“Jewish Daily Bulletin”: Shqipëria krijon Fondin Kombëtar të Hebrenjve
Fondi u krijua, më 13 janar 1937 dhe drejtohej nga Menachem Yomtov dhe Isaac Cohen.
Agjencia Hebraike e Lajmeve, përmes buletinit të saj ditor, “Jewish Daily Bulletin”, më 14 janar 1937, bën të ditur krijimin në Shqipëri të Fondit Kombëtar të Hebrenjve (Jewish National Fund), të drejtuar nga hebrenjtë me banim në Shqipëri, Menachem Yomtov dhe Isaac Cohen.
“Tiranë, Shqipëri 13 janar (JTA) – Aktivitetet sioniste u lançuan në këtë vend për herë të parë sot kur krijimi i një komiteti të Fondit Kombëtar të Hebrenjve u autorizua nga Qeveria. Komiteti udhëhiqet nga dy kolonët më të vjetër hebrenj të Shqipërisë, Menachem Yomtov dhe Isaac Cohen”, thuhet në lajmin e “Jewish Daily Bulletin”.
Fondi u miratua me vendim të Qeverisë shqiptare të kohës, të kryesuar nga Kostaq (Koço) Kota (kryeministër), dhe me mbështetjen e posaçme të Mbretit Zog.