Ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler, viziton Bulqizën
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla ka pritur sot në një vizitë Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla ka pritur sot në një vizitë Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, Z. Noah Gal Gendler.
Takimi u fokusua kryesisht në mundësitë që ka Bulqiza në bujqësi dhe në mbështetjen e shtetit të Izraelit për të sjellë eksperiencën e atjeshme për fermerët bulqizakë.
Kryetari Alla shprehu mirënjohjen e tij për investimin e qeverisë izraelite në laboratorin e ujit të pijshëm, teksa e njohu gjithashtu ambasadorin Gendler për kushtet dhe mundësitë në të cilat operojnë fermerët e Bulqizës.
Ambasadori Gendler premtoi mbështetjen e shtetit të tij për të sjellë në Bulqizë eksperiencën dhe teknologjinë izraelite të përdorur në bujqësi, e njohur kjo si një nga praktikat më të mira në botë. Ai vlerësoi pasuritë ujore dhe turistike që ka Bulqiza, duke vlerësuar nevojën për investime të mëtejshme në to.
Nga ana tjetër, Ambasadori Gendler ftoi Kryebashkiakun Alla në një takim rajonal që do të zhvillohet në kryeqytetin e vendit të tij, ku do të marrin pjesë shumë drejtues bashkish nga vende të ndryshme, për të biseduar rreth praktikave më të mira për zhvillimin e sektorit bujqësor.