Latifi dhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë diskutojnë për bashkëpunimin në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është takuar me ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të mërkurën është takuar me ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Temë diskutimi në këtë takim ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.
Përmes një komunikate për media thuhet se Latifi, bëri të ditur edhe nevojat të cilat ka sektori i Shëndetësisë në Kosovë.
“Ai e vuri në pah edhe nevojën për krijimin e Qendrave të Ekselencës dhe në këtë pikë edhe Qendrën e Traumës e cila është shumë e domosdoshme për sistemin shëndetësor të Kosovës. Bashkëpunimi në këtë pikë, vlerësoi ai, është shumë i dobishëm pasi që Izraeli këtë Qendër e ka më të avancuarën në botë”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Ziv, u shpreh se shteti i Izraelit është i gatshëm të bashkëpunoj me Kosovën.
“Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv, tha se shteti i saj është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe avancimit të fushave specifike, dhe për këtë qëllim ajo njoftoi se tashmë ka filluar përgatitjet për organizimin e vizitës së Ministrit Latifi në Izrael gjatë këtij viti”.
Në vazhdim, Ministri Latifi dhe Ambasadorja Ziv u pajtuan se një nga fushat e tjera potenciale të bashkëpunimit është edhe rreth digjitalizimit të sistemit shëndetësor kosovar.
Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e trajnimit të stafit shëndetësor kosovar nga ekspertët shëndetësor të Izraelit, në ato profile ku mungon ekspertiza brenda sistemit tonë. /Albanianpost.com