Besa shqiptare, rregulli i artë dhe shpëtimi i hebrenjve

Shqiptarët shpëtuan të paktën 3280 hebrenj gjatë Holokaustit, jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që mundën ta arrinin Shqipërinë nga vendet e tjera të Europës.


Nga Saimir Lolja

Shqiptarët shpëtuan të paktën 3280 hebrenj gjatë holokaustit. Gjatë viteve 1933-1944, Shqipëria shpëtoi jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të gjithë ata që mundën ta arrinin Shqipërinë nga vendet e tjera të Europës. Fakti është se në Shqipëri u shpëtuan të gjithë hebrenjtë dhe ata nuk u cenuan, nuk u dorëzuan, nuk u penguan të hynin; nuk pati ligj që kufizonte si numër futjen e tyre në Shqipëri.

Shpëtimi qe i plotë dhe vërtetohet edhe nga një fakt paralel: pas kapitullimit të ushtrisë italiane në shtator 1943, dhjetëra mijëra ushtarë italianë u fshehën në familjet shqiptare dhe u shpëtuan. Tërë popullata shqiptare, pavarësisht nga besimet fetare veproi drejtpërsëdrejti (shpëtuesi) dhe tërthorazi (p.sh. familjet fqinje) si një kulturë e bashkuar duke e kundërshtuar Holokaustin dhe shpëtuar tërë hebrenjtë ku ajo arrinte. As edhe një hebre ekziston i humbur për shkak të Holokaustit në Shqipëri. Njëkohësisht, ishin 14 hebrenj që ranë dëshmorë si pjesëtarë të njësive luftarake kundra-fashiste shqiptare ose u vranë nën zjarrin e luftës. Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur.

Gjurmët e shpëtimit gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë, se Shqipëria ishte strehë e sigurt. Ata e dinin se shqiptarët kishin besë, zbatonin këtë Rregull të Artë, se i hapnin derën mikut dhe kujtdo që ishte në nevojë dhe se hebrenjtë vendas jetonin si gjithë të tjerët. Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria qendrore kishte 204 hebrenj. Sipas dokumenteve, rajoni i Kosovës kishte 409 hebrenj vendas deri në pushtimin e ish-Jugosllavisë në prill 1941.

Ata hebrenj, bashkë me të tjerët që vinin nga ish-Jugosllavia dhe vendet e tjera dhe që u futën në Kosovë, shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë e brendshme me ndihmën e qeverisë dhe popullit shqiptar. Një listë prej të paktën 3280 hebrenjsh të shpëtuar nga shqiptarët deri në fund të Luftës II Botërore është dorëzuar në Yad Vashem. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë në Shqipëri me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë, ata që hynë fshehtas (p.sh. u fshehën në fshatrat pranë kufirit shtetëror), ata që nuk janë zbuluar akoma në dokumente të tjera, si dhe ata që nuk njihen me emër. Kjo e fundit është për t’u theksuar sepse është e zakonshme të shohësh lista në arkiva, të cilat kanë për një emër përbri numrin e njerëzve që e shoqëroi atë kryetar grupi ose familje, nën titullin “bashkë me familjen e tyre”. Institucioni Yad Vashem në Jeruzalem, deri më tani ka njohur zyrtarisht 69 shqiptarë si “Fisnikë të Kombeve” në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Këta hebrenj të shpëtuar janë ata që i mbijetuan Holokaustit nëpërmjet ndihmës shqiptare, që u martuan, lindën e vazhduan rrjedhën e tyre të jetës në Shqipëri e vendet e tjera. Hebrenjtë që mbetën në Shqipëri pas mbarimit të Luftës II Botërore lanë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës shqiptare dhe kujtohen me respekt./KultPlus.com/Saimir Lolja

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit