Ekonomisti hebre Josef Kantozi, “konti” që luftoi kundër Italisë në Luftën e Vlorës
Josefi e donte Vlorën dhe i çmonte vlonjatët. Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë, është në nderin e tyre, të mos e harrojnë dhe të vlerësojnë patriotizmin dhe kontributin që dha hebreu i Vlorës, për Pavarësinë e Shqipërisë.
Nga Enver Memishaj
Në Vlorë ka qenë vendosur një komunitet hebre që në kohë të hershme. Hebrenjtë apo izraelitët e Vlorës dalloheshin si një komunitet i urtë dhe i zgjuar. Asnjë prej tyre nuk bëri punë krahu, por të gjith burra e gra ishin ose zanatçinj, ose nëpunës.
Vlonjatët i respektuan dhe vlerësuan, bënë krushqi me ta, i mbrojtën gjatë Luftës Antifashiste dhe asnjëherë nuk patën kontradita me ta, çka flet për shpirtin e gjerë të vlonjatëve dhe humanizmin e tyre.
Jeta më lidhi edhe mua me këtë komunitet simpatik. Shok klase me doktoreshën Ana Kohen, që u bë e famshme në Amerikë, fqinj me Minush dhe Gracjella Solomonin, shok klase me Jakov dhe Rashela Solomonin, etj.
Irakliu, djali i hallës sime, u martua me vajzën e Barut Levit dhe e mbylli jetën e tij në Izrael. Mund të vazhdonim gjatë me këto lidhje, me humanizmin dhe shpirtin e gjerë të vlonjatëve.
Në këtë 100-vjetor të Luftës heroike të Vlorës gjeta në shënimet e mia se Josef Kantozi prej këtij komuniteti, kishte marrë pjesë me armë në dorë në këtë luftë, si dhe kishte dhënë para për nevojat e luftës, por vetëm kaq, prandaj u interesova për këtë patriot vlonjto – izraelit dhe Rashel Solomoni nga Filadelfia dhe intelektualë të tjerë vlonjatë ma ndriçuan figurën e këtij patrioti.
* * *
Josefi ishte i biri i Mushos dhe Masaltos, kishte lindur në Vlorë më 17 gusht 1890 dhe ka qenë banor i lagjes “Vrenez”, ku banoja edhe unë.
Ai i takonte një familje të pasur tregëtare hebre, e cila ishte vendosur në Vlorë rreth viteve 1800-1834, për t’i shpëtuar perndjekes e shfarosjes së Spanjës.
Josefi e kaloi rininë në Vlorë dhe kreu studimet e larta në Itali për ekonomist.
Vlonjatë tregojnë se Josefi ishte një djalë i gjatë, i bukur, shumë elegant, flokët i mbante përherë të lyera me brilantin pasi i përkiste një familje ndër më të pasurat hebreje në Shqipëri, që ishte edukuar në Italinë fqinje. E donte jeten dhe dinte ta shijonte atë .
Pushimet i kalonte në Brindisi ku kish lokalet e tij të preferuara, mbante të rezevuar dhomë në hotel, kish karrocën e tij me kalë të bardhë e karrocierin që kujdesej gjatë gjithë vitit për mirëmbajtjen e tyre, me pagesë për të qenë në gatishmëri në ditët e tij të pushimit në Itali. Italianët e shihnin shpesh që vinte nga Shqipëria, e nuk dinin më shumë për të, veçse ish një pasanik shqiptar, ndaj i thërrisnin ‘konte d’Albania’.
Josefi e donte Vlorën dhe i çmonte vlonjatët. Deri vonë është treguar në Vlorë shprehja e kësaj dashurie dhe respekti: Në një nga ditët e zakonshme të pushimit, shkoi herët në restaurant për të ngrenë mëngjesin. Lokali ishte plotë me klientë italianë. Pranë tryezës së tij ishin ulur disa të rinj, simpatizant të fashizmit, të cilët sa e panë që hyri, buzëqeshën me ironi. Ndërkoh njeri prej tyre iu afrua Josefit, nxorri prej xhepit një kartëmonedhë një liretëshe italiane, e ndezi para syve te tij duke e shoqeruar me fjalët: “Ja, kështu do ta djegim ne italianët, Shqipërinë tënde”!
Në këtë moment, Josefi qetë-qetë, nxorri prej xhepit një kartëmonedhë njëmijë liretëshe, ndezi çakmakun e nën flakët e zjarrit që përpinin kartëmonedhën italiane iu drejtua djaloshit perkarshi me zë të lartë: “Kështu do ta djegim ne shqiptarët Italinë”!
Josefin e arestuan dhe menjëherë e burgosen. Familjes iu desh të paguante një shumë të madhe të hollash për ta liruar prej burgut. Ky pra ishte Josefi ynë, qe e donte Shqipërinë e Vlorën mbi gjithçka.
Por ai do të mbetej në historinë, mëndjen dhe shpirtin e vlonjatëve në atë vitin e bekuar 1920, kur shqiptarët rrëmbyen armët, hodhën në det pushtuesit italianë dhe rishpallën Pavarësinë e Shqipërisë të përmbysuar nga Lufta e Parë Botërore.
Në këtë vit do të shkëlqejë edhe patriotizmi i Josef Kantozit. Ai ishte pjesë e përgatitjes së ilegalëve vlonjatë me para, për të bërë atë luftën e madhe.
Nga fundi i muajt dhjetor 1919, Josef Kantozi në krah të qytetarëve vlonjatë Jani Minga e Toli Arapi do të marrë pjesë në mbledhjen që u organizua në shtëpinë e Osmën Haxhiut, ku zgjodh një komitet për drejtimin e luftës që po përgatitej kundër pushtuesit italian.
Hebrej të Vlorës ndihmuan patriotët vlonjatë me para, por Josef Kantozi është i vetmi hebre që iu bashkua luftës me para dhe me pushkë në dorë. Në këtë luftë atë e shpinte dashuria për Vlorën dhe Shqipërinë, ideali i përbashkët me udhëheqësit e luftës Osmën Haxhiun e Ahmet Lepenicën.
Sakrifikoi për lirinë e Shqipërisë jo vetem pasurine, por ish gati te sakrifikonte edhe jeten e tij dhe këtë e provoi kur luftoi me pushkë në dorë në krah të vëllezërve vlonjatë.
Ndarje fetare, sikundër thotë Romeo Gurakuqi, në Vlorë nuk ka ekzistuar ndonjëherë që kur është krijuar bota. Në këtë luftë ortodoksë e katolikë krahas vëllezërve të tyre muslimanë si dhe komunteti izraelit u gjendën në udhëheqje të luftës me armë dhe me para: si Spiro Jorgo Koleka, Jani Minga, Aristidh Ruci, Toli Arapi, Dhimitër Bala. Në Vlorë ka shumë pak katolikë, afro 10 familje, por edhe këta me në krye udhëheqësit e tyre shpirtëror si Dom Mark Vasa që u internua në Sazan, At Shtjefën Gjeçovi që ngriti flamurin e fitores në Kaninë me myslimanin Ahmet Lepenica, nëntoger Kolë Zadrima, e të tjerë u gjendën në ballë të luftës.
Në përfundim të luftës me fitore Josef Kantozi nuk u nda nga udhëheqësit e luftës për vendosjen e rendit dhe qetësisë. Kështu sipas kujtimeve të Hasan Pulos prefektura e Vlorës me z. Hamza Isain më ngarkuan mua, Aziz Çamin dhe Toli Arapin për organizimin e policisë në Himarë dhe në krah të Tol Arapit do të ishte edhe hebreu Josef Kantozit.
Më pas Josef Kantozi u mor me tregëti. Në vitin 1939, me pushtimin e vendit nga Italia, jeta e komunitetit hebre u vështirësua, për arsyet që dihen. Më 14 maj 1939 Ministria e Brendëshme u kërkon prefeturave të vendit listat emërore të izraelitëve.
Prefektura e Vlorës i përgjigjet Ministrisë më 31 maj 1939: “Bashkangjitur po ju parqesim dy lista njera me izraelitet … me shtetësi shqiptare dhe tjetra me emrat e izraelitëve që janë me shtetësi të huaj…”.
Josef kantozi shënohet në listën e parë, me shtëtësi shqiptare, në numurin rendor 47, lindur më 17.8.1890, ne Vlorë me profesin tregëtar. Në këtë shkresë thuhet gjithashtu se izraelitët nga nr. 47, pra nga Josef Kantozit janë shpërngulë dhe gjenden në Fier. Këto ishin lëvizje për të mbrojtur jetën e tyre nga pushtuesi.
Vlonjatët mbajnë mend se Josef Kantozi, ashtu si në vitin 1920, e ndihmoi edhe Luftën Antifashsite me para.
Fundi i jetës së një patrioti hebre
Me ardhjen në fuqi të komunistëve, kontributi atdhetar i hebreut Jozef Kantozi u harrua dhe u mohua, patrioti u shpronësua dhe mbeti vetëm me rrobat e trupit.
Ai nuk pati asnjë trashgimtar që të kujdesej e të flistë për veprimtarinë patriotike të tij. Vajza e vetme Rashela rreth moshes 18-20 vjeçare, pra aty nga viti 1938, u sëmur rëndë nga veshkat dhe vdiq.
I braktisur dhe i pa vlerësuar nga shteti, pas vdekjes se te shoqes Mazal, u detyrua të mbyllej në azilin e pleqëve.
Patrioti dhe luftëtari i Luftës heroike të Vlorës të vitit 1920, i harruar dhe i braktisur nga shteti si shumica e udhëheqësve të asaj lufte, e mbylli jetën e tij në azilin e pleqëve në Berat rrethi vitit 1960.
Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë, është në nderin e tyre, të mos e harrojnë dhe të vlerësojnë patriotizmin dhe kontributin që dha hebreu i Vlorës, për Pavarësinë e Shqipërisë