Shqipëria i ka shpëtuar Hebrenjtë prej 2 mijë vjetësh!

Nga Gramoz Ruçi – Fjala në Forumin e Ballkanit 2020 kundër Anti-Semitizmit


Nga Gramoz Ruçi
Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë

Të nderuar miq,
Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen, ndonëse virtualisht, në Forumin e parë Ballkanit 2020 kundër Anti-Semitizmit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit.
Kuvendi i Shqipërisë është shumë i nderuar që në Forumin e sotëm ka pjesëmarrjen dhe kontributin e personaliteteve të shquar dhe miqve të mëdhenj të shqiptarëve dhe hebrenjve, Sekretarin e Shtetit Pompeo dhe
Presidentin e Parlamentit Europian Sassoli, të cilëve u shpreh mirënjohjen që iu bashkuan kësaj nisme të Kuvendit.
Mirënjohja shkon për autoritetet e larta nga Kombet e Bashkuara, Shteti i Izraelit, kryeparlamentarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, trupin diplomatik, ekspertët që do të kontribojnë në Forum, si edhe qindra nxënës e studentë që na ndjekin virtualisht.
Kjo pjesëmarrje e gjerë e bën Forumin një festival rajonal të humanizmit, dashurisë, paqes, tolerancës e drejtësisë.
Forumi organizohet vetëm pak ditë pasi Kuvendi adoptoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.
Rezolutës dhe Forumi janë dy hapa të vendosur, që e bashkojnë Shqipërinë me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në një prej veprimeve më domethënëse e simbolike, luftën kundër antisemitizmit.
Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit.
Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit.
Kombet bëjnë zgjedhjet e tyre në këtë botë. Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, ngrohtësia njerëzore mbi përndjekjen, vuajtjen e dhimbjes në vend të shkaktimit të saj të tjerëve.
Ne, shqiptarët, historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë dhe humanizmin.
Lidhjet kulturore e njerëzore midis hebrenjve e shqiptarëve kanë mbi dy mijë vjet histori.
Në jug të Shqipërisë, vetëm disa kilometra nga vendlindja ime, prej shekullit të pestë, në të njëjtën ndërtesë gjendeshin bashkë një kishë dhe një sinagogë. Ky është një rast i rrallë, ndoshta i vetmi, në histori.
Në kulturën tradicionale shqiptare ekziston betimi “për atë të shtunë e 700 vjet”, çka tregon se marrëdhëniet me hebrenjtë janë shndërruar në element të ekzistencës sonë.
Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Këto qëndrime të njohura, bënë që Lidhja e Kombeve në vitin 1926 t’i njohë shtetit shqiptar autoritetin e ligjshëm, si vend i qendrimit të përkohshëm të hebrenjve, madje edhe të drejtë të lëshimit të dokumenteve të lëvizjes së tyre.
Shqiptarët bota i njohu si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rallë herë në historinë tonë.
Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne aktualizojmë atë që kanë bërë brezat para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat ndodhën gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta:
Në shekullin e parë, për t’i shpëtuar skllavërisë në Romë;
Në shekullin e 15, për t’i shpëtuar inkuizicionit;
Në shekullin e 17, për t’i shpëtuar përndjekjes prej perandorisë osmane;
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’i shpëtuar Holokaustit, njerit prej atentateve më mizore ndaj njerëzimit.
Si Kryetar i Kuvendit, u përkulem kujtimit të brezave që na bënë krenar me historinë e mbrojtjes së hebrenjve, familjeve e qytetarëve, por dhe institucioneve shqiptare.
Është e vërtetë që hebrenjtë i mbrojtën familjet e varfra shqiptare, por listat i kishin qeveritë e autoritetet, dhe ato nuk ua dorëzuan përndjekësve të hebrenjve, duke iu bashkuar instiktit humanist të popullit.
Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi.
Lidershipi i Shqipërisë në këtë luftë nuk është thjesht një çështje e marrëdhenieve me Shtetin e Izraelit, as vetëm një çështje e partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i janë përkushtuar mbrojtjes së hebrenjve të Shqipërisë, prej Ambasadorit Bershtein, te Ambasadorja Kim.
Qëndrimi i ynë buron sa nga historia dhe ekzistenca, aq edhe nga aspiratat tona drejt Bashkimit Europian; nga anëtarësia në NATO; nga aleanca kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ndaj komuniteteve, pakicave, refugjatëve, emigrantëve, të dobtëve; nga partneriteti për të mbrojtur të ardhmen tonë prej “demokratizimit” të dhunës, i cili shoqëron atë që ne e quajmë “demokratizimi i teknologjisë”.
Antisemtizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por, si një distilim i njerëzimit prej të keqes, mund të kërcënojë të gjithë kombet; antisemitizmi nuk i takon vetëm të kaluarës, por nëse ne nuk jemi vigjilentë, mund të kërcënojë të ardhmen.
Duke përfunduar, dëshiroj tju siguroj se Shqipëria do ta shpier deri në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit.
Duke e merituar për të qenë në krye të këtij fronti, ne afirmojmë identitetin e vlerat tona europiane, qytetëruese e perëndimore.
Ju faleminderit.

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit