Klosi takon ministrin Levin, pritet fluks i madh turistësh izraelitë
Shqipëria ishte pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit – IMTM Tel-Aviv në Izrael
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, zhvilloi një takim pune me ministrin izraelit te Turizmit Yariv Levin në Izrael. Ministri Klosi shoqërohej nga ambasadori Bardhyl Canaj.
Sipas ambasadës shqiptare në Izrael, dy ministrat diskutuan projektet e ardhshme në fushën e turizmit.
“Me këtë rast, u vlerësua rritja e fluksit të turistëve izraelite ne Shqipëri si dhe funksionimi mjaft i mirë i fluturimeve direkt me Shqipërinë nga kompania IsrAir, e cila ofron fluturime direkte duke filluar sezonin nga muaji prill-tetor”, shkruan ambasada në një njoftim të saj.
Ministri Klosi gjatë takimit bilateral me Ministrin izraelit te Turizmit Yariv Levin. Diskutuan projektet e ardhëshme në fushën e turizmit. Me këtë rast, u vlerësua rritja e fluksit të turistëve izraelite ne Shqiperi. pic.twitter.com/SDQGBxf2Vt
— Albania in Israel (@AlEmbassyIsrael) February 13, 2019
Israir do të rifillojë sërish fluturimet direkt drejt Shqipërisë, më 18 prill.
Shqipëria ishte pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit – IMTM Tel-Aviv në Izrael (12-13 shkurt) dhe që përkon me 25-vjetorin e këtij edicioni.
(International Mediterranean Tourism Market – IMTM është panairi turistik profesional më i madh i këtij lloji në Mesdheun Lindor, dhe si të gjithë panairet e tjerë shërben për të promovuar turizmin hyrës, turizmin shtëpiak dhe atë të dalës.
Shqipëria paraqiti bukuritë e saj natyrore, duke prezantuar resurset e saj turistike. Agjencia Kombëtare e Turizmit u përfaqësua me një stendë të kuruar me shumë kujdes me pamjen e qytetit 2419-vjeçar të Beratit. Në stendë morën pjesë gjashtë tur-operator shqiptarë.
Gjithashtu, ministri shqiptar dha edhe një intervistë për rrjetin televiziv izraelit të lajmeve i24NEWS, në seksionin anglisht.