Dy popuj me fat të ngjashëm në histori

Kumtesë në konferencën kushtuar 31-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, organizuar nga “Israeli House of Albania”


Nga Akademik Shaban Sinani

I pari studiues që i shkoi në mendje të njihej me historinë e hebrenjve në Shqipëri është Lucien Steinberg. Siç mund të merret me mend, kërkesa e tij për të hyrë në arkivat shqiptare në vitin 1971 u refuzua.

Merita e vënies në lëvizje të institucioneve të kujtesës për këtë çështje u takon shqiptaro-hebrenjve Samuel e Gavra Mandil dhe Josef Jakoel, të cilët, qysh në vitin 1989, kërkuan nga Yad Vashem zbulimin e të vërtetave të historisë së shqiptarëve dhe hebrenjve gjatë antifashizmit.

Prekjet e mia të para në burimet e kësaj historie i takojnë mesit të vitit 1990, pak kohë para mbërritjes në Tiranë të dy kongresmenëve amerikanë me origjinë hebreje, Tom Lantos e Joseph Dioguardi, të cilëve u mendua t’u dhurohej një koleksion listash të hebrenjve të strehuar në Shqipëri, që u pritën me shumë bujë në Memorial Museum of Holocaust dhe në Yad Vashem. Në atë kohë as që mund ta përfytyroja se në arkivat kombëtare të Shqipërisë gjendeshin e ruheshin mbi 20 mijë fletë dokumente për këtë problematikë.

Arsyeja kryesore pse nuk u shfaq për disa dekada me radhë kurrfarë interesi për dokumentet e bashkëjetesës midis shqiptarëve e hebrenjve është se, në vitet e tmerreve të luftës, asnjë strehuesi të një familjeje hebreje, apo qoftë dhe të 40 hebrenjve njëherësh, si familja Rezniqi në Deçan, nuk i shkonte në mendje se, me këtë akt, po merrte merita historike apo se dikur do të shpallej “Fisnik mes Kombesh”.

Me hapjen e arkivave dhe me komunikimin me Botën u morën vesh fakte të pabesueshme: një prift katolik në Tiranë pagëzoi si të krishterë pa asnjë ditë katekizëm disa hebrenj që i kërkuan ndihmë; një nënprefekt në Kavajë i dha vetes kompetencën e kryetarit të shtetit dhe nxori vendime për dhënie shtetësie hebrenjve të rrezikuar; një mjek në Prishtinë zbrazi spitalin dhe çoi në shtëpi të sëmurët vendës për të fshehur aty hebrenjtë; një fotograf në Tiranë e një në Tetovë i kthyen studiot e tyre modeste në zyra të gjendjes civile, ku u shtypën dhjetëra letërnjoftimi për të albanizuar në emra hebrenjtë; dhe, për të arritur kufirin e së pabesueshmes, një zyrtar i lartë në Shkodër, pasi i pagoi komandës naziste kushtin paraprak, 1500 napolona, i drejtohet shkresërisht asaj me kërkesën: Tani na ktheni hebrenjtë tanë të arrestuar.

Brenda këtij konteksti dhe kësaj psikologjie është dhe telegrami që Fan S. Noli i shkroi Hitlerit në vitin 1941 për të kërkuar lirimin e albanologut hebre Norbert Jokli, i deportuar pa adresë nga Gestapo-ja naziste.

Noli i drejtohet kreut të nazizmit me një ftohtësi të akullt: “Udhëheqësi në Berlin, Gjermani”, pa asnjë cilësim tjetër, për të vijuar:

“Shqiptarët janë shqetësuar për shëndetin e keqësuar të profesorit në pension të Universitetit të Vjenës dr. Norbert Jokl, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare dhe pasuesit më të shkëlqyer të një vargu të gjatë studiuesish, që kanë bërë një punë të paçmueshme për historinë, letërsinë dhe folklorin e Shqipërisë. Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje zotërisë suaj për ta ndihmuar këtë studiues të madh albanolog në çfarëdo mënyrë në kushtet e tashme të vështira”.

Shqiptarët zakonisht nuk janë dhe aq modestë. Por në rastin e marrjes në mbrojtje të hebrenjve kanë provuar se nuk bënë asgjë për t’u mburrur. Prandaj, kur në veprimtaritë e viteve të fillimit për Ditën e Kujtesës ekspertët europiane përpiqeshin t’i zgjidhnin me takt fjalët për të na këshilluar të theksojmë më shumë reflektimin e jo të flasim për merita, në fakt vetëm sillnin habi. Sepse mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët nuk ka qenë projekt për merita historike, por reagim i vetvetishëm.

Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë: edhe sot shumica e shqiptarëve nuk e di se ka një rezolutë nderi të OKB-së për vlerësimin e meritave të popullit shqiptar në mbrojtje të hebrenjve gjatë Shoah; se ka pesë rezoluta të tilla me të njëjtin vlerësim nga Kongresi i SHBA dhe se Shqipëria është shpallur “Shtëpia e Jetës” në Izrael.

Shqiptarët dhe hebrenjtë kanë pasur fat të ngjashëm në histori. Dy popuj që ekzistonin me organizim urban qysh në antikitet, por vetëm në shekullin e 20-të mundën të formojnë shtetet e tyre kombëtare. Dy popuj që – njëri në të drejtën etnozakonore shqiptare e tjetri në Talmud, kanë sanksionuar shenjtërinë e jetës. Dy popuj të sprovuar me dëbimin a inkuizicionin, privimin nga e drejta për të pasur shtetin e tyre kombëtar.

Me mbarimin e luftës shumë prej hebrenjve që u strehuan në kohë rreziku u kthyen në vendet e origjinës ose u riatdhesuan. Rreth 300 hebrenj qendruan në Shqipëri. Më 1990, kur dhjetëra mijë shqiptarë iu drejtuan Perëndimit, pjesa më e madhe e hebrenjve që kishin mbetur në Shqipëri gjithashtu kërkoi të lejohej për t’u bashkuar me të afërmit në Izrael. Kohët e fundme pata rastin të njihem me një koleksion dokumentesh të rralla për mënyrën si u realizua riatdhesimi.

Për çdo familje hebreje që bëri kërkesë për lënie shtetësie, Sigurimi, i njohur për rreptësinë e tij, përgatiti një dosje. Ishte befasuese për mua të lexoja rregullisht në vlerësimin zyrtar: qytetar me sjellje të denja, shtetas i respektuar, mjeshtër i shquar në profesion, populli e di se janë shqiptarë. Ka vetëm një rast pengimi, por edhe ky është rast pozitiv: këtë person të mundohemi ta mbajmë, sepse ka kontribut të rrallë si mjek në qytetin e tij. Shqiptarët dhe hebrenjtë jetuan në kohë të qeta e të trazuara harmonikisht sepse vetë hebrenjtë ishin shtetas të devotshëm dhe njerëz të talentuar.

Sot është dita e tretë që personalitete e institucione shqiptare dhe hebreje nderojnë bashkërisht Ditën e Kujtesës. Prania e një delegacioni shumë të rëndësishëm që ka ardhur nga Izraeli, me studiues e miq nga Britania e Madhe, Australia, Zvicra, Gjeorgjia e vende të tjera shpreh vlerësim për gjithë këtë histori bashkëjetese, që nuk lidhet vetëm ne Shoah, sepse shqiptarë e hebrenj i kanë kaluar shumë herë me të njëjtin solidaritet momentet historike delikate e të mbijetesës.

Në konferencën e zhvilluar në Akademinë e Shkencave doli e qartë se është e nevojshme të krijohen shenjat publike të kujtesës, në formën e memorialit, obeliskut a në forma të tjera për të mbijetuarit, strehuesit dhe në mënyrë të veçantë për 17 hebrenjtë dëshmorë për lirinë e popullit shqiptar. Botimet e konferencat mbeten një përparësi tjetër.

Të vërtetat historike kanë rëndësi jo për t’ia thënë njëri-tjetrit, por për ta përcjellë të shëndetshme këtë miqësi në brezat e rinj.
Bashkëpunimi është i mundshëm jo vetëm për hir të historisë, por edhe prej favoreve gjeografike, si dy popuj mesdhetarë me standarde e jetë europiane. Ne jemi të interesuar për bashkëpunim shkencor, por kjo është e kushtëzuar nga bashkëpunimi ekonomik. Çdo investitor don të dijë për sigurinë dhe veçanësitë e vendit ku investon.

Një afarist i ri i Izraelit, që nuk njeh historinë tonë të përbashkët, për shkak të përvojës rretheqark vendit të tij, mund të stepej kur do t’i thuhej për herë të parë, siç është bërë zakon të thuhet, se Shqipëria është vend me shumicë myslimane dhe duhet kujdes etj. etj. Por, pas njohjes së drejtpërdrejtë të këyre ditëve do të merrte frymë lehtë, duke mësuar se shqiptarët janë populli më pak antisemit në Botë, siç pat shkruar gati njëqind vjet më parë Herman Berntstein.

Akademia jonë e Shkencave po e shfrytëzon këtë rast për të shprehur interesimin tonë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me institucionet homologe në Izrael sidomos në shkencat e reja, si nanoteknologjia, bioteknologjia e inteligjenca artificiale, por dhe në dije më tradicionale si sizmologjia, gjeologjia e teknologjia e naftës dhe studimet në fushat humanistike.

****
Kumtesë në konferencën kushtuar 31-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, organizuar nga “Israeli House of Albania”
www.akad.gov.al

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit