botës, se çfarë do të thotë të qëndrosh fort dhe i patundur në anën e së mirës kur e keqja nis të sundojë. Ky është një moment i pamohueshëm historik që dëshmon për zemrën e një populli. Një populli të vogël, të varfër, të shtypur dhe i pafuqishëm por me një zemër të madhe me njerëz të besës.
Vetë fjala “besë” rrjedh nga fjala “besim.” Ndaj edhe besimi është shtylla e identitetit tonë kombëtar. Ne si popull besojmë tek jeta, tek vlerat njerëzore, besojmë në Zot dhe tek shpresa, por ajo që duhet dhe është më e domosdoshme se kurrë, besimi tek vetja. Besimi se ne mund dhe duhet t’a bëjmë Shqipërinë. / Novamedia.al/