Holokausti/ ITSHKSH promovon “Fëmijëria e humbur” e Shela Altarac
Përmes një video-mesazhi të shkurtër dhe shumë emocionues, u drejtua edhe vetë Rashela Altarac, e cila në moshë të shtyrë jeton në Izrael. Ajo bëri falënderimet e veçanta ndaj drejtorit Asani dhe hulumtueses shkencore Maja Susha, për kontributin e dhënë në zbardhjen e historisë së saj të dhimbshme familjare.
“Familja Altarac, FËMIJËRIA E HUMBUR, Rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën”, është libri i radhës që botohet nga ana e ITSHKSH , dhe vjen në kuadër të një vizioni që tash më e kemi trasuar në formë të strategjisë, që kur themeluam Departamentin për mësimin dhe edukimin e Holokaustit.
Shkup, 26 janar – “Familja Altarac, FËMIJËRIA E HUMBUR, Rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën”, është libri i radhës që u botua nga ana e ITSHKSH-Shkup, në bashkëpunim me Shoqatën “Acta Non Verba”, në vigjilje të 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Drejtori Skender Asani tha se ITSHKSH tashmë ka projektuar një strategji mbi Holokaustin dhe në kuadër të kësaj strategjie është edhe publikimi i dëshmive dhe evokimeve të të mbijetuarve dhe të atyre që kanë ndihmuar hebrenjtë të shpëtojnë nga kthetrat e vdekjes.
“Familja Altarac, FËMIJËRIA E HUMBUR, Rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën” është përmbledhje përjetimesh, e shkruar në formë evokimesh. Në qendër të rrëfimit të këtij libri ndodhet Shela, e lindur si Rashela Cion, rreth vitit 1934, në Shtip. Ajo përshkruan me nota të ngrohta jetën e saj fëmijërore në një familje tradicionale dhe të pasur. Mirëpo kjo ngrohtësi familjare prishet në mëngjesin e 11 marsit 1943, kur ushtarët gjermanë dhe ata bullgarë, nisin aksionin famëkeq për grumbullimin e hebrenjve të Shtipit… Mirëpo këtu ndodhë edhe ndarja e familjes së Shelës, pasi që ajo me të motrën e saj Bela, arrijnë të kapërcejnë telat e kampit dhe të fshihen diku në afërsi, prej nga kanë parë skenat e trishtimit se si hebrenjtë e kampit, duke përfshirë dhe anëtarët e familjes së tyre, janë hipur e ngarkuar në vagonë mallrash, për t’i dërguar në kampin famëkeq Treblinka në Poloni”, u shpreh drejtori Asani.
Sipas tij, ky libër kujtimesh kap një hark të gjatë ngjarjesh dramatike, duke filluar nga Shtipi dhe duke përfunduar në Jerusalem, ku Shela bashkë me bashkëshortin Braco kishin krijuar familje, tre fëmijë dhe 10 nipër e mbesa. Historia e Shelës si një fëmijë i braktisur, që vjen në këtë libër, e cila i kishte humbur gjithë anëtarët e familjes së saj, dhe e ngelur e vetme gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, deri në emigrimin e saj në Izrael, është testament i gjallë i një kujtese njerëzore që na bën më të ndërgjegjshëm për pasojat e ngjarjeve tragjike në jetën e njerëzve.
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u shpreh se dinjiteti njerëzor i hebrenjve u shkel në mënyrë më ç’njerëzore nga ana e nazistëve në llogoret e vdekjes. “Gjëja më e mirë është që të marrim mësim nga e kaluara dhe që ato vuajtje të mos përsëriten më kurrë. Shpreh respektin e thellë për ata njerëz trima që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetën e tjerëve. Ngjarjet e tilla si kjo e sotmja janë mundësi që ne ta kuptojmë se humanizmi është një nga trashëgimitë tona më të vyera”, tha Zëvendëskryeministri Grubi.
Përmes një video-mesazhi të shkurtër dhe shumë emocionues, u drejtua edhe vetë Rashela Altarac, e cila në moshë të shtyrë jeton në Izrael. Ajo bëri falënderimet e veçanta ndaj drejtorit Asani dhe hulumtueses shkencore Maja Susha, për kontributin e dhënë në zbardhjen e historisë së saj të dhimbshme familjare.
Ambasadori i Izraelit në Shkup, Dan Oryan, po ashtu përmes një video-mesazhi, u falënderua për këtë kontribut të Institutit dhe ‘Acta Non Verba’, si një rast i shkëlqyer për të kujtuar të gjitha viktimat e Holokaustit. Ndërsa, zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shkup, Otto Graf, tha se është posaçërisht e rëndësishme që këto ngjarje të përcillen tek gjeneratat e reja, në mënyrë që e kaluara kurrë më të mos përsëritet.
Aktivitetin e përshëndeti përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Shkup, Andrew Moffat, si edhe përfaqësuesi i Komunitetit Hebre të Kosovës, Flori Dedoni. Ndërsa, fare në fund asistentja hulumtuese e Institutit, Maja Susha, foli për historinë e dhimbshme të familjes Altarac dhe projeksionet e së ardhmes të Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit, që kanë të bëjnë me zbardhjen e të vërtetave të reja të shpëtimit të hebrenjve nga këto troje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Fjala nga Dr. Skender Asani
Drejtor i ITSHKSH
Promovimin e këtij libri po bëjmë vetëm një ditë para 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. Kjo ditë po ashtu përkujton trupat sovjetike, të cilat kanë çliruar kampin famëkeq nazist të përqendrimit Aushvic-Birkenau, në Poloni, më 27 janar, 1945.
Nga studiuesit modern kjo ngjarje është trajtuar si historia e vdekjes së gjashtë milionë hebrenjve dhe vuajtjes së miliona njerëzve. Është historia e dhunës që është ushtruar në miliona fëmijë e të rritur. Do të ishte fshirja e së vërtetës për të kaluarën, nëse nuk e mbajmë mend këtë ngjarje të hidhur.
Dhe për të mos e fshirë shiritin e ngjarjeve mbi të kaluarën, ne si Institut u kujdesëm që të sistemojmë në formë librash, disa nga kujtimet dhe rrëfimet e familjeve hebreje.
Në vitin e largët 1943 një familje hebreje u detyrua të udhëtojë nga Shkupi në Shkodër për ti shpëtuar përndjekjes naziste. Mbi fatin e kësaj familje u shkrua edhe një libër me kujtime .“Jeta ime nën pushtimin nazist” është libri i Mimi Kamhi Ergas Faraxhi. Ky libër, siç dihet, tregon jetën e një familje hebreje e cila ka gjetur mbështetje tek një familje shkodrane.
Ndërkaq librin që po e promovojmë sot është vazhdimësi e përpjekjeve dhe mos-harresës mbi atë çka ka ndodhur. ITSHKSH tash më ka projektuar një strategji mbi holokasutin dhe në kuadër të kësaj strategjie është edhe publikimi i dëshmive dhe evokimeve të të mbijeturave dhe të atyre që kanë ndihmuar hebrenjt të shpëtojnë nga kthetrat e vdekjes.
“Familja Altarac, FËMIJËRIA E HUMBUR, Rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën” është përmbledhje përjetimesh, i shkruar në formë evokimesh.
Në qendër të rrëfimit të këtij libri ndodhet Shela, e lindur si Rashela Cion, rreth vitit 1934, në Shtip, nga prindërit e saj David dhe Dudun. Ajo përshkruan me nota të ngrohta jetën e saj fëmijënore në një familje tradicionale dhe të pasur. Shela, e cila ka qenë femra më e vogël e shtëpisë, është trajtuar si një princezë e lazdruar, duke pranuar pa fund dashuri dhe ngrohtësi, nga të gjithë anëtarët e familjes.
Mirëpo kjo ngrohtësi familjare prishet në mëngjesin e 11-të marsit, të vitit 1943, kur ushtarët gjermanë dhe ata bullgarë, vizitojnë shtëpitë e të gjithë hebrenjve në qytetin e Shtipit
Shela kujton hapat e rëndë të çizmeve të ushtarëve, trokitjen e tmerrshme në derën e tyre dhe frikën që i ka kapluar të gjithë për një çast. Ushtarët kanë bërtitur me zë tepër të lartë, duke i urdhëruar që të vishen shpejtë, të marrin me vete sa më pak gjëra, e sidomos gjërat me vlerë, dhe pas asaj të dalin sa më shpejtë në rrugë dhe të qëndronin në radhë, të gjithë hebrenjtë e Shtipit, të cilët janë shënuar me nga një shenjë të verdhë. E gjithë kjo është realizuar si pjesë e një operacioni që ka qenë i menduar dhe planifikuar me shumë kujdes, për arsye të gjithë hebrenjtë janë ngarkuar nëpër vagonët e trenit, në fabrikën e madhe të quajtur „Monopol“ në Shkup, e cila tani do të shërbente si një kamp përqëndrimi për ta.
Mirëpo këtu edhe ndodhë ndarja e familjes së Shelës, pasi që ajo me të motrën e saj Bela, arrijn të kapërcejnë telat e kampit dhe të fshihen dikund në afërsi, prej nga kanë parë se si hebrenjtë e kampit, duke përfshirë dhe anëtarët e familjes së tyre, janë hipur e ngarkuar në vagonë mallrash, për t’i dërguar në kampin famëkeq Treblinka në Poloni.
Hebrenjtë nga Maqedonia janë deportuar nga kampi „Monopoli“ në kampin e ekzekutimit, në Treblinka, të ndarë në tre “dërgesa-dorëzime”, e para më 22, e dyta më 25, dhe e treta e realizuar më 29 mars, të vitit 1943. Në Treblinka,të gjithë janë vrarë nëpër dhoma gazi. Janë vrarë 7144 njerëz, në mesin e të cilëve mbi 2.000 fëmijë nën moshën 16 vjeçare, “mëkati” i vetëm i të cilëve ka qenë përkatësia e tyre hebreje. Aty kanë përfunduar edhe prindërit e Shelës bashkë me anëtarët tjerë të familjes.
Kalvari i të dyja motrave fillon nga momenti kur ato vendosin të largohen nga Shkupi dhe të shkojnë në Prishtinë, atje ku motra e Shelës, Bela ishte e martuar me një banor nga ky qytet, i cili kishte nënshtetësinë italiane.
Në këtë libër kujtimesh përshkruhen në detaje vuajtjet e Shelës dhe përvojat e saj me banorët vendorë të Kosovës, të cilët e kishin strehuar atë.
Në janar të vitit 1944, motra e Shelës, Bela ka vendosur ti japë fund jetës së saj duke pirë helm, me çka edhe do ti jepte fund të gjithë vuajtjeve të saj. Shela, e cila ka parë vdekjen e motrës së saj, ka ngelur edhe me një plagë shtesë në zemër.
Në vitin 2006, Shela është këthyer në Prishtinë, Kosovë, me qëllim që ta kërkojë dhe ta vizitojë varrin e motrës së saj.
Ky libër kujtimesh kap një hark të gjatë ngjarjesh dramatike, duke filluar nga Shtipi dhe duke përfunduar në Jerusalem, ku Shela bashkë me bashkëshortin Braco kishin krijuar familje, tre fëmijë dhe 10 nipër e mbesa.
Historia e Shelës si një fëmijë i braktisur, që vjen në këtë libër, e cila i kishte humbur gjithë anëtarët e familjes së saj, dhe e ngelur e vetme gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, deri në emigrimin e saj në Izrael, është testamenti i gjallë i një kujtese njerëzore që na bën më koshient për pasojat e ngjarjeve tragjike në jetën e njerëzve.
ITSHKSH dhe Departamenti për mësimin dhe edukimin e Holokaustit, i bashkohen përpjekjeve për të memoruar përvojën e së kalaurës si udhërëfim i së ardhmes.
Shkup, 26 janar, 2021