“Ataket e panikut”- Si krijohen në organizmin njerëzor dhe a janë të rrezikshëm? – Këshillat e “Be the Change”
Nga Kristina Qirici, Qendra e Këshillimi & Psikoterapisë “BE THE CHANGE” – Ju ka ndodhur ndonjëherë të ndjeni papritmas bllokim të frymëmarrjes, rrahje të shpejta të zemrës dhe marramendje ose djersitje të duarve? Këto simptoma vijnë papritmas dhe në më të shumtin e rasteve krijojnë ndjenja frike, se diçka po ndodh me shëndetin dhe veçanërisht me zemrën…
Nga Kristina Qirici, Psikologe – Psikoterapiste CBT
Qendra e Këshillimit & Psikoterapisë “BE THE CHANGE”
www.psikoterapia.al
Çfarë janë ataket e panikut, si krijohen në organizmin njerëzor dhe a janë të rrezikshëm?
Shumë herë dëgjojmë se një person i njohur ose mik ka përjetuar qoftë edhe një herë në jetën e tij atak paniku ose për më tepër mund të ketë ndodhur te ne dhe thjeshtë nuk kemi mundur ta evidentojmë. Për shembull, ju ka ndodhur ndonjëherë të ndjeni papritmas bllokim të frymëmarrjes, rrahje të shpejta të zemrës dhe marramendje ose djersitje të duarve?
Këto simptoma vijnë papritmas dhe në më të shumtin e rasteve krijojnë ndjenja frike, se diçka po ndodh me shëndetin dhe veçanërisht me zemrën. Në rast se nuk keni një diagnozë mjekësore që të ndërlidhet dhe të konfirmojë mendimin shkatërrues të krijuar, mund të shohim si sillet një atak paniku dhe ndoshta atëherë do mund të kuptojmë dhe, pse jo, ta falim për simptomat e fuqishme dhe të shëmtuara që na ka shkaktuar.
Fillimisht, ndjesia e frikës që kemi kur pësojmë atak paniku shfaqet pa ndonjë ngacmues specifik që mund të konsiderohet si burim. Por, mundet të jenë arsye dytësore që e përforcojnë, si lodhja fizike, konsumimi në sasi të lartë të kafeinës dhe në dobësimi i sistemit imunitar. Do mund të bëjmë një analogji të shfaqjes së atakut të panikut me shfaqjen e simptomave të para të gripit.
Është e rëndësishme të theksohet se në asnjë rast ataku i panikut nuk është i rrezikshëm në mënyrë direktive ndaj shëndetin, ndërsa mund të shfaqet dhe gjatë gjumit. Por, le të shohim cilat janë simptomat që na drejtojnë në shpjegimin e ndjesive somatike.
Mendimi të cilin kanë shumica e njerëzve momentin e atakut të panikut është se po pësojnë atak kardiak. Ky mendim nuk ka bazë mjekësor, duke qenë se dhimbja e zakonshme në rast emfrakti (dhimbja qendrore në gjoks e orientuar kryesisht në shpatullën e majtë ose në mjekër) mbetet stabel. Ndërsa, në ataket e panikut dhimbja ka intensitet në rritje, për shkak të rritjes së oksigjenit në tru si pasojë e shpeshtimit të ritmit e thellësisë së frymëkëmbimit. Për më tepër, rrahjet e shtuara të zemrës dhe rritja e tensionit arterial që evidentohet gjatë një krize paniku, nuk i lejojnë individit të humbas ndjenjat dhe të kalojë në gjendje të fikti, edhe nëse ka ndjesinë. Në ato momente ekziston ndjesia e frikës se do humbas kontrollin, ndërsa në fakt ka aftësi reale të veprojë në mënyrën e duhur.
Gjithashtu, përgjatë krizës së panikut organizmi hyn në një gjendje vetëkontrolli ku vëmendja orientohet në aktivitetet somatike, në mënyrë që të reagojë në çdo moment për t’u mbrojtur.
Lidhur me raportet sociale të personit që përjeton atakun e panikut, shpesh pohohet, ndjesia e shmangies ose ndjenjat e turpit ndaj të tjerëve, veçanërisht nëse vihen në dijeni për përjetimet e tij. Në më të shumtën e rasteve njerëzit e tjerë nuk i dallojnë krizat e panikut, por kuptojnë sjelljet vetëmbrojtëse që zhvillon personi që vuan nga ataket. Këto reagime formohen nga individi për parandalimin dhe përballimin e atakut të radhës. Të gjithë, për shembull, që përballen me atake paniku zakonisht mbajnë me vete gjithmonë një shishe me ujë të ftohtë në rast se përjetojnë marramendje. Shishja e ujit shpjegohet si sjellje mbrojtëse.
Ataket e panikut kanë morfologji specifike. Karakteristika kryesore është se shfaqen papritmas dhe nuk ka një mënyrë rixhide që të përfundojnë. Megjithatë, largohen vetë pas disa minutash (afërsisht zgjasin deri 20 minuta). Por, mund të ndodhin atake paniku të përsëritura, të njëpasnjëshme që mund të zgjasin për disa orë. Rezultati kryesor lidhur me krizat, është se ndjesia e frikës nuk vjen si pasojë e një kërcënimi të jashtëm dhe as nga rreziqe reale.
Së fundmi, nuk duhet të lidhen ataket e ankthit me ataket e panikut. Kriza e ankthit diferencohet nga ataku i panikut kur nuk ka interpretim shtatërimi të mundshëm vetjak të ndjesive somatike nga vetë personi (“diçka e keqe do ndodh”, “mund të vdes”, “mund të pësojë atak kardiak”).
{Jepini kohë atakut të panikut t’ju vërtetojë se nuk është i aftë t’ju dëmtojë në mënyrën që ju besoni në ato momente krize, thjeshtë ndoshta dëshiron t’ju rikujtojë, se ju nevojitet të kujdeseni gjithmonë për shëndetin tuaj psikik}.