Një Mendësi AI: Këshilla nga vizita e Dror Gill në Tiranë
Dror Grill është një strateg teknologjik me përvojë dhe fitues i Çmimit Emmy në Teknologji & Inxhinieri.
Java e kaluar solli një ngjarje emocionuese në Tiranë pasi qyteti u vizitua nga Z. Dror Gill; një strateg teknologjik me përvojë dhe fitues i Çmimit Emmy në Teknologji & Inxhinieri, për një seri takimesh frymëzuese. Me mbi 30 vjet eksperiencë si ekzekutiv, Z. Gill është dallluar si zë udhëheqës në shfrytëzimin e mjeteve të Inteligjencës Artificiale Gjenerative si ChatGPT për të shtyrë inovacionin dhe efikasitetin në organizata.
Në qendër të vizitës së tij ishte një takim i organizuar nga Ambasadorja izraelite në Shqipëri, Znj. Galit Peleg, në rezidencën e saj. Gjatë një darke intime, Z. Gill ndau modestisht udhëtimin e tij si Drejtor Teknologjik i disa startupeve të suksesshme, duke hedhur dritë mbi evoluimin e ekosistemit të shkëlqyer të startupeve në Izrael – një kulturë e përcaktuar nga ndjekja e problemeve dhe pranimi i dështimeve si një hap drejt suksesit. Ndërmjet kontributeve të tij të shquara është edhe bashkë-themelimi i Haifa Beer Tech, një nismë që promovon zhvillimin e sipërmarrësve të rinj duke krijuar një mjedis bashkëpunimi për shkëmbim idesh dhe mentorim.
Eventi i organizuar për herë të parë, me emrin “Tirana Beer Tech”, u iniciua nga Ambasada izraelite në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë e Tiranës dhe me mbeshtetjen e Birrës Korça.
Ngjarja u zhvillua nën sfondin ikonik të Piramidës së Tiranës, simbol i përkushtimit të qytetit ndaj inovacionit dhe sipërmarrjes. Midis të ftuarve të nderit ishin Znj. Anuela Ristani, Zv. Kryetare e Bashkisë së Tiranës, dhe Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Turizmit dhe Inovacionit, të cilët nënvizuan mbështetjen e tyre të pandalshme për nisma si Tirana Beer Tech, duke i vlerësuar si ngjarje të cilat luajnë rol të rëndësishëm në kultivimin e ekosistemit startup në Shqipëri.
Gjatë Tirana Beer Tech, Z. Gill tërhoqi vëmendjen e audiencës me idetë e tij për Inteligjencën Artificiale Gjenerative, duke rrëfyer rrugëtimin e tij nga lançimi i ChatGPT 3.5 deri në shfrytëzimin e fuqisë transformuese të AI në krijimin dhe planifikimin strategjik të startupeve. Përmes tregimeve mbresëlënëse, ai theksoi rëndësinë e pranimit të një mendësie AI – si diçka e cila do të na mundësojë një potencial të pakufizuar në të gjitha fushat e biznesit dhe inovacionit. Rrjedhimisht diskutime interesante u nisën ku pjesëmarrësit reflektuan mbi implikimet dhe mundësitë e ofruara nga e ardhmja e drejtuar nga AI.
Me personalitete të shquara si Zj. Mira Murati, Drejtuese e Teknologjisë e OpenAI, nga Shqipëria, ka një krenari të ndjeshme në portretizimin e talenteve në rritje të vendit; një dëshmi për zhvillimin e Shqipërisë në skenën globale të teknologjisë.
Ne, si ekip i Business Magazine Albania, kishim privilegjin të përfitonim nga vizita e Z. Gill dhe të bisedonim me të mbi këto tema që përbëjnë fokusin kryesor të redaksisë sonë. Tashmë presim me padurim kthimin e tij për të pasur mundësinë të zgjerojmë më tej kuptimin e potencialit transformues të Inteligjencës Artificiale, si mjet përshpejtues për ta vendosur Tiranën dhe Shqipërinë në krye të inovacionit teknologjik.
Marrë nga Business Magazine Albania